Takim me drejtorin e Prokurimit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, z. Selami Berisha  

 

Prishtinë 1 Qershor 2017 –  Përfaqësues të Lëvizjes FOL janë takuar sot me drejtorin e Prokurimit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, z. Selami Berisha. Qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutohet rreth aplikimit të sistemit elektronik E-Prokurimit dhe sfidat e aplikimit të tij.
Berisha sqaroi se me sistemin elektronik E-Prokurimi kanë filluar ta zbatojnë nga Janari i vitit 2017 dhe se stafi i MZHE-së është trajnuar dhe në vazhdimësi është pjesë e trajnimeve të cilat organizohen nga KRPP.

“Kemi probleme të cilat janë të vogla dhe s’ka ardhur deri tek shtyrja e ndonjë procedure për shkak të problemeve me hardver, ngase edhe nëse ka ndonjë problem më së shumti mund të zgjasë 30 minuta”, tha Berisha. Sa i përket rehjistimit në platfomën E-Prokurimi ai tha se është i obliguar secili operatot ekonomik që të regjistrohet, sipas tij, nëse një operator ekonomik s’është i regjistruar në platformën e-prokurimi, i njëjti s’mund të dorëzoj ofertën as hard copy.

“Sistemi elektronik E-Prokurimi, rrit transparencën, bënë lehtësimin e punës dhe e mira e krejt kësaj është se nga sistemi në se dimë se kush ka bërë tërheqjen e dosjes”, tha ai, duke shtuar se nënshkrimi i kontratës s’ka ndryshuar ende dhe bëhet në mënyrë të njëjtë, mirëpo kjo mund të ndërrohet me ndryshimet eventuale në Ligjin e Prokurimit i cili ka mangësi në këtë drejtim.

Gajtë këtij takimi u dikututa dhe për shpenzimet që Ministia e Zhvillimit Ekonomik ka pasur për vitin 2017. Sa i përket këtyre shpenzimeve, Berisha tha se derisa të dal raporti i Auditorit të Përgjithshëm, s’mund të japin një shifër të saktë se sa ka shpenzuar kjo ministri në fushën e prokurimit. “Shumën të cilën ne mund ta japim është se Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nënshkruar kontrata në vlerë prej € 5,408,216.67 për 2016, por kjo nuk mund të merret si shpenzim”, tha ai.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

FOL Hapur me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Arban Abrashi

Prishtinë, 8 Mars 2017 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Charles Stewart Mott Foundation ka mbajtur diskutimin e tretë në formatin FOL Hapur me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi. Këto diskutime zhvillohen pas monitorimit të Planit të Punës së Qeverisë së Kosovës për 2 vite të mandatit si dhe ministrive më specifikisht.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha se me ministrin do të diskutohet në nivel më përmbajtjesor për ministrinë dhe punën që është bërë si dhe për tema tjera me interes të përgjithshëm.

Ministri Abrashi vlerësoi një diskutim të tillë duke thënë që shpesh çështjet tjera politike lënë shumë pak hapësirë për diskutimin e çështjeve të tilla në nivel ministrish të cilat prekin jetën e qytetarëve çdo ditë. Duke treguar për punën e ministrisë që drejton, Ministri Abrashi tha se kjo ministri është ndër ministritë më të mëdha, zyrat e të cilës shtrihen në tërë Kosovën dhe përfshijnë të gjitha kategoritë e personave.

Ministri vuri theksin që qysh në fillim të mandatit, prioritet ka qenë papunësia, duke mos i anashkaluar edhe çështjet tjera si asistenca sociale dhe pensionet. Ndër aktivitetet kryesore që u përmendën nga ministri për uljen e papunësisë, ishin masat aktive të tregut të punës që lidhen me përkrahjen në punësim, si dhe skemat për rregullimin e bazës ligjore që kanë filluar në vitin 2015. “Ndër të tjera kemi filluar edhe me subvencionimin e pagave, me grantet për vetëpunësim, punësimet sezonale dhe trajnimet për punëkërkues”-shtoi Ministri. Si rezultat Ministri theksoi se të dhënat nga ATK dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se në vitin 2016 janë regjistruar 19000 punëkërkues dhe janë identifikuar 14000 vende të punës.

Sipas Ministrit, mikroekonomitë mbeten burimi kryesor i punësimit, ndonëse sot në Kosovë ka edhe industri që janë në zhvillim e po zgjerohen por që ngecin në kuadro. Ai tha se marrëveshjet e nënshkruara me Ministrinë e Arsimit të Kosovës rreth dizajnimit të kurrikulave për shkollat e mesme dhe fillore varësisht nga tregu i punës.

Ndërkaq sa i përket skemave pensionale, ministri Abrashi theksoi se është bërë punë e suksesshme në këtë drejtim, sidomos me pensionet e kontributeve dhe përvojës deri në vitin 1999 dhe skemat pensionale për veteranët e luftës. Ndër sfidat më të cilat është ballafaquar kjo ministri sa i përket pensioneve kanë qenë skemat pensionale të dyfishta. “Auditori ka vendosur që një personi i takon vetëm një pension. Në të njëjtën kohë është rregulluar edhe cili pension i takon një personi mirëpo edhe është proceduar ndryshimi i ligjit pasi që nevojitet definim i qartë i pensionit familjar dhe çështjeve tjera që hyjnë në këtë proces”-tha ministri.

I pyetur rreth vendimit të Gjykatës së Strasburgut për pensionet nga Serbia dhe hapave që ka ndërmarrë Qeveria për ta rikthyer këtë fond, Ministri Abrashi tha se kjo duhet të zhvillohet në dy drejtime. Së pari duke e ngritur këtë çështje në nivel të dialogut me Serbinë në Bruksel, dhe paralelisht këtë, duke fascilituar procesin e padive të shoqatave dhe palëve të përfshira në Gjykatë në Strasburg. Sipas Ministrit, 3 raste janë pranuar nga kjo Gjykatë dhe së shpejti do të bëhet publike se si kanë proceduar këto raste.

Melos Ulluri – Fitues i vendit të dytë në Garën e Esesë kundër Korrupsion nga Lëvizja FOL

Melos Ulluri fitoi  vendin e dytë në garën për Esenë më të mirë kundër korrupsion. Esenë e Melosit mund ta lexoni më poshtë.

Pushteti Korrupton

Ese kundër korrupcionit nga Melos Ulluri

Student i Universitetit të Prishtinës – Fakulteti i Arteve

Prishtinë, tetor 2016

“Qeveritë e korruptuara udhëhiqen nga politikanë të korruptuar të cilët i udhëheqin institucionet e korruptuara të zbatimin e ligjit”

Steven Magee 

Korrupsioni si një fenomen negativ, është bërë problem mjaft serioz në shoqërinë tonë. Çdo institucion i vendit është i prekur nga kjo sëmundje, shtrirja e së cilës është pothuajse përtej imagjinatës. Si një problem kryesor me të cilin vendi ynë është duke u përballur, korrupsioni është ndër faktorët kryesor i cili po pengon zhvillimin ekonomik, shoqëror e politik të vendit si dhe po ngulfat realizimin e demokracisë. Fillimisht, ç’është korrupsioni? Sipas ligjit për Agjensinë Kundër Korrupsionit, me korrupsion nënkuptojmë: “çdo keqpërdorim të pushtetit apo çdo sjellje tjetër të personit zyrtar, personit përgjegjës apo personit tjetër me qëllim të arritjes së një përparësie apo përftimi të kundërligjshëm për veten apo për tjetrin” (03/L- 159, neni 1.3). Ndërsa sipas fjalorit (Merriam Webster Dictionary) korrupsioni definohet si: “Sjellje e pandershme apo e kundërligjshme veçanërisht nga njerëzit e pushtetshëm (si zyrtarë të qeverisë apo oficerë policie); veprimi i korruptimit të dikujt apo diçkaje; diçka që është ndryshuar nga forma origjinale.” Në të dy definicionet, korrupsioni po ka të bëjë fillimisht me pushtetin dhe zyrtarët në pushtet.

Posa të përmendet korrupsioni, gjëja e parë me të cilën më asocon kjo fjalë është qeveria dhe zyrtarët e lartë publik. Në këtë kontekst, fokusi kryesor i kësaj eseje do të jetë korrupsioni i institucioneve publike i cili është rezultat i pushtetit që kanë zyrtarët e lartë publik, dhe udhëheqësit e institucioneve e agjensioneve publike. Pra, është pushteti ai i cili të bën të korruptuar. Nëse i referohemi kuotizacionit të Steven Magee-t, të cilin e kam përmendur në krye të faqes, dhe i cili vlerëson se “qeveritë e korruptuara udhëhiqen nga politikanë të korruptuar” atëherë mbase dikush mund të nënkuptoj se jo çdo qeveri mund të jetë e korruptuar, dhe jo çdo pushtet mund të prodhoj efekte të korrupcionit. Mirëpo nëse politikanët janë të korruptuar, atëherë kemi një qeveri të korruptuar. Që një politikan të jet i korruptuar, ai duhet të ketë pushtet, dhe pushteti i’a siguron atij që të ketë kontroll mbi institucionet e zbatimit të ligjit e në këtë mënyrë të shpëtoj nga përgjegjësia dhe llogaridhënia.

Po ashtu Transparency International në raportin e tyre Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit 2015, që në faqen e parë të raportit theksojnë se “as edhe një vend i vetëm kudo në botë nuk është i pakorruptuar”. Kam përshtypjen sikur korrupsioni është i pashmangshëm në pushtet. Transparency Internatioal gjithashtu thekson “Korrupsioni i sektorit publik nuk ka të bëj thjeshtë me paratë e taksapaguesve të cilat keqpërdoren. Institucionet dhe zyrtarët e korruptuar rrisin pabarazinë dhe shfrytëzimin – duke e mbajtur pasurinë në duart e disave dhe  duke e ngujuar në varfëri shumicën”. Në mesin e 168 vendeve të vlerësuara në vitin 2015, Kosova renditet e 103-ta, me rezultatin e indeksit 33. Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit matë nivelin e korrupsionit në sektorin publik në mbarë botën. Rezultati perfekt sipas indeksit është 100, absolutisht i pakorruptuar dhe 0, tejet i korruptuar. Sipas indeksit mbi 6 miliard njerëz në botë jetojnë në një vend me probleme serioze të korrupcionit, dhe Kosova bën pjesë në mesin e vendeve me një shkallë mjaft të lartë të korrupsionit.

Për t’i bërë një analizë sa më konkrete kësaj çështje do të bëj një vështrim komparativ në mes të klasës udhëheqëse (sunduese) të vendit tonë dhe udhëheqësisë (sundimit) të derrave në Fermën e Kafshëve të shkrimtarit anglez George Orwell, një satirë e cila shpreh idenë e vet-qeverisjes nga kafshët. Njëra nga temat qendrore në Fermën e Kafshëve është efekti korruptues i pushtetit. Nisur nga fakti se pushtetarët tanë të plot-pushtetshëm janë burimi kryesor i korrupsionit, pandershmërisë, mashtrimit, krimit, ryshfetit, grabitjes, spekulimit, përfitimit e të ngjashme nënkupton se edhe në shoqërinë tonë gjeneruesi i të gjitha të kqijave është fuqia pushtetare dhe efekti i saj korruptues.

Pas rrebelimit të kafshëve dhe përmbysjes së pronarit të fermës, si lider i Fermës së Kafshëve vjen derri i quajtur Napoleon i cili fillimisht duket të jetë një lider i mirë dhe i cili përpiqet për të mirën e të gjithëve në fermë. Mirëpo për fat të keq, ai bëhet rob i lakmisë dhe pushtetit, dhe sa më shumë pushtet që merr,  aq më i korruptuar bëhet. Edhe pse Orwell Napoleonin e paralelizon me ish liderin komunist rus Stalinin, një paralele e tillë mund të bëhet edhe me “komandantët” tanë të cilët udhëhoqën luftën dhe e përfunduan atë mbi parimet e atdhedashurisë, lirisë dhe barazisë. Pas luftës, ata dukeshin të jenë të mirë dhe të kenë qëllime të mira. Me ardhjen në pushtet, për fat të keq, ata u bënë lakmitarë ngjashëm si derrat e Orwell-it, mbase edhe më lakmitarë, dhe fuqia e pushtetit i dehi dhe i zhveshi nga çdo parim për të cilin u patën përpjekur. Nga kjo shohim se korrupsioni është proporcional me lakminë për pushtet. Napoleoni duke qenë një derr dinak e egoist, në të njëjtën kohë edhe i menqur, arrinë të bëhet një diktator despotik i Fermës së Kafshëve duke i miratuar fjalët e Lord Action kur thot – “Pushteti korrupton, por pushteti absolut korrupton absolutisht”. Kjo dëshmon se shumë njerëz bëhen të rrezikshëm dhe të korruptuar kur kanë në dorë shumë pushtet. Ngjashëm, sundimtarët tanë, jo vetëm që e kanë zhytur popullin në varfëri, por kanë krijuar edhe një rend shoqëror që lirisht mund ta konsiderojmë si shtypje e popullit.

Te ne, njerëzit të identifikojnë pikëpamjet politike varësisht se në cilën kafene pin kafen, apo cilën gazetë ditore e lexon, e mos të flasim me cilët njerëz shoqërohesh, gjë që mund të t’kushtoj me vendin e punës ose nëse je në kërkim të një vendi pune të mos mund ta kesh kurrë. Pushteti ka arritur që përmes një lufte psiklogjike t’i bëj njerëzit frikacak, të dobët dhe të nënshtrueshëm. Te Orwell-i kemi Bokserin i cili është sylesh, besnik, dhe shumë punëtor. Janë këto disa epitete me të cilat Orwell e portretizon kalin e palodhshëm, por që në fakt u shkon për shtati shumicës së kafshëve në fermë. Këtu Orwell na bën me dije se shtypja e popullit nuk është gjithmonë rezultat i vetëm i motiveve dhe taktikave të udhëheqësve politik, por njëkohësisht është edhe rezultat i naivitetit dhe mungesës së arsimimit adekuat të popullit.

Edhe pse Bokseri e ndjen peshën e shtypjes, punon ditën e natën dhe racionet e ushqimit dita ditës i shkurtohen, kur ai përballet me ndonjë dilemë nuk është në gjendje të arsyetoj, të vlerësoj situatën në mënyrë logjike, por gjithmonë përsëritë në mendjen e tij frazën “Napoleoni ka gjithmonë të drejtë.” Po ashtu populli ynë, të cilin e portretizon më së miri Bokseri, në kohë zgjedhjesh voton klasën e caktuar politike, dhe menjëherë pas gjedhjeve fillon të ankohet duke e fajësuar qeverinë të cilën e ka zgjedhur vet. Dhe në zgjedhjet e radhës, në vend që të arsyetoj veprimet e ndryshme të mundshme, vepron njëlloj si gjithmonë. Kjo demonstron paaftësinë për të arsyetuar logjikisht dhe po ashtu edhe mungesën e vullnetit për të ndërmarrë diçka për ta ndryshuar situatën.

Paragrafi i fundit me të cilin përfundon libri, kur kafshët i shikojnë se si derrat fjalosen dhe luajnë letra me Pilkingtonin, fqinjin e tyre njeri dhe njerëz të tjerë në shtëpinë e fermës, dhe nuk janë në gjendje të dallojnë kush është kush, pra nuk mund të dallojnë derrat nga njerëzit, e bën shumë të qartë efektin e pushtetit për të korruptuar:

“Dymbëdhjetë zëra thërrisnin në kulmin e zemërimit dhe që të dymbëdhjetë nuk dalloheshin nga njëri – tjetri. Tani as mund të shtrohej më pyetja se ç’kishte ndodhur me turirin e derrave. Kafshët vazhduan të vështronin herë një derr e herë një njeri, pastaj përsëri një njeri e përsëri një derr, por ishte e pamundur të përcaktoje se çfarë ishte njëri e çfarë tjetri.”

Ky paragraf simbolizon qartë se më nuk ka asnjë dallim mes njerzve dhe derrave. Kjo më kujton situatën në të cilën aktualisht gjendemi. Kur është e vështirë të dallosh cili është cili. Ku çdo përpjekje për të ndyshuar diçka rezulton vetëm me ndërrimin e pozitave të të njëjtve udhëheqës që tashmë janë të degraduar moralisht deri në pikën e trishtimit.

Për fund, dua të theksoj edhe njëherë efektin korruptues të pushtetit, pra siç pamë nga shembujt e përmendur më sipër po del se kur disa njerzve u jepet pushtet, ata e përdorin atë për interesa vetijake, pasi që është natyra e pushtetit ajo e cila prodhon efekt korruptues mbi ata që e kanë atë. Në Fermën e Kafshëve derrat fillojnë t’i thejnë gradualisht shtatë urdhëresat, të cilat i kishin hartuar vet pas revolucionit dhe të cilat ishin parimet mbi të cilat do të qeverisej ferma, thjeshtë vetëm për shkak se krijojnë varësi nga pushteti dhe vazhdimisht dëshirojnë më shumë. Degradimi i parimeve të revolucionit më së miri ilustrohet ku nga shtatë urdhëresat në fund mbetet vetëm një “Të gjitha kafshët janë të barabarta mirëpo disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat.”

Burimet e cituara

  • Orwell, George, Ferma e kafshëve,
  • Transparency International, Corruption Perceptions Index 2015
  • Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ligji nr. 03/L- 159 Për Agjencinë kundër korrupsionit
  • Merriam-Webster’s Learner’s Dictionary

Vlera Hetemi – Fituese e vendit të tretë në Garën e Esesë kundër Korrupsion nga Lëvizja FOL

Vendin e tretë në garën për Esenë më të mirë kundër korrupsion e fitoi Vlera Hetemi.  Esenë e Vlerës mund ta lexoni më poshtë.

Vlera Hetemi

ESE KUNDËR KORRUPSIONIT  

Korrupsioni është ndër përshkruesit më emblematikë të shekullit të 21-të, menjëherë pas zbulimeve teknologjike. Fatkeqësisht, një fenomen i tillë është krimbi i cili ha trungun nga brenda apo është ngulfatës i cfarëdo prosperimi eventual të një shteti, meqenëse korrupsioni si fenomen bën vetëm rishpërndarjen (dhe jo krijimin) e vlerave, të krijuara brenda një shoqërie, tek të pasurit dhe rrethi i tyre, fatkeqësisht mbi barrën e më të varfërve që paraqesin një shumicë.

Nuk ka as edhe një shtet të vetëm në botë, i cili nuk përballet me cilëndo nga format e korrupsionit në një dozë të caktuar, ku kjo shumë thjeshtë mbështetet nga fakti se mbi 6 miliardë njerëz në botë jetojnë në vende të cilat kanë problem serioze me korrupsion (Transparency International, 2015). Apo shikuar në aspekt shtetesh, mbi 68% e vendeve janë të ngulfatura nga ky fenomen, apo thuajse se cdo person është i përfshirë në cfarëdo lloj akti korruptiv qoftë si shkelës, dëshmitar apo raportues.

Kur dikush flet mbi korrupsionin, fatkeqësisht ne kemi në mendje vetëm termet si ‘vjedhje’,

‘shpërlarje parash’ ose forma tjera të ngjashme më të përhapura të tij. Fuqimisht mendoj se nëse korrupsionin e limitojmë vetëm në këto trajta të shfaqjes së tij, atëherë ne nuk mund të gjejmë zgjidhje për korrupsionin sepse nuk e kemi definuar akoma mirë atë si problem.

Ky fenomen, në shoqërinë tonë është në thelb të shumë prej proceseve, duke filluar nga rastet minore, kur në shkolla prindërit “korruptojnë” mësuesit e fëmijëve të tyre (duke ju blerë atyre dhurata të shtrenjëta), vetëm në mënyrë që mësuesi/ja ta ketë më për qejf fëmiun e tyre, e deri në nivelin e keqpërdorimit të parasë publike në nivel kombëtar.

Edhe pse de jure ekzistojnë një mori ligjesh të cilat definojnë sanksionet për korrupsion apo edhe shumë shkelje tjera, si duket tek ne është më se evidente thënia se “Rregullat janë bërë për tu thyer”, e vecanërisht nga ata të cilët i kanë përpiluar ato. Apo ndoshta në anën tjetër pikërisht këto rregullativa aq të rënduara me legjislacion, janë të papërballueshme për kapacitetin, fatkeqësisht të ulët, të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në anën tjetër, pikërisht ky sistem i dobët i drejtësisë është ndër shkaktarët të cilët lënë aq shumë hapësirë për korrupsion. Vëjeni rastin mbi vete…imagjinoni se keni performuar cfarëdo akti korruptiv, mirëpo në anën tjetër ka lëndë të tëra që janë duke pritur në rend nëpër gjykata me vite të tëra e madje edhe për cështje shumë më të mëdha, a do të ishin gjasat e mëdha që ju të mos brengoseshit shumë për një akt të tillë duke marrë parasysh gjendjen e këtij sistemi? Apo, në një skenar edhe më të keq, a mendoni se dikush do të kishte guximin apo edhe iniciativën që të raportonte një rast të tillë në autoritetet gjyqësore, duke marrë për bazë situatën e përshkruar më sipër? Rrjedhimisht, nëse askush nuk do ta raportonte rastin, a nuk do ta përsërisnit ju një akt të tillë korruptiv?!

Arsyeja se ndoshta pse ekziston përceptim kaq i lartë për korrupsionin, është sepse janë shumë të dukshme frutet e hidhura të tij, ngase korrupsioni është shumë më shumë se sa ajo cfarë ne kuptojmë me termin ‘korrupsion tradicional’. Ai në një farë mënyre degëzohet duke i prekur së pari të gjitha institucionet, komunitetet e pastaj edhe neve si individë, duke u shfaqur në trajta të ndryshme.

Kërkon logjikë shumë të thjeshtë që të kuptohet pse ekziston një përceptim aq i lartë për korrupsionin. Mendojeni edhe ju vetë…jemi një shtet me rreth 1.9 milionë banorë, nga të cilët shkalla e papunësisë është rreth 35% që është më e larta në rajon, ndërsa tek të rinjtë 61% (UNDP Kosovo, 2016), përderisa në anën tjetër kemi persona të cilët mbajnë mbi tre ose katër poste publike me paga marramendëse. Korrupsioni, pra efektet e tij i ka edhe në formë të papunësisë; burokracisë; konkurrencës jo të drejtë në treg e cila rrjedhimisht destimulon hyrjen e bizneseve të reja por edhe operimin e atyre ekzistuese, i cili fakt rrjedhimisht ndikon edhe në papunësinë e cila u përmend më herët; mungesës së cilësisë së shërbimeve publike qofshin ato në shëndetësi, kulturë, arsim, infrastrukturë etj; vjedhje, pandershmëri, humbje të pasurisë publike, shfrytëzim, mashtrim, skandal, neglizhencë e përgjegjësive etj. Të gjitha këto së bashku sjellin situatën aktuale jo të kënaqshme shoqërore, të cilat në rrënjët e tyre si shkaktar kanë korrupsionin. Pra, ajo se cfarë ne duhet të arrijmë të kuptojmë është se korrupsioni nuk është si efekt anësor i papunësisë apo problemeve tjera me të cilat po ballafaqohemi si shoqëri, por përkundrazi është shkaktari rrënjësor i këtyre problemeve.

Madje, ky fenomen vazhdimisht mund ti thellojë rrënjët për shkak të rritjes së lakmisë së njeriut ndaj parave, pushtetit dhe pozitës dhe ai nuk mund të trajtohet deri sa ligjet dhe rregullativat të vihen në implementim dhe shoqëria civile dhe mediat të jenë plotësisht të lira.

Qasja aktuale ndaj korrupsionit në Kosovë nuk është e duhur, ngase ka një tendencë për të adresuar problemet e korrupsionit me strategji kombëtare dhe plane të veprimit të cilat, në praktikë, duken më shumë si fontanë dëshirash se sa plane praktike të arritshme të cilat prioritizojnë zgjidhjen e problemeve me hapa konkretë.

Në një anë, ekziston legjislacion anti-korrupsion i mjaftueshëm, por zbatimi i tij në praktikë ka mbetur shumë prapa, ku të gjitha përpjekjet e bëra në dekadën e fundit për të zvogëluar këtë hendek ose nuk janë zbatuar ose nuk adresojnë çështjet në fjalë.

Përderisa ka shumë institucione që luftojnë korrupsionin, sfida kryesore mbetet bashkimi i përpjekjeve për ta luftuar atë. Por cka është shumë shqetësuese, është se ka një mungesë të bashkëpunimit në mes të institucioneve dhe akterëve të përfshirë në luftën kundër korrupsionit, ku pavarësisht një sërë nismash të izoluara anti-korrupsion, përgjegjshmëria institucionale dhe integriteti në vend janë shumë të ulëta.

Një hulumtim nga Kosova Democratic Institute, gjen se në mënyrë të veçantë, partitë politike, ndërmarrjet në pronësi shtetërore dhe qeveria janë sektorët me nivelin më të ulët të integritetit në lidhje me tolerancën ndaj korrupsionit. Kjo konfirmon supozimin se politika dhe qeveria, ku pushteti politik dhe financiar është përqendruar dhe nga e cila degëzohet në sektorë të tjerë, janë në qendër të problemit të progresit të kufizuar kundër korrupsionit së bashku me mungesën e përgjithshme të vullnetit politik për të luftuar në mënyrë efektive korrupsionin. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dhe Avokatit të Popullit, megjithatë, paraqesin modele të suksesshme të integritetit me një potencial për të luftuar korrupsionin administrativ. Këto dy institucione pastaj përcillen nga Agjencia Kundër Korrupsionit, mediat dhe policia, në aspektin e niveleve të larta të integritetit (Kosova Democratic Institute, 2015).

Në mënyrë që të zvogëlohet korrupsioni në mënyrë efektive dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës, atëherë nevojitet involvimi i secilit nga akterëve në shoqërinë tonë, qofshin ata/ato qytetarë të thjeshtë – të cilët duhet të jenë aktiv në raportimin e rasteve të korrupsionit, media – të cilat duhet të luajnë rol kyq në vetëdijësimin e shoqërisë rreth këtij fenomeni, institucione shtetërore dhe/ose shoqëria civile – të cilat duhet të jenë shumë aktive në mbështetjen dhe implementimin e iniciativave anti-korrupsion, trupat e huaj – të cilët duhet të jenë aktivë në monitorimin e trendit të zhvillimit të kësaj dukurie dhe mënyra tjera të ndryshme të involvimit. Pra duhet një qasje gjithpërfshirëse në luftimin e korrupsionit e cila duhet të fillojë nga poshtë-lart.

Poashtu, në nivel institucional duhet të forcohet bashkëpunimi ndër-institucional në luftimin e korrupsionit, në mënyrë që të mos lejohet thyerja e hallkës në ciklin e luftës anti-korrupsion. Gjithashtu duhet të ngriten kapacitetet e sistemit të drejtësisë në luftimin e korrupsionit, veçanërsisht këtu duhet të theksohet nevoja për një mekanizëm të brendshëm të kontrollit i cili duhet të jetë i pavarur. Së bashku me këto masa, duhet edhe që t’iu ipet më shumë fuqi institucioneve të cilat parandalojnë apo luftojnë korrupsionit, qofshin këto institucione apo iniciativa nga shoqëria civile.

Nëse të gjithë këta akterë të lartpërmendur, nuk ndërmarrin masa serioze në lidhje me trajtimin e korrupsionit, jo vetëm që do të vuajë vendi në drejtim të stabilitetit politik dhe financiar, por sidomos qytetarët e rëndomtë të Kosovës do të goditen më së shumti nga efektet anësore të tij.

Mbi të gjitha, është vullneti politik institucional i cili është vendimtar në këtë cikël. Nëse institucionet nuk bëhen pjesë e zgjidhjes, atëherë ato do të mbeten vetë problemi.

 

Bibliografia

Kosova Democratic Institute. (2015). National Integrity Asessment – Kosovo.

Transparency International. (2015). Corruption Perceptions Index 2015.

UNDP Kosovo. (2016). Kosovo Human Development Report 2016.

 

 

 

Skenimi i korrupsionit 2016

Prishtinë 8 nëntor 2016 – Lëvizja FOL publikoi hulumtimin “Skenimi i korrupsionit 2016”. Hulumtimi ka pasur si qëllim identifikimin e problemeve kryesore në vend sipas qytetarëve të Kosovës, perceptimin në lidhje me nivelin e korrupsionit në vend, me shërbimet publike si shëndetësia, arsimi, si dhe përvojat e tyre me Prokuroritë, Gjykatat dhe Policinë e Kosovës.

Skenimi i korrupsionit 2016

Skenimi i korrupsionit 2016 Download

TRAJNIM – KUNDËR KORRUPSIONIT

Lëvizja FOL në bashkëpunim me Ambasadën Holandeze në Prishtinë dhe UNDP janë duke implementuar projektin “Qendra për Edukim dhe Antikorrupsion” (AEC). Projekti synon të ofrojë një hapësirë studimi dhe mësimi për të rinjtë e interesuar për vetë-edukim në luftimin e korrupsionit dhe për t’u bërë agjent të ndryshimit.

Ftohen studentët e Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Politike të aplikojnë për tajnim dy ditor në Qendrën për Edukim dhe Antikorrupsion në Lëvizjen FOL.

FOKUSI I TRAJNIMI

Çka është korrupsioni?

Roli i prokurorit në luftimin e korrupsionit dhe roli i mediave dhe shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit. Përcaktimi i veprave të korrupsionit sipas ligjeve në fuqi në Kosovë. Mekanizmat përgjegjës për luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Fillimi i hetimit (Fillimi i çështjes). Grumbullimi i dokumenteve – provave mbështetëse
Strategjitë – planet e hetimit, teknikat hetimore.
Hetimet financiare -Gjurmimi i pasurisë së fituar me vepër penale

TRAJNER:
z. Admir Shala – Prokuror Special

Detaje:
Trajnimi do të mbahet me datat 24 dhe 25 Qershor, 2016
Afati i fundit për aplikim është 20.06.2016

Kriteret për Aplikim

Studentët nga Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Politike të moshës 19-26. Aplikantët duhet të plotsojnë formën e aplikimit ne ueb te Levizjes FOL.

Themelimi i Qendrës Kundër-Korrupsion u mundësua nga:

Ambasada e mbretërisë së Holandës në Kosovë:

logo-netherlands-embassy (1)

ndërsa ky aktivitet është përkrahur nga zyra e UNDP-së në Kosovë.

UNDP

FOL Hapur me kryetarin e komunës së Vitisë z. Sokol Haliti

IMG_7297Kabash, 27 Prill 2016 – Lëvizja FOL me përkrahjen e Charles Stewart Mott Foundation, ka mbajtur debatin e radhës në formatin FOL Hapur me kryetarët e Komunave. Diskutimi i radhës është mbajtur sot në komunën e Vitisë në fshatin Kabash.
Petrit Zogaj, drejtori ekzekutiv i Lëvizjes FOL prezantoi të gjeturat e hulumtimit që FOL ka bërë gjatë kësaj periudhe për investimet kapitale që komuna e Vitisë ka bërë gjatë dy viteve të fundit, në katër fshatrat me numrin më të madh të banorëve të kësaj komune si dhe kërkesat e banorëve për investime. Sipas tij, pjesë e këtij hulumtimi kanë qenë katër fshatra: Beguncë, Kabash, Pozhoran dhe Smirë dhe se këto kërkesa do të dërgohen në komunë në mënyrë që të shihet mundësia e investimeve me rishikim të buxhetit gjatë vitit 2016 apo edhe vitin e ardhshëm.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti, shpalosi investimet e bëra nga komuna deri më tani dhe premtoj se me rishikimin e buxhetit por edhe me buxhetin e vitit të ardhshëm do të shikohen mundësitë për investime të reja në këtë fshat.

IMG_7417 (1) IMG_7468 IMG_7477 IMG_7484 IMG_7496 IMG_7414 (1) IMG_7492

U mbajtën fokus grupet rreth diskutimit për E-KOSOVA

Lëvizja FOL në bashkëpunim me Innovation Centre Kosova dhe Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit, për tre ditë radhazi mbajtën fokus grupe me përfaqësues të Qeverisë, Shoqërisë Civile dhe Medias në Kosovë.
Përgjatë këtyre tre ditëve u prezentua koncept dizajni i platformës E-KOSOVA i paraparë si veprimi i parë në Planin Nacional të Veprimit për anëtarësim në OGP 2014-2016. Diskutime të shumta dhe rekomandime të vlefshme u dhanë në këto tre fokus grupe.
Të gjitha këto do të integrohen në koncept dizajnin përfundimtar i cili do të prezentohet të enjtën – me datë 14 Prill prej orës 11.
Këto fokus grupe dhe kjo konferencë bëhen të mundura falë mbështetjes së Ambasadës Britaneze në Kosovë.

FTESË PËR OFERTË

Shkarko këtu

Lëvizja FOL fton kompanitë për shërbime profesionale të paraqesin ofertat e tyre për:
REALIZIM TË PYETËSORIT ME 1000 ME ZYRTARË PUBLIK DHE SHËRBYES CIVIL NË TË GJITHA KOMUNAT E KOSOVËS.

Nisë puna në dizajnin e konceptit të portalit e-KOSOVA

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit ka nisur punën në dizajnin e konceptit të portalit shtetëror e-Kosova. Këtë projekt është duke e mbështetur OJQ Lëvizja FOL ne bashkepunim me Innovation Centre of Kosovo.

Takimi i fundit është mbajtur në zyrat e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, ku është diskutuar mbi hapat e nevojshëm e të përbashkët që duhet ndërmarrë në lidhje me dizajnin e këtij koncepti.

Këto takime dhe kjo nismë është bërë e mundur falë mbështetjes financiare të Ambasadës Britanike në Kosovë.

Qendrën e Edukimit Anti-Korrupsion e vizituan studentët nga Programi Europian për të Drejtat e Njeriut

21 Janar 2016, Qendrën e Edukimit Anti-Korrupsion të FOL-it sot e vizituan rreth 20 studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët janë duke kryer studimet e Magjistraturës në programin europian për të drejtat e njeriut dhe demokraci – në Venedik dhe Vjenë.

Këshilltarja Ligjore e FOL – Furtuna Sheremeti, u prezantoi punën e FOL-it dhe veçanërisht rolin e Qendrës së Edukimit Kundër – Korrupsion, e para e llojit të tillë në Kosovë.

Gjatë këtij takimi studentët u njohën më afër me hapësirat dhe mundësitë që ofron kjo qendër si dhe qëllimin e krijimit të saj. Përndryshe QEAK, ofronë materiale edukative në fushën antikorrupsion dhe është e hapur për të gjithë të interesuarit të cilët dëshirojnë ti avancojnë studimet dhe njohuritë e tyre në këtë fushë.

[av_masonry_gallery ids=’7356,7372,7369,7368,7363,7371,7370,7367,7358,7366,7364′ items=’24’ columns=’flexible’ paginate=’pagination’ size=’flex’ gap=’large’ overlay_fx=’active’ caption_elements=’none’ caption_display=’always’ container_links=’active’ id=”]

Qeveria Mustafa sot bëri një vit, deri në fund të shtatorit zbatoi vetëm 53% të Planit Vjetor të Punës për 2015

Prishtinë, 09 dhjetor 2015 – Qeveria e koalicionit PDK-LDK sot bëri një vit prej që është mandatuar nga Kuvendi i Kosovës për të qeverisur me vendin. Si rrjedhojë, Qeveria e Kryeministrit Mustafa në fillim të këtij viti shpalosi një program katër-vjeçar, e bashkë me të edhe Planin Vjetor të Punës për vitin 2015. Lëvizja FOL, prej Janarit të këtij viti ka monitoruar këtë plan vjeçar të Qeverisë Mustafa në të gjitha objektivat, veprimet dhe vendimet e parapara për gjatë gjithë vitit. Përmes ndërtimit të platformës IsaMetri (http://matesi.levizjafol.org) FOL ka ndjekur hap pas hapi realizimin e qëllimeve të Qeverisë në baza mujore dhe tre-mujore. Për periudhën janar-shtator 2015, të gjeturat e monitorimit të 20 institucioneve tregojnë se nga 348 aktivitete/objektiva sa kanë qenë të parapara për periudhën janar-shtator 2015, janë realizuar 183 apo shprehur në përqindje 53%, ndërsa 165 kanë mbetur të papërfunduara në afatin e përcaktuar kohor apo shprehur në përqindje 47%.

Duhet theksuar se kjo fazë ka mbuluar monitorimin kuantitativ të performancës nëntë mujore të Qeverisë Mustafa – Thaçi, ndërkaq monitorimi kualitativ i përmbushjes së këtyre objektivave do të prezantohet në fazën e dytë.
Zyra e Kryeministrit – nga 44 objektiva të planifikuara gjatë kësaj periudhe, ka përfunduar 19 prej tyre ndërsa 25 kanë mbetur të pa përfunduara.
Ministria e Diasporës – në nëntë mujorin e parë ka paraparë të përfundojë 22 aktivitete, ka përfunduar 16, ndërkaq kanë mbetur të pa përfunduara 6 aktivitete.
Ministria e Drejtësisë – gjatë kësaj periudhe ka paraparë të përfundojë 40 aktivitete, ka përfunduar 24 prej tyre ndërsa 16 kanë mbetur të pa përfunduara.
Ministria e Financave – ka përfunduar 19 aktivitetet e parapara gjatë kësaj periudhe.
Ministria e Integrimit Evropian – për periudhën janar-shtator kjo ministri ka planifikuar 13 aktivitete, ka përfunduar 12 në afatin e paraparë dhe 1 ka mbetur i pa përfunduar.
Ministria e Punëve të Brendshme – në periudhën nëntë mujore ka planifikuar 31 aktivitete ku ka përfunduar 16, ndërkaq kanë mbetur të pa përfunduara 15.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik – nga 15 aktivitete të planifikuara në planin një vjeçar, ka përfunduar 6, ndërsa kanë mbetur të pa përfunduara 9 nga to.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – ka planifikuar 10 aktivitete, janë përfunduar 4 ndërsa 6 kanë mbetur të pa përfunduara.
Ministria për Kthim dhe Komunitete – për periudhën janar-shtator të vitit 2015, ka paraparë të përfundojë 12 aktivitete nga të cilat ka përfunduar 4, të pa përfunduara kanë mbetur 8 nga to.
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë – nga 21 aktivitete të parapara për nëntë mujorin e parë, ka përfunduar 15 ndërsa kanë mbetur të pa përfunduara 6 aktivitete.
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – në nëntë mujorin e parë ka paraparë të realizoj vetëm 4 aktivitete, të cilat janë përfunduar në afatin e paraparë.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – në nëntë mujorin e parë ka planifikuar të përfundojë 12 aktivitete, ku 8 nga to i ka përfunduar në kohë, ndërkaq 4 kanë mbetur të papërfunduara.
Ministria e Forcës së Sigurisë – në nëntë mujorin e parë ka paraparë të përfundojë 2 aktivitete, 1 është përfunduar në afatin e paraparë, 1 ka mbetur i pa përfunduar.
Ministria e Shëndetësisë – në periudhën e parë nëntë mujore ka paraparë të përfundojë 23 aktivitete, ka përfunduar 8 dhe 15 kanë mbetur të pa përfunduara.
Ministria e Infrastrukturës – për periudhën janar-shtator ka planifikuar të përfundojë 9 aktivitete, ka përfunduar 5 dhe kanë mbetur të pa përfunduara 4.
Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë – ka planifikuar të përfundojë 7 aktivitete, janë përfunduar 2 ndërsa 5 kanë mbetur të pa përfunduara.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – ka planifikuar të përfundojë 11 aktivitete, prej të cilave 8 aktivitete janë realizuar dhe 3 kanë mbetur e papërfunduara.
Ministria e Administratës Publike – gjatë kësaj periudhe ka paraparë të përfundojë 32 aktivitete, ku 6 janë përfunduar, 12 kanë mbetur të pa përfunduara. Ndërkaq për 14 aktivitete të caktuara s’kemi marrë përgjigje.
Ministria Administrimit te Pushtetit Lokal – nga 13 aktivitete të planifikuara, 3 janë përfunduar, 1 ka mbetur i papërfunduar, ndërkaq për 9 të tjera s’kemi marrë përgjigje.
Ministria e Punëve te Jashtme – për nëntë mujorin e parë ka planifikuar të përfundoj 8 aktivitete, nga të cilat ka përfunduar 3, 1 ka mbetur i pa përfunduar, për 4 nga to s’kemi marrë përgjigje.
Ministria e Financave – është treguar më efikasja sa i përket zbatimit të planit, e cila ka përfunduar të gjitha objektivat e caktuara në planin një vjeçar të Qeverisë për vitin 2015.
Zyra e Kryeministrit – ka shënuar performancë të dobët në zbatimin e Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2015, ku nga 44 veprime të planifikuara ka përfunduar vetëm 19, ndërsa 25 kanë mbetur të pa përfunduara.

Për më shumë rreth Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2015, gjeni linkun e platformës online “IsaMetri”, ku mund të gjeni më shumë detaje nga veprimet e secilës Ministri;
http://matesi.levizjafol.org/

Lëvizja FOL vazhdon fushatën avokuese për zbatimin e Planit Nacional të Veprimit 2014-2016 në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur – PQH

Prishtinë, 06 nëntor 2015. Lëvizja FOL ka vazhduar aktivitetet e saja avokuese që të zbatohet Plani Nacional i Veprimit 2014-2016 i Republikës së Kosovës në kuadër Partneritetit për Qeverisje të Hapur – PQH
Në këtë kuadër sot përfaqësues të Lëvizjes FOL kanë realizuar takim me zyrtarë të Departamentit për Performancë dhe Transparencë Komunale në kuadër të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Temë e këtij takimi ka qenë që diskutimi rreth modaliteteve se si Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bazë të Planit Nacional të Veprimit të Republikës së Kosovës 2014-2016 në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur – PQH, të zbatojë së bashku me komunat e Kosovës veprimin 21 të këtij Plani. Ky veprim ka të bëjë me vlerësimin e transparencës së Komunave dhe inkuadrimin e këtij vlerësimi si kapitull të veçantë në Raportin Vjetor për Funksionimin e Komunave të Republikës së Kosovës.

Udhëheqës i Departamentit z. Avni Sahiti tha se Departamenti për Performancë dhe Transparencë Komunale në kuadër të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal është fazën përfundimtare të përgatitjes së indikatorëve për matjen e transparencës së komunave duke u zotuar se në këtë proces duhet të ketë përfshirje të vet komunave dhe shoqërisë civile gjithashtu.

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL tha se në bazë të vendimit të 09 korrikut 2013 të Qeverisë së Kosovës (Vendimi Nr. 08/139), Lëvizja FOL ka marrë iniciativën dhe me mbështetjen e Qeverisë Britanike përmes Ambasadës së saj në Kosovë për ta zhvilluar Draft Metodologjinë e Matjes së Transparencës në Nivelin Komunal. Ky draft i metodologjisë është i bazuar në ligjet dhe dokumentet tjera të aplikueshëm në Kosovë siç janë Kushtetuta e Kosovës, Ligji për Qasje në Dokumente Publike, Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Rregulloret Komunale të Transparencës.
Të dy palët u zotuan që deri në fillim të vitit të ardhshëm të koordinohen të gjitha aktivitetet në mënyrë që të përmbyllet procesi i përgatitjes së indikatorëve për matjen e transparencës së komunave dhe të vazhdohet pastaj me monitorimin e zbatimit të këtyre indikatorëve nga ana e komunave të Kosovës, përkatësisht zbatimin e veprimit 21 Planit Nacional të Veprimit të Republikës së Kosovës 2014-2016 në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur – PQH.

FOL Hapur me Kryeministrin e Republikes se Shqiperise z. Edi Rama

Prishtinë, 26 dhjetor 2014, Forumi FOL me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama

Me poshte gjeni transkriptin e Forumit te FOL-it, te cilin e ka pergatit stafi i kryeministrise, Transkripten e kryeministrise per kete event mund ta gjeni në këtë link http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme/te-pergjegjshem-per-momentin-historik-te-shqiptareve1419615441 

Miq të nderuar!

I jam shumë falenderues organizatorëve, sepse zakonisht nuk ndodh që në vajtje-ardhjet e njerëzve të politikës mes Shqipërisë dhe Kosovës të përfshihen dhe takime të hapura publike të kësaj natyre. I besojmë më shumë se ç’është e mundur shkëmbimeve në nivelin politik dhe pasqyrimit të tyre në media, çka mendoj se nuk e mbush dot boshllëkun e mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë në nivele të tjera të mjedisit publik. Madje, bindja ime është se edhe brendapërbrenda vendit, – flas të paktën për Shqipërinë, – ndërveprimi ynë me publikun vuan nga njëanshmëria, vendos nën diktatin e axhendës sonë politike, e cila duke u mediatizuar krijon përshtypjen e gabuar se ndërveprimi ndodh në mënyrë cilësore.

Këto ditë në Tiranë jemi duke diskutuar me Ministren e Arsimit për sesi mund të çelim një rrugë të re ndërveprimi mes nesh dhe shoqërisë, si mund ta bëjmë më të vlefshëm rolin tonë në procesin e ndërveprimit me njerëzit dhe si mund të krijojmë vlerë të shtuar, me përfitim reciprok, nga ky ndërveprim. Për momentin po diskutojmë dy ide. Njëra është marrja nga çdo ministër e një gjimnazi në kujdestari, për të ndërvepruar me nxënësit në realizimin e projektit tonë inovativ “Shkolla si qendër komunitare” dhe tjetra, çelja e auditoriumeve të Universitetit për dialogun me njerëzit e politikës, pa dallim.

Tema e këtij dialogu për të cilin më keni ftuar, e shkruar: “Ku jemi ne shqiptarët sot dhe cila është ardhmëria jonë” është në thelb, edhe shtysa për çka sapo ju tregova lidhur me zgjerimin e hapësirës së ndërveprimit të politikës me shkollat dhe me universitetet. Kërkimi i sensit të ardhmërisë sonë nuk është një ushtrim profetik, apo një përsiatje për të zbuluar të ardhmen si në një filxhan kafeje. Unë e kuptoj këtë kërkim si një përpjekje të pareshtur për t’i dhënë një sens ardhmërie ndërveprimit në çdo nivel.

Ambicia ime është që ta përdor sa më shumë dhe sa më mirë forcën e mandatit që kam privilegjin të kem për periudhën e kohëzgjatjes së tij dhe mundësinë e posaçme të qeverisë për të krijuar dhe nxitur ndërveprime cilësore në nivele të ndryshme të shoqërisë. Kjo vlen për një gjimnaz në Tiranë, për një bashkësi fermerësh në Lushnje, për një universitet në Shkodër apo për një komunitet banorësh në Korçë, por kjo vlen po aq si me realitete të veçantë shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, si me tërësinë e ndërveprimit tonë në rrafshin kombëtar. Dhe m’u ashtu siç vlen po njëlloj, si nocion dhe si ushqim për ndërveprim që nga niveli më i ulët organizativ dhe deri në rrafshin më të gjerë kombëtar. Sensi i ardhmërisë sonë, fatkeqësisht, as është vlerësuar si nevojë për reflektim serioz në lidhje me cilësinë e ndërveprimeve tona dhe as ka prodhuar bashkëveprimet që do të lypseshin për të fituar kohën e madhe që kemi humbur, ca nga koprracia e historisë së deridjeshme në raport me ne dhe ca nga papërgjegjësia jonë në raport me ardhmërinë tonë.

Nuk dua të provokoj asnjë njeri dhe asnjë polemikë të kotë, por duket se sot, kur trendi historik për shqiptarët ka ndërruar dhe ka ndërruar edhe vetë pozicioni i shqiptarëve në rajon, nuk është se ka ndërruar po ashtu, raporti ynë me ardhmërinë tonë, si vetëdije për përgjegjësinë historike, e kam fjalën. Nuk duket se jemi më të vetëdijshëm, të paktën në nivelin e klasës politike shqiptare, por edhe në nivelin e protagonizmit institucional dhe publik ndodh e njëjta gjë, me përjashtime që më duket se e përforcojnë rregullin. E për pasojë nuk ka sesi të duket një rritje e ndjeshme e përgjegjësisë sonë në raport me të ardhmen, në të gjitha nivelet e organizimit tonë shoqëror, përfshirë edhe organizimin tonë në dy shtete të ndryshme.

Mirëpo ky është momenti ynë, është momenti për ta ndërruar çdo nivel, politik apo shoqëror dhe për ta ngritur në një shkallë të re përgjegjësinë tonë ndaj ardhmërisë. Ndjesia ime e fortë është se terreni është i mbarsur me një potencial të jashtëzakonshëm ndryshimi. E vërteta është se ne flasim, madje flasim shumë, për virtytet tona dhe ky është në fakt, vesi ynë më i madh. E kemi parë dhe e shohim thuajse përditë se në çfarë mase të ekzagjeruar, virtytet përdoren si justifikim për qëndrime dhe për veprime të pavirtytshme, posaçërisht në nivelin politik. Ashtu siç kemi parë sa shpesh, interesat apo temat e mëdha kombëtare marrin formën e kokës së strucit, të fshehur në rërë, duke lënë jashtë në formë plotësisht të dukshme trupin e madh të të pavërtetave apo të vërtetave krejt të tjera.

Kjo kohë e re po sjell vazhdimisht, dy lajme për shqiptarët. Një lajm shumë të mirë dhe një lajm të keq, që mund të bëhet shumë i keq. Lajmi i mirë është se shqiptarët, asnjëherë në historinë e tyre nuk kanë qenë ndërkombëtarisht aq të respektuar sa ç’janë sot. Zhvillimet, e të paktën 15 viteve të fundit në trevat tona, i kanë nxjerrë shqiptarët në një dritë të re, krejt të re, në marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare. Ky është një fakt historikisht domethënës. Është një nga ato fakte që mbeten si pika të ndezura në rrugën e historisë, edhe kur kanë kaluar 500 vjet. Por, është po kaq e vërtetë që kur jemi bashkëkohës të një fakti të tillë kaq madhështor, jemi rëndom në rrezik që ta humbim apo ta nënçmojmë pamjen e vlerës së faktit në fjalë. Është një fakt historikisht domethënës, pavarësisht përpëlitjeve të mëdha në Shqipëri ku ende sot, shkëputja prej armiqësisë leniniste ndaj kundërshtarit politik nuk ka ndodhur; pavarësisht përpëlitjeve të vazhdueshme në Kosovë ku pas pavarësisë janë shfaqur të njëjtat simptoma të brishtësisë demokratike njësoj si në Shqipëri, edhe pse shfaqjet e brishtësisë mund të jenë nganjëherë të ndryshme; pavarësisht përpëlitjeve mes shqiptarëve në Maqedoni ku arritja historike e “Marrëveshjes së Ohrit” nuk e ka penguar përvijimin e vazhdueshëm të një përçarjeje politike penguese për vetë jetësimin deri në fund të asaj Marrëveshjeje kyçe për integritetin territorial dhe për qëndrueshmërinë demokratike të Maqedonisë, përveçse për zhvillimin e qëndrueshëm dhe cilësor të jetës politike dhe ekonomike të vetë shqiptarëve. Mbase shqiptarët e Luginës së Preshevës janë më të justifikuarit ndër të gjithë ne, për të njëjtat simptoma dobësie demokratike që shfaqen edhe në organizimin politik dhe demokratik të bashkëjetesës mes tyre, por, prapëseprapë, prapambetja përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në raport me shqiptarët si komb, në të gjitha hapësirat ku ne jetojmë dhe në raport me bazën qytetare që garanton përfaqësimi politik, është fakt, edhe atje.

Unë hyj ndër ata që tek ky momentum shqiptar në Ballkan perceptoj një potencial, të panjohur më parë, zhvillimi demokratik, politik dhe ekonomik dhe po aq, një rrezik shumë të madh humbjeje të këtij momentumi, pa arritur ta shfrytëzojmë këtë potencial që e kemi në dorë, por jo përgjithmonë dhe jo domosdoshmërish të përsëritshëm të paktën në 50 vitet e ardhshme. Një potencial, të cilin, fuqia deformuese e traditës sonë të mjerë politike dhe inercisë tonë të prapambetjes në funksionimin e shtetit mund ta bjerrin dhe ta tresin krejt, pa na lejuar të marrim nga ky momentum rezultatet e një kapërcimi epokal në funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë së shqiptarëve.

Po njësoj mendoj që është i madh potenciali që mbart paqja e arritur në Ballkan, por dhe rreziku që e kërcënon atë. Dhe këtu nuk varet më vetëm prej nesh, ajo çka mund të vijë si kapërcim epokal për krejt rajonin, në funksionimin e shtetit dhe të ekonomisë, ose si një tjetër kthim tragjik pas në një konfliktualitet të ri ndërballkanik të cilin larg qoftë që ta përjashtojmë qoftë edhe teorikisht, në kushtet kur jemi në një ndërveprim me një Bashkim Europian të mbërthyer prej frikës nga vetvetja.

Nëse do të përpiqeshim ta shikonim pak më në detaje tablonë që përgjithësisht paraqitet e kënaqshme përsa u takon dritës së re nën të cilën gjendet sot kombi shqiptar, nën të cilën gjenden sot shqiptarët, nuk besoj se do kishim ndonjë diskutim të gjatë për konstatimin e përgjithshëm të gjendjes pozitive, nëse të njëjtën tablo do ta krahasonim me atë të 15 viteve më parë.

15 vjet më parë, Shqipëria nuk ishte as në NATO dhe as në radhët e vendeve kandidate për në Bashkimin Europian.

15 vjet më parë, pavarësia e Kosovës ishte një projekt i izoluar brenda bërthamës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

15 vjet më parë Marrëveshja e Ohrit nuk ekzistonte, ndërsa gjendja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ishte shumë më e vajmedetshme sesa sot. Madje, 15 vjet më parë edhe vetë situata e shqiptarëve në Malin e Zi nuk ishte kjo që është sot.

Megjithatë, nëse do të hyjmë më në detaje, do të shohim se përtej tablosë së përgjithshme pozitive, janë qartësisht të lexueshëm të gjitha rreziqet që na vijnë nga riprodhimi i një inercie, me të cilën jemi mësuar, por e cila mund të na sjellë në humbjen po kaq historike të këtij momentumi për shqiptarët.

Nëse i referohemi Shqipërisë dhe shohim disa nga detajet, e shohim qartë se përveç dobësisë së përgjithshme fiziologjike të një klase politike, që si në Shqipëri, si në Kosovë, si në Maqedoni apo edhe në trevat e tjera më të vogla ka një kapacitet të ulët reflektimi dhe lidershipi, janë një sërë elementësh të tjerë që të bëjnë të mendosh se duhet nxituar për të mos e humbur momentin e madh, që historia dhe rrethanat kanë sjellë për shqiptarët. Mjafton t’ju sjell në vëmendje se sot ne jemi në një betejë unikale për Europën dhe të ngjashme vetëm me vende që janë shumë larg Europës për të rikthyer shtetin dhe ligjshmërinë në raportet e individit me shtetin, duke filluar që nga pagesa e faturave të energjisë elektrike, për të vazhduar më tutje me domosdoshmërinë e një rikonstruksioni të plotë organizativ të shtetit, gjë që e kemi adresuar përmes reformës Territoriale – Administrative, duke reduktuar në mënyrë drastike numrin e njësive të administrimit vendor, për të cilat shqiptarët e Shqipërisë duhet të paguajnë dhe prej të cilave shqiptarët e Shqipërisë duhet ta marrin shërbime më cilësore. Duke vazhduar te arsimi, ku kemi të njëjtën situatë rrëmuje në paligjshmëri dhe të njëjtën situatë prej piramide iluzionesh se jeta mund të vazhdojë normalisht edhe pa paguar energjinë, edhe pa riorganizuar shtetin, edhe pa pasur integritet në procesin e edukimit, edhe pa dekriminalizuar Policinë e Shtetit, e kështu me radhë.

Ndërkohë që duke kaluar te Kosova, besoj se së fundi edhe ju e patët mundësinë të jetoni me atë çka në Shqipëri, fatkeqësisht, është bërë shprehja më kuptimplotë e mjerimit politik për vite të tëra, bllokimin e jetës institucionale për shkak mosmarrëveshjesh që shfaqen në formën e tematikës së madhe kombëtare, por që me të pak kanë të bëjnë. Shumë më tepër kanë të bëjnë me interesa përfaqësuesish të bazës qytetare që rëndom jetojnë të shkëputur nga baza qytetare.

E njëjta gjë mund të shihet në Maqedoni, ku ne kemi një problem në raport me sinkronizimin e përpjekjeve për jetësimin sa më të shpejtë dhe sa më të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkohë që Qeveria shqiptare ka arritur ta përfshijë Marrëveshjen e Ohrit edhe në axhendën e NATO-s, në funksion të kërkesë së Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO, si një kusht të domosdoshëm për t’u plotësuar, partitë shqiptare në Maqedoni duket se rëndom harrojnë kryesoren, për t’u marrë me dytësore apo tretësoren dhe për t’u gjendur vazhdimisht në kushtet e riprodhimit të një dasie që pak ka të bëjë me nevojat dhe interesat e bazës qytetare të shqiptarëve atje.

Ka një përparim dhe unë jam shumë i kënaqur që ta nënvizoj këtë këtu, në këtë instancë të debatit, në raportet mes Qeverisë së Beogradit dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për herë të parë Qeveria e Beogradit do të dedikojë një fond për ndërtimin e një universiteti në Bujanovc. Dhe, për herë të parë, problematika shumëvjeçare dhe asnjëherë e adresuar me dinjitet nga Beogradi e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, do të vazhdojë të adresohet jo vetëm si propagandë, por edhe si një zinxhir veprimesh konkrete për përmirësimin e cilësisë së jetës në Luginë, ku për fat të mirë ka edhe një shenjë tjetër pozitive të një koordinimi më të mirë të faktorëve përfaqësues në kuadrin e Këshillit Konsultativ, të krijuar së fundmi, enkas për Luginën.

Në fund fare, gjithë kjo tablo që mund të detajohet në pafundësi dhe mund të mbushet me plotë detaje shqetësuese që nuk konvergojnë me pamjen e madhe të tablosë, në momentin fantastik të shqiptarëve në raport me historinë e tyre, ka domosdoshmërinë e një kuptimi të drejtë, të thellë, por mbi të gjitha vizionar, të marrëdhënieve me Serbinë. Është me një rëndësi themelore që ne të gjithë sëbashku ta kuptojmë pa ekuivok se në ardhjen e këtij momenti ka ndikuar posaçërisht një element thelbësor që ka kthyer pak nga pak dhe pastaj me vrull, në mbështetje të shqiptarëve dhe në radhë të parë, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës gjithë faktorin ndërkombëtar. Ky element është se shqiptarët në asnjë moment nuk janë shfaqur në kërkim të asaj që nuk u takon dhe në asnjë moment nuk e kanë ndërtuar rrëfimin e tyre si një nevojë për të qenë superiorë ndaj të tjerëve, por thjeshtë dhe vetëm si një nevojë për liritë e tyre dhe për vetëvendosjen e tyre. E në këtë aspekt, ne nuk duam të biem në kurthin e nacionalizmave dhe të një folklori nacionalist që vetëm mund të na dëmtojë në rrugëtimin tonë drejt bashkimit kombëtar në suazën e Bashkimit të madh Europian, duke kuptuar se koha e re nuk ka sjellë vetëm për ne, por ka sjellë për të gjithë botën qasje dhe kuptime të reja të vetë përpjekjeve në rrafshin e identitetit kombëtar dhe në rrafshin e mirëqenies kombëtare.

Sigurisht që, gjatë bashkëbisedimit do të kemi mundësi që t’i prekim këto tema ndoshta më konkretisht dhe ta bëjmë më të këndshëm këtë takim të fundvitit që do të më lejoni t’ju them, jam shumë i lumtur që ndodh. Ju jam edhe shumë mirënjohës organizatorëve, sepse nuk kishte mënyrë më të bukur për mua sesa të ndodhesha këtu përpara Vitit të Ri, për t’i uruar të gjithë shqiptarëve të Kosovës, pa dallim, Gëzuar Vitin e Ri, 2015!

Një vit që jam shpresëplotë se do ta hapim, më në fund, me mbledhjen e kthimit të të dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për të parë se ku jemi me dosjet e bashkimit të rrugëve tona drejt të ardhmes dhe për të punuar me shumë më tepër vetëdije dhe cilësi, në mënyrë që ky moment i madh të mos na iki pa i marrë maksimumin. Në mënyrë që së bashku të jemi jo vetëm faktorë nxitës për çuarjen përpara të procesit të paqes në rajon, por edhe të jemi faktor me autoritet dhe të respektuar, për ta bërë Bashkimin Europian që të kthejë plotësisht kokën nga ne, si shqiptarë dhe si rajon, dhe të ndahet një orë e më parë nga frika e madhe që e ka mbërthyer dhe që shprehet në formën e lodhjes nga zgjerimi, siç e thonë ata, pa e kuptuar dot akoma dhe duhet t’i ndihmojmë që ta kuptojnë, se në Ballkan, ne kërcënohemi nga lodhja dhe nga durimi.

Ne shqiptarët e dimë, ndoshta më mirë se kushdo tjetër, se çdo të thotë kur ballkanasit lodhen nga durimi. Atëherë s’ka më bashkësi ndërkombëtare që i fut prapë në vath për të bashkëjetuar me njëri-tjetrin, si “dele” të urta.

Shumë faleminderit!

***

Zoti Rama ju folët për potencialin e madh të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Për mendimin tim ky bashkëpunim është rrezikuar shumë edhe për shkak të një droje që kemi pasur për një bashkëpunim direkt mes nesh, se mos bashkëpunimi direkt do të mund të shihej si një hap drejt një paranoje që kanë ndërkombëtarët dhe shumë të tjerë. A mendoni se duhet ta thyejmë këtë tabu dhe ta diskutojmë bashkëpunimin dhe bashkimin për të cilin ju folët? Së dyti, kë keni partner të së majtës në Kosovë dhe si mund të bashkëpunojmë më drejtpërdrejtë, për të rritur ndikimin e së majtës në Kosovë?

Së pari, për sa më takon, besoj që qoftë unë personalisht, qoftë Qeveria që unë kam nderin të drejtoj, kanë bërë hapa të rëndësishëm dhe konkret, që do të duhej të ishin bërë vite më parë dhe mund të ishin bërë vite më parë. Askush nuk e ka penguar qeverinë e mëparshme që të bëjë hapat që ne kemi hedhur dhe që të çojë përpara një projekt të bashkimit të rrugëve tona, në funksion të rritjes së ndërveprimit dhe të mirëqenies së shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Ose, më saktë, e ka penguar pikërisht ajo që thashë më parë në fjalën time, çka pengon shumëkënd në mjedisin e shqiptarëve që është qasja ndaj temës së madhe kombëtare, me mjetet e vjetra të nacionalizmit ballkanik. Mjete që nuk i duhen dreqit, jo më shqiptarëve sot, për hir të së vërtetës. Mjete, që vetëm na ekspozojnë shumë keq në sytë e të tjerëve dhe jo në kuptimin e ekspozimit të një fshehte, por në kuptimin e ekspozimit të një prapambetje dhe një primitivizmi që, me thënë të drejtën, gjenerata e re e shqiptarëve nuk e meriton.

Së dyti, unë besoj që ne i kemi të gjitha mundësitë që ta çojmë me shpejtësi përpara axhendën e bashkimit të rrugëve dhe të forcave tona, në radhë të parë si shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke vepruar me shpejtësi aty ku në fakt qëndron edhe një prej problemeve tona më të mëdha, edhe brena përbrenda shtetit, që është në ndërveprimin institucional. Në fund të muajit janar, Qeveria e Shqipërisë do të paraqesë një raport publik lidhur me ecurinë e këtij bashkëpunimi strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, bazuar në një analizë të asaj çka është bërë deti tash. Shoqëruar me një sërë propozimesh të reja, që besoj se do t’i vlejnë intensifikimit të këtij bashkëpunimi.

Ndërsa për sa i përket marrëdhënieve mes sindikatave, unë personalisht nuk e shoh si ndonjë mangësi të madhe në Shqipëri që ne nuk kemi sindikata, me thënë të drejtën. Përkundrazi, më duket se duhet të shfrytëzojmë maksimalisht kohën që s’ka sindikata, për të bërë çfarë kemi për të bërë, përpara se të na vijnë edhe sindikatat, si parti më vete dhe të na krijojnë ato problemet që e kanë për detyrë dhe për profesion të krijojnë. Ndërkohë që në Kosovë nuk e di sesi qëndron raporti me sindikatat, por di vetëm kaq; ju takon juve të jeni avangardë e këtyre bashkëpunimeve, në nivelet e tjera të shoqërisë, sepse nëse politika ose njerëzit e politikës mund të kenë ngurrimet e tyre për interesa të caktuara, shoqëria në të dyja anët nuk ka pse nguron për të çuar përpara një ndërveprim që rrit cilësinë e bashkëjetesës mes nesh.

Ndërsa për sa i përket asaj që tha Valoni, përgjithësisht bie dakord, por jo plotësisht. Nuk bie dakord tek ajo çka e bën gjithë procesin e ndërveprimit dhe të bashkimit real të rrugëve dhe të forcave, si të ishte një mbulesë për atë tjetrën. Se në fakt, koha e re na ka sjellë në pikën ku ajo tjetra është kjo në fakt dhe nuk ka, kjo edhe një tjetër pastaj. Bashkimi kombëtar, siç e kanë parafytyruar ata që e kanë lënë amanet një shekull më parë, apo më shumë se një shekull më parë, nuk është opsion. Ndërkohë që bashkimin kombëtar si një realitet për shqiptarët dhe si një riorganizim tërësor i bashkëjetesës së shqiptarëve, jo vetëm është opsion, por është e vetmja rrugë që kemi ne. Dhe kësaj nuk kemi pse as t’i trembemi, as t’i shmangemi kur flasim. Duhet të jemi shumë të qartë dhe shumë të hapur me të gjithë. Askush nuk ka pse trembet nga kjo. E të mos harrojmë që Shqipërinë e Madhe sot, nuk e përdorim ne, as në Shqipëri, as në Kosovës dhe askund, e përdorin ata që duan të na pengojnë. Sepse e treguar sipas fabulës së 100 apo 150 viteve më parë, ajo nuk funksionon, vetëm tremb dhe alienon ata që janë partnerët tanë strategjikë në rrugën e bashkimit kombëtar. Ndërkohë e tjetërsuar, jo në thelb por në gjithë formën e ndërtimit të tij si koncept, bashkimi kombëtar është këtu dhe bashkimi kombëtar ka ndodhur. Jemi ne që duhet ta transformojmë në një realitet tërësor ndërveprimi. Pa e parafytyruar domosdoshmërisht si një bashkim ku në fund fare do kemi një qeveri të vetme, se dhe kështu të ndarë duam 6 muaj të formojmë qeverinë. Llogarite sikur të shtoheshin edhe shqiptarët e Shqipërisë edhe ata me partitë e tyre, parafytyron se do rrinim pastaj 1 vit pa qeveri.

Në Kosovë aktualisht janë konkurrente 3 projekte të mëdha. Projekti i Ahtisarit, që e mbështet përgjithësisht elita politike, të gjitha qeveritë e Kosovës; projekti i Vetëvendosjes dhe Lëvizjes për Bashkim Kombëtar që është vazhdimësi e projektit të Rilindjes Kombëtare; projekti i tretë është projekti i disave prej nesh, konstruktivisht ose quajeni si të doni, që ne e shohim se kosovarët po ndërtojnë një komb të ri, të mbështetur në shumëetnicitet dhe vlerat civile. Ju personalisht nga cili projekt anoni dhe cili besoni se do të ketë gjasa më të mëdha?

Unë besoj që asnjëra nga këto nuk ka gjasa, sepse të tria janë bashkë, e njëjta gjë. Janë pjesë të së njëjtës gjë.

Rilindja kombëtare ndodhte në një kohë kur s’kishte internet, s’kishte telefon, s’kishte shërbim postar, ose më saktë, shërbimin postar e bënin si të mundeshin, njerëzit ose pëllumbat. Ndërkohë që, sot hapësira e ndërveprimit mes njerëzve në tërësi në botë është kaq e ndryshme nga ajo çka ishte në kohën e Rilindjes dhe ka një potencial kaq të jashtëzakonshëm saqë është e kotë ta diskutojmë, sepse jemi në kushtet kur kemi mjete të reja dhe kur format e ndërveprimit janë shumë e shumë herë më të ndryshme, por edhe shumë e shumë herë efektive, në rast se ne arrijmë t’i fusim ato në punë. E solla shembullin e mëparshëm në mënyrë vulgare, për t’ju bërë të gjithëve një ftesë që të shikojmë që e vetmja pengesë që ne kemi në rrugën për ta realizuar projektin ku të tre këta elementë ose të tre këto opsione që thatë ju janë pjesë, jemi ne vetë. Sepse njërit i duhet bashkimi kombëtar i Rilindjes Kombëtare për të pasur partinë e vetë dhe për të marrë votat e veta. Tjetrit i duhet ajo forma e shkrimtarëve për pasur partinë e vetë dhe për të marrë votat e veta. Tjetrit i duhet ajo forma e tretë për të pasur partinë e vetë dhe për të marrë votat e veta dhe për të futur njerëzit në një garë ku s’ka garë në fakt. Se për çfarë gare bëhet fjalë?!

Në këtë aspekt, sigurisht që të gjitha qasjet janë legjitime, por është e kotë që ne të bëjmë luftë me njëri tjetrin se kush e do më shumë bashkimin dhe kush do e bëjë më shpejtë bashkimin. Kjo është një luftë pa sens. Është luftë politike, nuk është përmbajtësore dhe nuk ka të bëjë me thelbin e përpjekjes së përbashkët dhe të nevojës që kanë shqiptarët e gjeneratës tjetër për t’u gjendur në kushtet e një kombi të bashkuar, pavarësisht se çfarë peshe dhe çfarë roli luajnë kufijtë. Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës sot, ne na mundëson gjithçka, përveçse të kemi një qeveri të përbashkët, por jua thashë edhe më përpara atë, më mirë që s’e kemi. Për të tjerat, çfarë na pengon kufiri ne?! Çfarë? Asgjë! Fare! Gjithçka e kemi të mundur. Sigurisht, që për ta bërë gjithçka të mundur duhet të ndërveprojmë dhe të krijojmë kushtet që gjithçka të bëhet e mundur. Sepse kemi filluar një punë, fjala vjen, për bashkimin e plotë doganor dhe ende nuk e kemi përfunduar. Ka pengesa të natyrës teknike, ka pengesa të natyrës burokratike, por ama nuk është se na pengon kush. Nuk është se kemi në qeveri forca që duan një lloj bashkimi tjetër dhe duhet të vijnë ca të tjerë që duan bashkimin ndryshe. Këto nuk kanë lidhje. Ne kemi vetëm një pengese në këtë proces, vetveten. S’na pengon askush tjetër.

Visar Ymeri, deputet VV: Mendoj që nga e gjithë kjo që u tha një gjë është evidente, e njohin të gjithë, që ekziston një kundërthënie midis këtyre 3 projekteve. Nuk mund të jemi për të 3-ja sepse ato të 3-ja janë pengesë për njëra – tjetrën. Nëse je për projektin Ahtisari nuk mund të jesh për një Kosovë e cila do të kushte mundësinë që në bazë të të drejtave për vetëvendosje t’i bashkohej Shqipërisë. Kjo mund të vendosej me vullnet popullor, me referendum. Çështja e dytë është që nuk mund të flasim për bashkim kombëtar pa sovranitet të plotë të Kosovës. Ne sot ballafaqohemi dhe vijojmë të ballafaqohemi, prej 15 vitesh, me një Kosovë e cila është e cunguar. Edhe pas pavarësisë, Kosova e pavarur nuk ka qenë kurrë. Edhe për shkak të ndërhyrjes së Serbisë në pjesë të caktuara të territorit edhe për shkak të formalizimit të kësaj ndërhyrje me këtë procesin e ri negociator. Dhe pa sovranizim dhe pa shkëputje të qartë të Kosovës nga Serbia, është e vështirë, thuajse e pamundur, që Kosova t’i afrohet Shqipërisë. Mendoj që të gjithë ata që e kundërshtojnë bashkimin kombëtar, të Kosovës me Shqipërinë, i druhen një lloj mundësie potenciali, i cili më shumë është i ushqyer nga fqinjët, veçanërisht nga Serbia, të prodhimit të një konflikti të ri. Rrezikimi i paqes, stabilitetit në Ballkan vazhdimisht kërkohet të mirëmbahet nga shqiptarët, në dëm dhe në kurriz të tyre. Kjo është një çështje që ne duhet ta kemi parasysh kur e analizojmë këtë çështje. Mendoj, edhe pas luftës në Kosovës dhe veçanërisht kohëve të fundit ka një mirëkuptim të pakuptimtë për qëndrimin e Serbisë karshi Kosovës. Në këtë drejtim shqiptarët duhet të jenë të qartë se ne nuk mund dhe nuk duhet në asnjë mënyrë ta mirëkuptojmë qëndrimin që ka Serbia karshi Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Këtë duhet t’ia kërkojmë edhe miqve tanë strategjik, sepse kjo kërkesë ka në thelb padrejtësinë karshi një populli të tërë. Sepse kërkesa bazohet në pushtimin e Kosovës dhe mbajtjen e saj nën Serbi, pa vullnet popullor. Dhe në anët tjetër, kjo kërkesë ka prodhuar disa tentim gjenocidi në Kosovë, siç e dimë në histori. Nuk mund të barazohet qëndrimi që kanë shqiptarët për Kosovën, me qëndrimin që ka Serbia për Kosovën, sepse këto janë dy projekte të ndryshme. Projekti shqiptar kërkon çlirim kombëtar nga Serbia, ndërsa tjetri është kërkesë hegjemoniste, imperialiste karshi Kosovës. Faleminderit!

Së pari, duke rishprehur vlerësimin tim dhe konsideratën time edhe për Lëvizjen që ju përfaqësoni, unë them që ka qenë një zhvillim shumë interesant pozitiv që Vetëvendosja ka kaluar nga pozicioni “s’ka dialog” tek pozicioni “Dialog me kushte”. Pra, është një spostim i rëndësishëm Vetëvendosjes në drejtimin e duhur. Është një vlerë e shtuar, mendoj unë, që edhe Vetëvendosja është pjesë tanimë e të gjithë opinionit të përbashkët që dialogu është e vetmja rrugë. Se si zhvillohet dialogu dhe çfarë modalitetesh duhet të kemi, është legjitime që të kemi edhe qëndrime të ndryshme për momente të caktuara të dialogut.

Nga ana tjetër, unë mendoj të kundërtën. Unë mendoj që Shqiptarët janë sot fitimtarët në rajon, në rast se bëjmë thjeshtë një kthim koke pas dhe shohim ku ishim 15 vjet përpara. Ne fituam pikërisht si një komb i prirur nga paqja dhe jo nga lufta. Si një komb që asnjëherë nuk u pa si kërcënim për kombet e tjera, por arriti më në fund të bindë botën demokratike se ishte një komb i privuar nga liria e tij dhe nga të drejtat e tij dhe si i tillë meritonte mbështetje. Momentin e parë kur shqiptarët këtë që kanë fituar do ta shohin si një platformë prej ku do të hidhen më tutje duke u kthyer në kërcënim, për këdo qoftë, aty është momenti kur shqiptarët do t’i humbin përsëri të gjitha. Të gjitha, në raport flas me reputacionin që është ndërtuar për shqiptarët nga shqiptarët dhe në bashkëpunim me miqtë dhe me partnerët e shqiptarëve në gjithë këto vite. Jo në raport me çka kemi fituar territorialisht. Sepse, Kosova sot jo vetëm që nuk është e kushtëzuar nga Serbia, jo vetëm që është e pavarur, por është në mjedisin e nevojshëm për t’u zhvilluar dhe sesa shkon përpara Kosova nuk e ka më në dorë Beogradi e ka në dorë lidershipi dhe klasa politike në Kosovë.

Për më tepër, le ta themi hapur, meqë këtu është “Fol hapur”, nuk ka serbë që ta kenë seriozisht kur thonë e duam Kosovën mbrapsht. Ata duhet ta thonë se kanë votat e veta për të marrë, por mos mendoni se e kanë seriozisht. Është një çështjeje e mbyllur kjo.

Ndërkohë që ne, si shqiptarë, të Shqipërisë por edhe të Kosovës na takon të sfidojmë veten tonë dhe të shkojmë më tutje. Ne duhet të kuptojmë që Serbia ka një potencial të jashtëzakonshëm strategjik për zhvillimin e këtij rajoni dhe për zhvillimin tonë, në rast se ne do të dimë ta vëmë në shfrytëzim atë potencial të jashtëzakonshëm strategjik. Natyra e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, mes shqiptarëve dhe serbëve do të përcaktojë në një masë të konsiderueshme natyrën e marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit, mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, Kosovës, sigurisht dhe Serbisë edhe të tjerë, por ne flasim për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët. Në këtë natyrë marrëdhëniesh ne duhet të sillemi si fitimtarë. E, fitimtarët nuk zbresin nga kali për ta shkelur me këmbë atë që kanë mundur, por shkojnë përpara, pa u shqetësuar më nëse shkon përpara edhe ai tjetri, madje duke e ndihmuar edhe tjetrin të shkojë përpara, në mënyrë që të mos ta kenë nga mbrapa kurrizit rrezik që t’ju pengojë kalin. Kështu mendoj unë se sillen fitimtarët.

Pjesëmarrja juaj në Samitin e Berlinit dhe shkëlqimi juaj personal në atë Samit, ka bërë që të ringjallet edhe shpresa e Kosovës që Shqipëria është në rrugë të drejtë, drejt Bashkimit Europian. Ky rrugëtim i Shqipërisë është tejet i rëndësishëm edhe për rrugëtimin tonë si shtet i ri. Ajo që na ka entuziazmuar të gjithëve, na frikëson se përkundër një retorike që e ka klasa politike shqiptare rreth rrugës për BE, nëse e shohim sistemin gjyqësor të Shqipërisë aq të korruptuar, ky është një gur shumë i rëndësishëm në trasimin e rrugës për në BE, na bën që vërtetë të jemi më shumë të frikësuar sesa të entuziazmit. Megjithatë, reforma në sistemin gjyqësor nuk është reformë që mund ta bëjë qeveria, sepse pushtetet i kemi të ndara. Megjithatë pa vullnet politik serioz, nuk ka mundësi të dliret gjyqësori nga gjithë ai korrupsion që e ka kapluar. A keni ju ndonjë platformë, sepse kjo është një platformë edhe për rrugëtimin e Shqipërisë ne BE.

Kjo është më e vështirë sesa pjesa që folëm deri tani. Ndaj edhe shpeshherë temat e mëdha të kombit dhe format nacionaliste të qasjes ndaj interesave të kombit janë rruga më e lehtë, sepse janë rruga për të shmangur këto që janë problemet reale. Sot ne shqiptarët, në Shqipëri, në Kosovë, sfidë kemi të ndërtojmë një shtet modern. E, një shtet modern pa barazi përpara ligjit dhe pa të drejta të garantuara në sistemin gjyqësor nuk mund të ketë.

Unë besoj që, nga ana tjetër, nuk mund të ketë drejtësi në gjykata në një vend që nuk qeveriset me drejtësi, në një vend ku qeveria nuk është e drejtë dhe gabimet i bën jo se niset të bëjë një padrejtësi, por se gabon. Në rast se ne do të arrijmë të konsolidojmë sensin e së drejtës në qeverisjen e vendit, ne do të kemi krijuar kushte shumë më të favorshme dhe për reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi është nga njëra anë një reformë legjislative, pra përmirësimesh apo përmbysjesh të ligjeve të vjetra në funksion të një legjislacioni të ri dhe ne këtë e kemi nisur, por po të nisemi nga ligjet, Shqipëria sot është realisht e dyta pas Gjermanisë. Kush lexon ligjet e Shqipërisë dhe nuk jeton në realitetin shqiptar, mendon se është një vend si Gjermania. Ajo që na dallon ne nga Gjermania dhe Bashkimi Europian është se mes çfarë shkruajmë dhe veprojmë është një diferencë shumë e madhe. Ne, në ligj i kemi të gjitha të shkruara, por në realitet, në zbatimin e ligjit jemi vajmedet. Kjo vlen, besoj unë, edhe si një argument më shumë për të kuptuar se sfidat reale tona janë sfidat që lidhen pazgjidhshmërisht me Bashkimin Europian, me procesin e integrimit si proces modernizimi. Unë e besoj dhe jua them në sy edhe miqve e partnerëve tanë se për Shqipërinë dhe shqiptarët, më shumë sesa vetë anëtarësimi ka rëndësi themelore procesi i integrimit, sepse është një instrument që imponon modernizim, modernizim, modernizim të sistemit dhe të shtetit.

Ndërkohë që edhe në këtë aspekt kemi paradokse të mëdha. Një nga paradokset është se shqiptarët e Kosovës mund të lëviznin të lirë kur ishin të varur dhe nuk lëvizin dot të lirë tani që janë të pavarur. Kjo është një çudi e madhe europiane, që është një nga shprehjet më kuptimplota të degradimit të Bashkimit Europian nga një projekt i madh i shpresës në një strukturë gjigande të frikës. Të frikës nga vetvetja, e cila reflektohet pastaj, edhe si frikë ndaj një grushti njerëzish, – se një grusht njerëzish janë shqiptarët e Kosovës në gjithë hartën e Europës, – që ndalohen të lëvizin të lirë dhe që janë të vetmit që kanë mbetur që duhet të marrin vizë për të dalë jashtë, ndërkohë që kur ishin nën diktaturë dhe nuk kishin asnjë të drejtë, pothuajse, lëviznin sa herë të donin lirisht.

Gjithë shqiptarët, sot kanë festë, për arsye se dje ishim në festën e Krishtlindjeve, e cila vazhdon. Urime së pari, juve e të gjithë shqiptarëve, konfesionit katolik e ortodoks.

Ne kemi të mirë se si Krishtlindjet, si Bajramin i festojmë të gjithë bashkë.

Vij nga biznesi. A ka mundësi që të fillohet me një marrëveshje pilot, për të themeluar një treg të përbashkët për investitorët e mëdhenj që janë strategjike për dy shtetet, një treg i përbashkët Shqipëri dhe Kosovë; A ka mundësi për të themeluar një mjet publik që do ta mbulojë trevën si media e përbashkët; A ka mundësi për të themeluar një gjimnaz si shkollë publike e përbashkët; A ka mundësi që diasporën tonë mos ta ndajmë ne këtu, pasi ata e konsiderojnë veten të përbashkët, që të bëjmë projekte të përbashkëta e ta zhvillojmë vendin si Irlanda apo si shtetet që kanë shfrytëzuar potencialin e kapacitetet e diasporave të veta?

Besoj që në të gjitha këto drejtime, përveç asaj RTK-së mbarëkombëtare, jemi në rrugën e duhur. Ndërsa RTK-në mbarëkombëtare nxirrni lekët, ju biznesmenët dhe bëjeni vetë, se boll e kemi një këtu dhe një atje, s’na duhet edhe një e tretë.

Zoti Rama, si qeveri çfarë keni mësuar, duke pasur 7 gra në krye të dikastereve mjaft të rëndësishme. A prisni të prodhojë kjo ndonjë reflektim të ri në zgjedhjet lokale në vitin e ardhshëm dhe çfarë mund të mësojë Kosova, dhe vendet e tjera të rajonit që nuk janë aspak mirë në këtë drejtim?

Më kujtohet në vitin 1993, në mos gabohem, kam qenë në Londër dhe më mikpritën disa miq nga Prizreni. Me një nga ata miqtë po dilnim nga metroja. Në një nga ato shkallët elektrike dhe m’u përpara nesh ishte një vajzë e gjatë, shumë e bukur. Unë i them mikut nga Prizreni që shyqyr që pashë një angleze të bukur. Ajo ktheu kokën dhe më tha “jam e Prishtinës, he dreq”.

Përsa i përket qeverisë së Kosovës, kësaj të resë, asaj që ishte përpara kësaj, asaj tjetrës që ishte përpara kësaj, e kanë pasur, me thënë të drejtën, të dukshme këtë mangësi. Por jo vetëm në planin estetik, por edhe në planin e punës, unë kam besuar gjithmonë që shqiptarët i kanë marrë në qafë burrat dhe i kanë sjellë deri këtu, gratë. Pavarësisht se gratë duken sikur janë në hije, por ju e dini më mirë se unë, që burrat bëjnë të fortin vetëm kur dalin në diell, se kur futen në hije në shtëpi, ndryshon problemi.

Besoj po ashtu që sa më shumë gra të kemi në punët e shtetit, aq më shumë mundësi të reja kemi në dispozicion. Unë jam shumë krenar që kemi arritur të kemi në qeverinë e Shqipërisë, një numër të konsiderueshëm grash. Jemi praktikisht sot, në vendin e 11-të në Bashkimin Europian për nga pjesëmarrja e grave në qeveri. Ishim në vendin e 10-të, por na e kaloi Renzi që e bëri qeverinë më mbrapa. Në zgjedhjet e ardhshme vendore, ne do ta mbështesim një projekt të grave të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në Këshillat Bashkiakë, apo komunalë siç e keni ju, të jenë 50% gra dhe 50% burra dhe jo 50% të jenë gjysma e parë burra dhe 50% të jenë gjysma e dytë gra, por të jenë numri 1 grua, numri 2 burrë, numri 3 grua, numri 4 burrë, numri 5 grua, numri 6, burrë e kështu me radhë dhe të pritet vija, aty ku priten dhe votat. Në Këshillat Bashkiakë, ne do të kemi në përbërje barazie të plotë përfaqësimi mes grave e burrave, se përderisa janë 50% e popullsisë, të paktën në nivelin vendor duhet të jenë edhe 50% e përfaqësimit. Edhe në Parlament kemi avancuar goxha. Sot kemi numrin më të madh të grave. Madje sot, në Parlament kemi më shumë gra, se çka pasur në të gjitha legjislaturat të mbledhura sëbashku. Edhe në qeveri kemi më shumë gra, se çka pasur gra në të gjitha qeveritë të mbledhura sëbashku. Megjithatë, kjo është ende për t’u përmirësuar.

Në fund fare, duke e mbyllur, unë besoj që gratë kanë edhe një virtyt që është u provuar nga raporte të ndryshme, se janë shumë më pak të korruptueshme sesa burrat. Kjo është edhe një arsye më shumë që të ketë më shumë gra në pushtet, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Zoti Rama, nga përvoja juaj në Bashkinë e Tiranës dhe tani në qeveri të flasim pak për rregullimin e territorit. Në sytë e arkitektëve të Kosovës apo edhe të shqiptarëve të Kosovës, në përgjithësi, imazhi i parë i juaji ka qenë i një njeriu që ka krijuar hapësirat publike në Tiranë dhe tani në Shqipëri po ju shohim duke liruar hapësirat e uzurpuara publike dhe duke krijuar hapësira të reja. A është prioritet rregullimi i territorit edhe në mandatin tuaj si Kryeministër dhe nga përvoja juaj çfarë do t’i porosisnit vendimmarrësit në Kosovë, që ta bëjnë prioritet rregullimin e territorit edhe në Kosovë, duke ditur që është një fushë e ndërlidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik. Aktualisht është fushë periferike. Edhe kur ndahen ministritë, nuk përkrahen ato ministri, apo nuk i jepen njerëzve që mund t’i çojnë përpara proceset. Cili është mesazhi juaj?

Përsa i përket ministrive, unë besoj që nuk është e thënë që një arkitekt të jetë një ministër i mirë planifikimi. Po ashtu, problemi nuk është se ministri i planifikimit nuk është arkitekt, por problemi është kur bën sikur është arkitekt. Këto janë dy gjëra të ndara.

Dy konsiderata kam unë. E para, kur kam ardhur për herë të parë mbas çlirimit në Kosovë dhe kam takuar kryetarin e bashkisë, komunës i thoni ju, i kam thënë që keni një fat shumë të madh që të mësoni nga dhjetëvjeçari ynë i parë në liri dhe mos lejoni ndërtimet pa leje. Kur kam ardhur pas një apo dy vjetësh, jam keqardhur sepse edhe për shkak të punës,- ndërtimet pa leje i njoh me sy, nuk ka nevojë për të parë dokumentet- pashë që kishte filluar edhe këtu epidemia që ka vazhduar intensivisht, për fat të keq. Është një karakteristikë shqiptare kjo, sepse vendet e tjera, edhe në Ballkan, ju e dini që përgjithësisht nuk e kanë, ose e kanë aty ku janë shqiptarët.

Tjetra, besoj se nëse shumë gjëra të tjera i rregullon edhe koha, me koston që i paguajnë sigurisht gjeneratat që jetojnë keq, këtë gjë edhe koha e ka të vështirë ta rregullojë. Humbjet e mëdha që Shqipëria ka pasur në tokë buke, që toka e bukës ka qenë një problem i madh për ne në raportet mes sipërfaqes së tokës së bukës dhe popullsisë, qysh përpara sesa të fillonte pushtimi i tokave të bukës, humbje e madhe që ka pasur në hapësira plazhesh, humbje e madhe që ka pasur në hapësirat e veta urbane, humbja e madhe që gjithë ky bum ndërtimesh ka sjellë në shkatërrime pyjesh dhe në shkatërrime lumenjsh për inerte, nuk është e kompensueshme në kohë, plotësisht. Do të kompensohet deri diku, por jo plotësisht. Është një humbje katastrofike. Dhe pastaj, kur ata që e kanë shkaktuar këtë humbje të flasin për interesin kombëtar, edhe për flamurin, edhe për Ismail Qemalin, edhe për bashkimin e ku di unë se çfarë, kjo bëhet pastaj, kulmi i hipokrizisë.

Ndërkohë që, nga ana tjetër, ne na duhen instrumente inovativë planifikimi, sepse planifikimi ashtu siç ka ekzistuar në të shkuarën nuk funksionon më.

Në rast se dikush do të bënte një studim mes planeve dhe projekteve të ndërtimit në Tiranë apo në gjithë qytetet, jam i bindur edhe këtu, dhe çfarë realizohet në terren, janë dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Kështu që, instrumentet e planifikimit duhet të jenë shumë më inovativë dhe shumë më efikase. Ne po përpiqemi për këtë. Kemi ndërmarrë një operacion të madh pastrimi të ndërtimeve pa leje në hapësirat komunitare dhe do të vazhdojë pa pushim ky operacion. Unë nuk mendoj në asnjë mënyrë që kjo sjell frenim ekonomik. Unë mendoj që kjo sjell zhvillim ekonomik, sepse të njëjtën gjë kam dëgjuar edhe atëherë kur bëmë pastrimin e madh të lumit të Tiranës, që në atë kohë ishte arteria kryesore ekonomike e qytetit dhe jo vetëm që nuk ra ekonomia në Tiranë, por përkundrazi, u rrit në mënyrë të ndjeshme nga formalizimi dhe nga kalimi në një stad të ri të zhvillimit dhe të raporteve mes sipërmarrjes dhe shtetit.

Kështu që, shpresoj shumë që edhe në Kosovë të shkojë përpara ky proces i ndalimit të ndërtimeve të paligjshme. Më pas edhe, aty ku është e mundur, i pastrimit të territorit nga ndërtimet e paligjshme.

Dua të nënvizoi faktin se përtej modelit “Erdogan” dhe “Berluskoni”, për mua jeni modeli i Platonit te “Republika”. Një përshkrim i një burrështetasi me trup të shëndoshë, mendje të shëndoshë dhe shumë artist dhe e keni dëshmuar ndër vite, që në Bashkinë e Tiranës, sa është i rëndësishëm mishërimi i artit në politikë dhe sa janë të rëndësishëm edhe artistët të jenë pjesë e të bërit politikë. Këtë komponent e keni zhvilluar shumë, duke qenë se keni pasur afër artistë të shumtë për të kuruar Tiranën dhe për t’i krijuar një identitet të ri. Sot, në një rrethanë tjetër si Kryeministër i Shqipërisë, por edhe më gjerë, a e shihni veten që gjithë këto ngjyrime shqiptarësh, andej e këndej kufijve, mund t’i bashkoni në një paletë e të jeni piktori i pikturës së re të shqiptarëve në Ballkan?

Ngjyra e zezë është produkt i bashkimit të të gjitha ngjyrave bashkë. Ndërkohë që, sfida nuk është t’i bashkosh të gjitha ngjyrat dhe t’i humbasësh secilës atë identitetin e vet, por t’i bësh të bashkëjetojnë brenda një kornize. Tani, përtej metaforës, ju siguroj se është shumë më e lehtë të pikturosh sesa të qeverisësh. Sepse, nëse e ke në dorë ta marrësh ngjyrën dhe ta vendosësh brenda pak sekondash bashkë me një ngjyrë tjetër, të bashkosh shqiptarë bashkë, për të bërë një punë, është shumë e vështirë.

Por nga ana tjetër, unë besoj shumë, – dhe dua ta përsëris në mbyllje, – në rast se ne do të ishim pak më qetësisht të vëmendshëm për çfarë ka ndodhur, ajo që ka ndodhur me shqiptarët në këto 15 vjet është nga ato gjëra që një kombi i ndodhin një herë në 100 apo 200 vjet. Është një gjë fantastike! Sigurisht, qenia njerëzore është e prirur të harrojë me shpejtësi atë që ikën dhe të kërkojë sa më shpejt, atë që dëshiron, por sinqerisht mendoj se çfarë ka ndodhur, ne duhet të na bëjë shumë të vetëdijshëm që ky është momenti ynë më i rëndësishëm historik. Nga ky moment, ne duhet të nxjerrim maksimumin për ne. Por duhet të kemi vizionin e qartë dhe vetëdijen maksimale që në përpjekjen për të nxjerrë maksimumin, mos të bëjmë faje që pastaj mund të jenë faje historike dhe të mos tregohemi të padenjë për atë që kemi arritur. Sepse ajo që kemi arritur është sa shqiptare, aq edhe ndërkombëtare, është sa meritë e shqiptarëve, aq edhe meritë e ndërkombëtarëve.

Nëse bashkësia ndërkombëtare i ka besuar Kosovës pavarësinë, nuk është për kompleks, por është për vetëdije dhe për përgjegjshmëri që ne ta shikojmë ecjen tonë përpara në aleancë të sigurt me bashkësinë ndërkombëtare, duke qenë dinjitozë në shprehjen e qëndrimeve tona, por duke mos u bërë të padenjë për atë çka pa bashkësinë ndërkombëtare, ne nuk do kishim arritur kurrë. Për këtë jemi të vetëdijshëm, apo jo.

E fundit, në mbyllje, është që sa më shpejt ne të kuptojmë që ky është një moment kur të gjithë sëbashku duhet të fokusohemi tek një betejë konceptesh me Bashkimin Europian dhe tek një përpjekje për ta vetëdijesuar sa më shumë Bashkimin Europian, që shqiptarët duhen sot për BE-në, po aq sa ç’i duhet BE-ja shqiptarëve dhe se Ballkani i duhet sot BE-së, po aq sa i duhet BE-ja Ballkanit. Nëse deri përpara pak vitesh, kjo nuk ka qenë kështu, kemi pasur ne nevojë për BE-në, më shumë sesa ka pasur BE për ne, si shtete, si komb, si rajon, sot është kështu dhe nëse Bashkimi Europian nuk e kupton këtë sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Mund të jetë shumë vonë, sepse mund të ndodhin zhvillime që ne sot nuk i parashikojmë dot. Sepse paqja që ka ndodhur nuk ka ardhur as nga qielli dhe as se ne jemi bërë engjëj, qoftë shqiptarët, qoftë serbët, qoftë kushdo në rajon. Nuk jemi bërë ne engjëj, ne jemi po ata që ishim. Por paqja ka ardhur si shtysë e brendshme e të gjithëve për të parë më tutje, më tutje në Europë, në Bashkimin Europian.

Nëse BE nuk është në lartësinë e pritshmërisë sonë sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Nëse BE na vendos neve përpara lodhjen nga zgjerimi, nesër lodhja nga durimi mund të dalë jashtë kontrollit tonë dhe kjo nuk është për të kërcënuar askënd, por kjo është për t’u përballur me një të vërtetë shumë, shumë të rëndësishme. Sepse ne kemi nevojë për Bashkimin Europian, kemi nevojë për procesin e integrimit që të modernizojmë shtetin në Shqipëri dhe në Kosovë dhe të modernizojmë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe brenda shteteve ku jetojnë shqiptarët e tjerë, por Bashkimi Europian ka po kaq nevojë për rajonin dhe sot mos harrojmë shqiptarët janë faktori më i rëndësishëm në rajon. Kjo rëndësi e madhe që ka marrë faktori shqiptar është edhe përgjegjësi historike për ne. Ne nuk mund të sillemi si superiorë, në qoftë se duam ta përdorim peshën e re që kemi në rajon, për t’i lënë gjeneratave të tjera të shqiptarëve dhe të të tjerëve, një rajon përfundimisht të çliruar nga makthet e të shkuarës.

E siç duhet të jemi me patjetër të hapur e të drejtpërdrejtë me serbët, duhet të jemi po ashtu të hapur e të drejtpërdrejtë dhe tërësisht të sinqertë në shtrirjen e dorës së paqes dhe të bashkëpunimit ndaj serbëve. Ata duhet ta kenë shumë të qartë që ne nuk negociojmë asgjë nga to që kemi arritur, por në të njëjtën kohë, ne nuk jemi hipokritë kur u shtrijmë dorën dhe u themi të ndërtojmë bashkë një të ardhme, duke e transformuar armiqësinë në partneritet dhe duke bërë për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë për Europën.

Faleminderit!

DSC_1533 DSC_1484

Foto Galeria: Grupi Punues jo-formal diskutoi për amandamentimin e Ligjit për Prokurim Publik

Foto Galeria: Mangësi të shumta e zbatim i ulët i Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve në Komunën e Pejës

Foto Galeria: Gjashtë mujori i këtij viti i zbehtë, vetëm 14 lëndë kundër korrupsionit të zgjidhura nga Gjykatat

Foto Galeria: Vërejtje mbi përmbajtjen dhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve në Gjilan