Skanimi i Integritetit në Sektorin e Drejtësisë

Prishtinë, 14 Dhjetor 2017 – Lëvizja FOL, CILC dhe KDI kanë mbajtur sot konferencë me ç’rast kanë prezantuar të dhënat e hulumtimit “Skenimi i Integritetit në Sektorin e Drejtësisë”. Penalistë në këtë konferencë ishin: Gerrie Willems – Ambasadore e Holandës në Kosovë, Eva Erren – Menaxhere e Projektit nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar Ligjor(CILC), Nehat Idrizi – Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Blerim Isufaj – Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Altin Ademi – Këshilltar i ministrit të Drejtësisë.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se shumë raporte deri me tani kanë matur perceptimin e qytetarëve mbi integritetin në sistemin e drejtësisë, mirëpo kanë munguar raportet që tregojnë për perceptimin e vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve për sistemin pjesë e cilit janë. “CILC, FOL dhe KDI kanë realizuar një skenim të integritetit në sektorin e drejtësisë ku janë përfshirë 229 gjyqtarë dhe 112 prokurorë, në një hulumtim që për herë të parë vë në dukje pjesë të ndjeshme të sektorit të drejtësisë”, tha Zulfaj.

Gerrie Willems – Ambasadore e Holandës në Kosovë tha se kemi vendosur të mbështesim këtë projekt sepse Holanda i kushton rëndësi të veçantë forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë së bashku me integritetin si ndër kushtet kryesore për sundimin e ligjit. “Duhet të cekim se është bërë progres, megjithatë ende ka gjëra që duhet të behën, ndonëse është evidente që ka shumë sfida që duhet të tejkalohen. Kjo është ajo që BE duke përfshirë edhe Holandën pret nga Kosova, ti bindet sundimit të ligjit dhe të niset nga parimi që askush nuk është mbi ligjin. Integriteti në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm sepse së bashku me pavarësinë dhe paanshmërinë janë parakushte për krijimin e një gjyqësori efektiv dhe funksional. Unë shpresoj që ky raport, i cili ofron analizë të detajuar ligjore dhe të situatës faktike, të ndihmoj aktorët e sistemit gjyqësor që të ndërmarrin hapa për të i adresuar çështjet e integritetit”, tha ambasadorja Willems.

Nehat Idrizi kryesues i KGJK-së tha se institucioni që ai drejton ka shprehur qasje miqësore ndaj iniciativave për promovim të integritetit. “Ky raport do të na ndihmojë për të përmirësuar edhe integritetin në sistemin e drejtësisë. KGJK ka pasur shumë kritika, mirëpo këto zakonisht janë nga persona të cilët nuk janë të informuar sa duhet për punën e KGJK. Ne do ti marrim rekomandimet e këtij raporti dhe do të mundohemi të i zbatojmë, për përmirësimin e punës sonë”, tha Idrizi.

Eva Erren nga CILC  tha se në të gjitha shtetet ku funksionon sundimi i ligjit, ekzistojnë mekanizma për mbrojtjen e vlerave thelbësore të sistemit të drejtësisë: Paanshmëria. pavarësia dhe integriteti.  “Me këtë raport ne po mundohemi që të adresojmë me një qasje të strukturuar dhe sistematike, sfidat që sistemi Gjyqësor dhe Prokurorial hasin në Kosovë në lidhje me integritetin”, tha Erren, duke shtuar se përfundimet e nxjerra nga ky raport shpresojmë që do ti bëjnë bashkë të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë, që të ndërmarrin hapa gjithëpërfshirës për të gjetur mjetet më të mira juridike për të adresuar çështjen e integritetit. Even tha se se presim që njëri nga aktivitetet tona vijuese do të jetë ndryshimi i kodeve të etikës për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial në përputhje me të gjeturat e këtij raporti.

Blerim Isufaj, kryesues i KPK tha se ne kontribuojmë në mënyrë aktive për zhvillimin e trajnimeve për prokurorë prandaj edhe mediat dhe shoqëria civile duhet të jenë partneri ynë në mënyrën që të përmirësohet performanca e prokurorisë. “Ky hulumtim do të jetë një bazë e mirë për KPK për të ngritur integritetin në sistemin e drejtësisë. Ne jemi të angazhuar në luftimin e korrupsionit, duke themeluar një institut të veçante për këtë çështje. Korniza ligjore është shumë e nevojshme për punë të mirë, por edhe kushtet profesionale, si dhe kuadri profesional është shumë i nevojshëm”, tha Isufaj duke shtuar se 25 prokurorë të rinj do të përfundojnë trajnimin tani dhe nga janari i vitit 2018 do të fillojnë të merren me raste. Isufaj tha se do të rekrutojë edhe 90 bashkëpunëtor profesional dhe zyrtarë ligjor si dhe do të funksionalizojnë sistemin elektronik për menaxhimin e rasteve.

Altin Ademi, këshilltar i ministrit të drejtësisë tha se sundimi i ligjit është prioriteti numër një 1 i ministrit të drejtësisë. “Do të hartohen 4 ligje në pako, ku bën pse edhe ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat ligje do të shërbejnë për të siguruar një pavarësi të plotë të gjyqësorit dhe sigurimin e integritetit dhe llogaridhënies së këtij sistemi”.

Arben Kelmendi nga KDI, tha se hulumtimet e mëhershme të KDI-së dhe FOL-it kanë theksuar nevojën për qasje më të strukturuar dhe sistematike për të adresuar sfidat në sektorin gjyqësor dhe prokurorial. “Të gjeturat në këtë raport janë një kontribut i madh për agjendën në reformën ligjore në Kosovë”, tha Kelmendi.

Ndërkaq, Agon Maliqi prezantoi të gjeturat e këtij hulumtimi dhe tha se ky studim i veçantë i integritetit u përpoq të kuptonte se sa respektohen standardet etike brenda sistemit gjyqësor duke përfshirë edhe një perspektivë të tretë. Gjegjësisht, ai synon që të vlerësojë respektimin e standardeve etike dhe profesionale duke shqyrtuar perceptimet e aktorëve kryesorë të përfshirë në sistemin gjyqësor – përkatësisht gjykatësit dhe prokurorët.

 

Rekomandimet nga hulumtimi “Skanimi i Integritetit në Sektorin e Drejtësisë”

 

  1. Besimi i publikut në gjyqësor mund të rifitohet vetëm përmes reformave gjithëpërfshirëse, por mund të përmirësohet pjesërisht edhe përmes komunikimit më efektiv dhe rritjes së transparencës. KGJK dhe KPK duhet të punojnë në mënyrë më efektive dhe sistematike me mediat dhe shoqërinë civile për të rritur vetëdijesimin e publikut për mekanizmat e integritetit të brendshëm dhe për tu paraqitur rastet pozitive. KGJK dhe KPK duhet po ashtu të rrisin nivelin e transparencës së procedurave disiplinore në mënyrë që qytetarët të marrin informacione të mjaftueshme për masat e ndërmarra kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Gjithashtu, gjykatat duhet të konsiderojnë rritjen e komunikimit me publikun që të shpjegojë më mirë procedurat gjyqësore, tarifat e aplikueshme, arsyet për vonesat procedurale dhe çështje të tjera që mund të keqinterpretohen si korrupsion ose rritje e rrezikut për korrupsion. KGjK-ja gjithashtu duhet të marrë parasysh publikimin e një statuti të shërbimit që i informon qartë qytetarët për angazhimin etik dhe standardet që aplikohen për gjyqtarët dhe stafin. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, fushatat kreative të informimit publik ose tregimet për media që ilustrojnë mekanizmat e llogaridhënies së brendshme mund të ndihmojnë disi në kapërcimin e hendekut midis perceptimit nga jashtë dhe perceptimit nga brendësia e sistemit të drejtësisë.
  1. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të fuqizohen më tej për të shprehur shqetësimet e tyre rreth çështjeve të integritetit dhe për t’u përfshirë në dizajnimin e zgjidhjeve. KGJK dhe KPK duhet të vazhdojnë të krijojnë hapësira për dialog dhe shprehje të lirë në mënyrë që të dëgjohet zëri i atyre që janë brenda sistemit, të cilët kanë vërejtje. Verifikimet anonime të integritetit të kësaj natyre duhet të bëhen periodike dhe me një metodologji të qëndrueshme në mënyrë që ata që janë kritikë të mund të shprehin vërejtjet e tyre dhe ndryshimet (përmirësimet ose regresi) të mund të maten nga viti në vit. Përveç kësaj, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jenë më të përfshirë në hartimin e zgjidhjeve për sfidat e integritetit. KGJK dhe KPK, si dhe Kryetarët e Gjykatave dhe Kryeprokurorët, duhet të thërrasin takime diskutimi me gjyqtarë/ prokurorë dhe profesionistë për të diskutuar gjetjet lidhur me rreziqet dhe cenueshmëritë ndaj korrupsionit dhe për të hartuar zgjidhjet e tyre për të eliminuar këto perceptime ose për të zbutur këto rreziqe dhe dobësi.
  1. Duhet të merren masa specifike për të adresuar ndikimet e jashtme në punën e gjyqësorit nga interesat politike, tregtare ose të tjera. Ministria e Drejtësisë dhe udhëheqësit politikë në përgjithësi duhet të ndërmarrin hapa të domosdoshëm për të eliminuar të gjitha dyshimet lidhur me ndërhyrjen politike në proceset gjyqësore, përfshirë këtu edhe heqjen dorë nga deklaratat publike për rastet. Kryetarët e Gjykatave dhe KGJK-ja duhet të takohen kohë pas kohe me ata që janë përgjegjës për sigurinë e gjykatave dhe të bëjnë një rishikim të masave të sigurisë. Kryeprokurorët dhe KPK-ja duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Bazuar në këto rishikime, duhet të hartohen plane të detajuara dhe të përditësohen në mënyrë periodike për tu përballuar me kërcënimet ekzistuese dhe të ardhshme për sigurinë fizike të akterëve gjyqësorë. Kryetarët e gjykatave duhet të mbajnë takime periodike ndërmjet gjyqtarëve dhe/ose stafit të gjykatave për të shqyrtuar masat që mund të zvogëlojnë ndikimin e pahijshëm, siç janë kufizimi i qasjes së publikut në zyrat private të gjyqtarëve dhe verifikimi i të gjitha thirrjeve telefonike për gjyqtarët.
  1. Ka hapësirë për të përmirësuar procesin e rekrutimeve dhe caktimeve të rasteve, pasi ato janë kritike, ndër të tjera, për të siguruar besimin e publikut në rezultatet e gjyqësorit. KGJK dhe KPK duhet të përdorin kritere objektive, gjithmonë të bazuara në meritë dhe integritet, në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe stafit të zyrës. KGjK-ja po ashtu duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të bërë caktimet e lëndëve në mënyrë të rastësishme (randomize). Caktimet fillestare të lëndëve për një gjyqtar duhet të bëhet përmes një sistemi elektronik dhe zgjedhja fillestare pastaj mund të rregullohet nga gjykata ose për të shmangur konfliktet e mundshme ose për të lejuar që rastet e ndërlidhura të trajtohen nga i njëjti gjyqtar. KPK gjithashtu duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të informuar publikun lidhur me caktimin e lëndëve. Përderisa caktimi fillestar i lëndëve për një prokuror është në diskrecionin e Kryeprokurorit, zgjedhja fillestare pastaj mund të rregullohet nga prokuroria për të shmangur konfliktet e mundshme ose për të lejuar që rastet e ndërlidhura të trajtohen nga i njëjti prokuror. Duhet të bëhen përpjekje nga KPK dhe KGJK për t’ia komunikuar publikut arsyet për ri-caktim në mënyrë që ato të kuptohen si masa për të zbutur konfliktet e interesit ose për përmirësimin e efikasitetit dhe jo si mjete për të manipuluar procesimin e lëndës.
  1. Kodet e etikës duhet të përditësohen në mënyrë që të zgjerohet gama e çështjeve të mbuluara dhe të jepen përkufizime më të qarta, ndërsa trajnimet mbi etikën duhet të bëhen të detyrueshme dhe periodike. Duhet të iniciohet një proces konsultimi për të përditësuar Kodet e Etikës, pasi është normale që dokumentet e kësaj natyre të përmirësohen bazuar në të dhëna nga përvojat. Konsultimet duhet të marrin parasysh rekomandimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për zgjerimin e gamës së çështjeve me të cilat ballafaqohen duhet të qartësojnë dhe të përcaktojnë në mënyrë të qartë situata specifike. Disa nga çështjet që mund të qartësohen janë ato të identifikuara në sondazhin e këtij raporti. Kodet e etikës duhet gjithashtu të shoqërohen me memorandume shpjeguese. KPK-ja duhet të konsiderojë që ta bëj të obligueshëm edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm ligjor mbi etikën gjyqësore në një bazë të caktuar periodike (p.sh., çdo vit, çdo tre vjet, etj.) për prokurorët dhe stafin e prokurorisë. Fokus i veçantë duhet t’u jepet gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj. KGjK-ja duhet të marrë konsiderojë të bëj diçka të ngjashme për gjyqtarët dhe stafin e gjykatave, përmes diçkaje si Programi i Obligueshëm i Edukimit të Vazhdueshëm Ligjor (KBA). Si KPK ashtu edhe KGJK duhet të kërkojnë trajnime të vazhdueshme ligjor mbi etikën gjyqësore nga Akademia e Drejtësisë, që bazohet në nevojat e identifikuara nga prokurorët dhe gjyqtarët.
  1. Duhet të forcohet kapacitetet teknike të mekanizmave disiplinorë, sikurse edhe trajnimet lidhur me etikën. Gjyqësori dhe prokuroria kanë besim të ulët në aftësitë e ZPD-së për të kryer hetime, gjë që ngrit nevojën për të reformuar ZPD-në. Duhet të bëhen përpjekje për të forcuar kapacitetet teknike të Zyrës së Prokurorit Disiplinor (ZPD). Identifikimi i nevojave për ngritjen e kapaciteteve do të ishte një fillim që do të pasohej nga të paktën një program trajnimi që do të ofrohet dhe nga masa të tjera të mundshme që do të ndërmerren nga mekanizmat disiplinorë. KGJK dhe KPK duhet të marrin masa për të informuar dhe udhëzuar gjyqtarët dhe prokurorët e rinj që hyjnë në sistem mbi mekanizmat që janë në dispozicion për konsultim mbi standardet etike, pasi shumë prej tyre duket se nuk janë të informuar. Akademia e Drejtësisë gjithashtu duhet të rishikojë programin e saj të trajnimit mbi etikën për të pasqyruar shqetësimet e shprehura nga gjyqtarët dhe prokurorët.
  1. Reformat e përgjithshme në sektorin e drejtësisë duhet të synojnë të zvogëlojnë ngarkesën e madhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila rrit stresin për të arritur objektivat e performancës dhe krijon stimuj për të mos i marrë aq shumë parasysh çështjet e integritetit. KGJK dhe KPK duhet të përdorin kompetencat e tyre kushtetuese si degë të pavarura të qeverisë për të siguruar burime adekuate (buxhet, infrastrukturë fizike dhe burime njerëzore) si mjet jo vetëm për të përmirësuar efektivitetin e përgjithshëm, por edhe për zvogëlimin e ngarkesës së lartë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata po ashtu duhet të vlerësojnë mënyrat si të modifikohen stimulimet në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të mos i japin prioritet shpejtësisë në zgjidhjen e rasteve para standardeve profesionale dhe integritetit. Nevojitet një dialog i brendshëm se si të balancohet matja e performancës për të mos qenë tepër e përqendruar në numrin e rasteve të zgjidhura por që të përfshijë komponentë të cilësisë që lidhen me standardet etike.

 

 

Performanca CORRUPTION/OFF

Prishtinë, 9 Dhjetor 2017 – Lëvizja FOL përmes programit për Komuna Transparente,
Effektive dhe Llogaridhënëse i mbështetur nga USAID ka organizuar një performancë
vetëdijesuese për të shënuar ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit.
Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se kjo performancë është organizuar në kuadër të javës
kundër korrupsion, e cila është shënuar me aktivitete të ndryshme të udhëhequr nga një
koalicion i shoqërisë civile së bashku me Ambasadën Amerikane dhe USAID-in, prandaj një
falënderim të veçantë i kushtohet USAID-it dhe këtij programi që e kanë mundësuar këtë
aktivitet.
“Fjala Korrupsion përdoret në gjithë botën për të përshkruar abuzimin e pushtetit për
përfitime personale. Në vendet e zhvilluara, korrupsioni asocohet me kravata të bardha dhe
individë të pasur e me ndikim, ndërkaq në vendet e varfëra ai asociohet me shkatërrim
ekonomik, regjime autoritare dhe shpërdorim të burimeve njerëzore dhe natyrore. As Kosova
nuk bën përjashtim në këtë drejtim”, tha Zulfaj.
Sipas tij, përderisa fjala korrupsion është përdorur për të përshkruar dukuritë e mësiperme,
vet fjala asnjëherë nuk është analizuar në kontekst. “Në vështrim të parë, shihet se fjala
përfundon me –ON, që ndërkombëtarisht është sinjal që shpreh diçka aktive, diçka që
funksionon dhe që është në veprim.
Përderisa ne nuk mund të ndërrojmë fjalën Korrupsion, në Ditën Ndërkombëtare Kundër
Korrupsionit ne do ta ndryshojmë kuptimin e saj. Sot, po e ndalim korrupsionin, pra nga ON
në OFF”, tha Zulfaj.

Parregullsitë dhe keqmenaxhimi vazhdon ta përcjell prokurimin publik

Prishtinë 1 dhjetor 2017 – Lëvizja FOL në kuadër të projektit Ngritja e Llogaridhënies së Institucioneve mbi mënyrat e shpenzimit të parasë publike ka publikuar sot tw gjeturat nga monitorimi i kontratave të prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Ky raport paraqet të gjeturat nga monitorimi 3-mujor i kontratave me vlera të mëdha nga  Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Gresa Smolica nga Lëvizja FOL tha se nga monitorimi i tërësishëm i procesit të prokurimit në këto tri ministri rezulton se Prokurimi publik mbetet një sektor jotransparent ndaj publikut pasi që qasja në dokumentacionin e kontratave mbetet e kufizuar. Sipas Smolicës, FOL ka monitoruar procesin e prokurimit duke u nisur nga planifikimi i aktivitetit të prokurimit e deri tek nënshkrimi i kontratës dhe implementimi i aktivitetit. “Në shumë raste, institucionet hezitojnë të hapin këto dokumente siç është rasti i Ministrisë së Infrastrukturës, e cila nuk na ka dhënë qasje në kontratat e kërkuara, duke e bërë të domosdoshme përfshirjen e Institucionit të Avokatit të Popullit, përmes ankesës që ka parashtruar Lëvizja FOL për mospërgjigje në kërkesën për qasje në dokumente publike”, tha ajo.

Dosja e kontratës e kërkuar nga MI “Ndërtimi i autoudhës A7.1- Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë)- Dheu i Bardhë- Pjesa : Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë)- Udhëkryqi- Bresalc- L=22.31km” nuk i është dhënë FOL-it me arsyetimin se lënda gjendet në OShP.

Ndërkaq në Ministrinë e Shëndetësisë është analizuar kontrata “Furnizim me barna nga Lista Esenciale” me numër prokurimi 206-17-452-1-1-1. Kjo kontratë është shoqëruar me disa parregullsi dhe ende sot ka mbetur e paimplementuar në tërësi, për shkak të keqplanifikimit të buxhetit për realizimin e kësaj kontrate.  Pjesa apo Loti 6 i kësaj kontrate, pasi i është dhënë operatorit ekonomik për të u realizuar, është anuluar nga Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit Alban Pozhegu, me arsyetimin se Operatori Ekonomik ka ofertuar me çmim më të lartë se çmimi i tregut. Kjo tregon keqmenaxhimin në procesin e prokurimit por edhe keqplanifikimin e buxhetit për ilaçet e caktuara.

Për të njëjtin zyrtar, Lëvizja FOL ka gjetur se nuk posedon certifikatë licencimi të lëshuar nga KRPP, dhe po i njëjti nuk ka ndjekur trajnimet obliguese në KRPP në kohën e nënshkrimit të kontratës që kemi monitoruar. Pas ankesës së operatorit ekonomik pranë OShP-së, ekspertiza e OShP argumenton se Autoriteti Kontraktues Ministria e Shëndetësisë me anulimin e kontratës ka vepruar në kundërshtim me nenin 62 të Ligjit për Prokurimin Publik, si dhe kërkon që lënda të kthehet në rivlerësim. Parregullësitë që kanë shoqëruar këtë proces, mosrespektimi i afateve të përcaktuara nga OShP si dhe konstatimi edhe nga KRPP se ky zyrtar nuk plotëson në tërësi kërkesat sipas nenin 25.6 për të ushtuar në pajtueshmëri të plotë detyrën Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit, me 13 Tetor 2017, KRPP merr vendim që Alban Pozhegut të i pezullohet e drejta për të shërbyer si Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit.

Sipas saj, të gjitha këto elemente bëjnë që edhe institucionet por edhe shoqëria civile të angazhohen më shumë për gjetjen e mënyrave më adekuate për të rritur transparencën në këtë fushë.  “Ndryshimet në Ligjin për Prokurimin Publik janë ende të nevojshme sidomos tek parimet e transparencës, kurse rritja e integritetit të zyrtarëve publik është esenciale për mbarëvajtjen e procesit të prokurimit publik. Ngritja e llogaridhënies në këtë sektor është e mundur vetëm atëherë kur ana ligjore përputhet me përgjegjshmërinë e zyrtarëve dhe publiku gëzon qasjen që i garantohet me ligj”.

Punëtoria për Ligjin mbi për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve Publik në Kosovë

Prishtinë, 30 Nëntor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot punëtorinë për mbi Ligjin për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve Publik në Kosovë, me ç ‘rast janë prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të Lëvizjes FOL lidhur me Ligjin Aktual për Deklarimin e Pasurisë.

Jeton Zulfaj prezantoi punën që Lëvizja FOL ka bërë edhe në të kaluarën në lidhje me deklarimin e pasurisë. Sipas tij duhet të bëhet zgjerimi i listës së zyrtareve të cilët duhet të deklarojnë pasurinë. Gjithashtu duhet të krijohet një softuer i ri për deklarim, por mbetet problematike se kush duhet ta menaxhojë ketë softuer-AKK apo ATK.

Gresa Smolica nga Lëvizja FOL prezantoi të gjeturat e raportit sipas të cilave del se mangësitë kryesore që vërehen në ligjin aktual për deklarimin e pasurisë janë kufizimi i kompetencave të AKK në procesin e kontrollimit të pasurisë se deklaruar nga zyrtaret publik, mosrregullimi i hetimit të origjinës së pasurisë, mungesa e konfiskimit të pasurisë së paligjshme si masë ndëshkuese dhe përkufizimi i qartë i personave të obliguar të deklarojnë pasurinë.

Valdete Berisha-Podrimaj nga ATK-ja tha se mënyra elektronike e deklarimit të pasurisë e propozuar nga Lëvizja FOL është shumë më e mirë edhe për ATK-së sepse mundëson të ketë me shumë transparencë. “Ajo tha se ka qenë propozim që edhe inspektoret tatimor dhe doganieret te obligohen te bëjmë deklarimin e pasurisë.

Ndërkaq Lulzim Ejupi, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme  tha se duhet të merren shembuj nga vende te ndryshme. “Duhet që të bëhet digjitalizimi i të gjitha institucioneve, në mënyrë që informatat të merren më lehtë nga një institucion me tjetrin”, tha Ejupi.

Agron Qalaj nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tha se në ligjin aktual ka mangësi serioze. AKK nuk është i përgatitur për kontrollim të pasurisë. “Kallëzimet penale të AKK-së të cilat vijnë në prokurori, në shume raste vijnë me vonesë. Ne ligj ka defekte serioze, prandaj prokuroria nuk mund të ngrit aktakuza pa pasur bazë të arsyeshme”, tha Qal

Bashkëbisedim me gjykatësin nga Gjykata e Apelit Driton Muharremi

Prishtinë 30 Nëntor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot bashkëbisedimin e radhës me gjykatësin e Gjykatës së Apelit z. Driton Muharremi.
Ky bashkëbisedim u mbajt në gjykatoren e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës ku temë  diskutimi ishte Integriteti i Gjyqësorit.

Ky bashkëbisedim mbështetet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë në kuadër të projektit “Promovimi i Integritetit ne Sektorin Gjyqësor”.

Bashkëbisedim mes studentëve dhe përfaqësueseve të Gjykatës dhe të Prokurorisë Themelore në Gjilan

Gjilan, 29 Nëntor 2017 – Lëvizja FOL ka organizuar sot bashkëbisedimin e radhës mes studentëve dhe përfaqësueseve të Gjykatës dhe të Prokurorisë Themelore në Gjilan. Temë e këtij bashkëbisedimi ishte: Edukimi dhe ngritja e vetëdijes së studentëve për dukurinë e korrupsionit dhe luftën ndaj tij.

Agron Uka zëvendës kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan foli për punën e kësaj prokurorie dhe në veçanti për rastet kundër korrupsion. “ Sivjet ka një rënie, këtë vit janë vetëm 44 lëndë të kësaj natyre. Arsyeja e kësaj rënie besoj qe është bashkëpunimi i institucioneve Polici-Prokurori-Gjykatë në këtë drejtim”, tha Uka, duke shtuar se vonesat eventuale janë kryesisht procedurale dhe për këtë arsye mund të ketë vonesa ngase nëse dërgohet një lëndë me nguti dhe neglizhohen procedurat e parapara ai rast sërish do të kthehet në rigjykim. Më tej ai tha para studentëve se Prokuroria Themelore në Gjilan, iu ka dhënë prioritet lëndëve antikorrupsion. Ai inkurajoj studentët që të marrin pjesë në seanca të ndryshme ngase kjo ju ndihmon në ushtrimin më të lehtë të këtij profesioni në të ardhmen.

Sabit Shkodra pas prezantimit të punës së Gjykatës Themelore në Gjilan tha se Gjykata Themelore e Gjilanit ka lëndë të kësaj natyre, sipas tij deri më tani janë kryer 32 lëndë kundër korrupsion, duke përfshi aty edhe lëndë të kryetarëve të komunave, zyrtarëve komunal dhe lëndë tjera ku përfshihen profile të larta. Rreth pyetjes se çka bënë gjykata themelore e Gjilanit për ti njoftuar dhe vetëdijesuar të rinjtë në luftimin e korrupsionit, ai tha se “rreth kampanjave për informim ne si gjykate jemi të kufizuar, mirëpo KGJK këtu do të mund të bënte më shumë”.

FOL ka dy vite që organizon bashkëbisedime tilla me studentë dhe prokurorë e gjykatës në Prishtinë, ndërkaq tani ka filluar që këto bashkëbisedime ti mbajë edhe nëpër qytete tjera.

 

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile. Civil Society Foundation – KCSF

Punëtoria “Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent”

Dragash – 23-24 Nëntor 2017 – Lëvizja FOL në kuadër të projektit të USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, ka mbajtur punëtorinë dy ditore lidhur me dizajnimin dhe strukturimin e portalit të prokurimit të hapur dhe transparent. Pjesëmarrës të kësaj punëtorie ishin përfaqësues të USAID, Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, të Zyrave komunale të prokurimit, përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile. 

Qëllimi i projektit është të ndikoj në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies të shpenzimit të parasë publike. Përmes këtij portali synohet të publikohen informata mbi kontratat që lidhin institucionet publike me operatorë ekonomikë, të ofrojë informata të detajuara për operatorët ekonomik që kontraktohen nga institucionet publike por edhe informata të detajuara për prokurimet e autoriteteve kontraktuese. 

Përgjatë implementimit të këtij projekti, Lëvizja FOL do të bashkëpunoj me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik lidhur me platformën elektronike të prokurimit publik dhe ndërlidhjen që do të ketë kjo platformë me portalin për prokurimin e hapur dhe transparent që do të zhvillohet nga Lëvizja FOL. 

Në këtë punëtori dy ditore është diskutuar me të gjithë akterët e përfshirë në fushën e prokurimit publik, në mënyrë që të mundësohet kontributi i të gjitha palëve në zhvillimin e portalit. 

“Portali i Prokurimit të Hapur dhe Transparent” do të lansohet në Qershor 2018 dhe do të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët.  

Bashkëbisedim me studentë në Prizren

Prizren, 23 Nëntor 2017 – Lëvizja FOL ka organizuar sot bashkëbisedimin e radhës mes studentëve dhe gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prizren z. Skender Çoçaj dhe prokurores së Prokurorisë Themelore në Prizren znj. Mehreme Hoxha. Temë e këtij bashkëbisedimi ishte: Edukimi dhe ngritja e vetëdijes së studentëve për dukurinë e korrupsionit dhe luftën ndaj tij.

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prizren z. Skender Çoçaj, prezantoi para studentëve punën e Gjykatës themelore në Prizren, duke treguar kështu për prioritet që kanë lëndët antikorrupsion. Ai inkurajoj studentët që të marrin pjesë në seanca të ndryshme ngase kjo ju ndihmon në ushtrimin më të lehtë të këtij profesioni në të ardhmen.

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prizren znj. Mehreme Hoxha, kjo prokurori nuk është e ngarkuar shumë me lëndë për korrupsionin, ngase këtyre lëndëve ju është dhënë prioritet.

 

FOL ka dy vite që organizon bashkëbisedime tilla me studentë dhe prokurorë apo gjykatës në Prishtinë, ndërkaq tani ka filluar që këto bashkëbisedime mes të parëve të prokurorisë dhe gjykatës të mbahen edhe nëpër qytete tjera.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Kosovar Civil Society Foundation – KCSF

Konkurs për pozitën e punës: Udhëheqës/e i/e Hulumtimit (Lead Researcher)

Lëvizja FOL është organizatë jo-qeveritare, e përkushtuar t’i kontribuoj transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike përmes hulumtimeve, avokimit dhe nxitjes së qytetarisë aktive.

Lëvizja FOL hap konkurs për pozitën: Udhëheqës/e i/e Hulumtimit

Detyrat dhe përgjegjësitë:

  • Zhvillon strukturën kërkimore dhe udhëheq mbledhjen e të dhënave për projekte kërkimore
  • Zhvillon metodologji, plane të punës, korniza logjike dhe drafton projekt propozime
  • Identifikon burimet e nevojshme njerëzore për mbledhjen e të dhënave dhe futjen e të dhënave
  • Monitoron kualitetin e hulumtimit
  • Përgatit analiza dhe nxjerr rekomandime për politika të qarta dhe efektive nga të gjeturat e hulumtimeve
  • Përgatit dhe harton raporte analitike në kuadër të fushe veprimtarisë së organizatës
  • Propozon agjendë për zhvillimin e hulumtimeve lidhur me politikat e institucioneve publike
  • Bën monitorimin e institucioneve publike të Kosovës dhe analizon performancën e tyre
  • Përgatit raportet finale të projekteve kërkimore
  • Përfaqëson organizatën në takime zyrtare

Përgatitja profesionale:

  • Të ketë të përfunduar studimet Bachelor në Shkenca Politike, Administratë Publike, Juridik apo fusha tjera relevante, shkollimi i lartë është përparësi.
  • Shkathtësi të larta analitike dhe të shkrimit akademik
  • Njohje e gjuhës angleze
  • Përvojë me projekte hulumtuese dhe shkrim të raporteve

Dokumentet e nevojshme:

  • CV
  • Letër motivimi
  • Dëshmi të përgatitjes profesionale

Mënyra e aplikimit:

Dokumentet e kërkuara duhet të dërgohen në email-adresën: [email protected], nën subjektin: Aplikimi për pozitën Udhëheqës/e i/e Hulumtimit

Afati i fundit për aplikim: 27.11.2017 ora 17:00.

Bashkëbisedim mes studentëve dhe kryeprokurorit e kryetarit të gjykatës Themelore në Pejë

Pejë, 16 Nëntor 2017 – Lëvizja FOL ka organizuar sot bashkëbisedimin mes studentëve dhe Kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë z. Kreshnik Radoniqi dhe kryetarit të Prokurorisë Themelore në Pejë z. Agim Kurmehaj. Temë e këtij bashkëbisedimi ishte: Edukimi dhe ngritja e vetëdijes së studentëve për dukurinë e korrupsionit dhe luftën ndaj tij.

Kryetari i Prokurorisë Themelore në Pejë, z. Agim Kurmehaj, para studentëve prezantoi punën e këtij institucioni dhe hapat të cilët kanë ndërmarrë në luftimin e korrupsionit. Ai i inkurajoi studentët që të aplikojnë në punë praktike, të marrin pjesë në seanca sepse praktika të cilën e fiton një student me pjesëmarrje direkte në seanca ju ndihmon në ushtrimin më të lehtë të këtij profesioni në të ardhmen. Ai po ashtu ftoi studentët të cilët kanë ndonjë pyetje apo ndonjë ankesë rreth prokurorisë që të paraqiten në zyrën e tij. “Zyra ime është e hapur çdo të premte nga ora 13 deri në ora 16, për çdo qytetarë që ka ndonjë ankesë apo edhe kërkesë për ndonjë lëndë, dhe ju nuk duhet të ngurroni të paraqitni ankesat e juaja”, tha Kurmehaj.

Gjithashtu edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, z. Kreshnik Radoniqi, prezantoi para studentëve punën që është duke e bërë kjo Gjykatë në luftimin e korrupsionit. Ai tha se drejtësia nuk shitet për askënd dhe drejtësia nuk bën të modifikohet për askënd. “Nëse një ditë filloni punën si gjykatës duhet ta dini se s’ka favore për njeri tjetrin sepse me ketë rast do të dëmtohet drejtësia”, tha Radoniqi.

FOL ka dy vite që organizon bashkëbisedime tilla me studentë dhe prokurorë apo gjykatës në Prishtinë, ndërkaq tani ka filluar që këto bashkëbisedime mes të parëve të prokurorisë dhe gjykatës të mbahen edhe nëpër qytete tjera.

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

Takim me kryetarin e Gjykatës Themelore në Ferizaj z. Bashkim Hyseni

Ferizaj, 13 Nëntor 2017 – Përfaqësues të Lëvizjes FOL sot u takuan me z.Bashkim Hyseni, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj. Gjatë këtij takimi u diskutua për punën dhe kushtet e punës në këtë gjykatë si dhe për lëndët kundër korrupsion.

Kryetari i Gjykatës z.Hyseni tha se Gjykata Themelore e Ferizajt i ka 30 gjykatës aktiv si dhe 5 gjykatës fillestar të cilët nga Janari fillojnë të marrin në punë lëndë nga kjo gjykatë. “Gjykata Themelore e Ferizajt qëndron shumë mirë më lëndët kundër korrupsion, ku në tre mujorin e fundit të këtij viti ka hyrë me vetëm 6 lëndë të kësaj natyre”, tha ai.

Sipas tij, Gjykata Themelore e Ferizajt ka zyrtarë të statistikave, ndërsa sa i përket kushteve të punës kjo gjykatë së shpejti të bartet në objekt të ri, të cilin e ka financuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

 

Ky grant është  financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Takim me kryetarin e Prokurorisë Themelore në Pejë z. Agim Kurmehaj

Pejë, 10 Nëntor 2017 – Përfaqësues të Lëvizjes FOL u takuan me z.Agim Kurmehaj, Kryetar i Prokurorisë Themelore në Pejë. Gjatë këtij takimi u diskutua për punën e Prokurorisë Themelore të Pejës, në veçanti për lëndët kundër korrupsion. Prokuroria e Pejës sipas tij qëndron shumë mirë me këto lëndë, sepse nga marrja e mandatit në Janar të këtij viti këto lëndë kanë qenë prioritet. “Nëse i krahasojmë numrin e këtyre lëndëve me Prokuroritë Themelore tjera ne dalim më mirë se të gjitha”, tha Kurmehaj. Ai tha se nga marrja e mandatit si kryeprokuror i Pejës punën e tij e ka bazuar në 2 shtylla kryesore; Reforma e Administratës si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, në veçanti me KEK-un dhe Policinë. Ai tha se në Prokurorinë Themelore të Pejës janë 25 praktikantë, të cilët po asistojnë në zvogëlimin e lëndëve të cilat kanë mbetur nga viti 2009. Z.Kurmehaj tha se sfidë gjatë mandatit të tij do ta ketë profesionalizmin e Prokurorëve në fusha të caktuara, zvogëlimin e lëndëve anti korrupsion, rritjen e numrit të prokurorëve si dhe gjetjen e ekspertëve në veçanti në ekspertizën e Prokurimit. Përndryshe Prokuroria Themelore e Pejës edhe pse e ka themeluar zyrën për statistika ende nuk ka zyrtarë që merret me mbledhjen e statistikave në Prokurori.

 

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Ligji aktual nuk mbron sinjalizuesit

Prishtinë, 7 Nëntor 2017 –  Lëvizja FOL në kuadër të projektit “Reforma Ligjore kundër korrupsion”, ka organizuar sot diskutimin lidhur me Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve në Kosovë. Panelist/e në këtë diskutim ishin: Avokati i Popullit z.Hilmi Jashari, Kryetarja e Komisionit për Legjislacion znj. Albulena Haxhiu, Drejtori i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në AKK z.Afrim Atashi.

Gresa Smolica nga Lëvizja FOL, prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të FOL-it, lidhur me Ligjin aktual për Mbrojtjen e Informatorëve. “Nga raporti i Lëvizjes FOL lidhur me Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve, vërehet domosdoshmëria për mbrojtjen e sinjalizueseve, si persona të cilët zbulojnë keqpërdorimet në vendin e tyre të punës. Duke u konsideruar si proces mjaft i ndërlikuar, sinjalizuesve duhet tu ofrohet mbrojtje ligjore për të shmangur rastet e hakmarrjes apo diskriminimit për shkak të informatës së zbuluar, tha Smolica, duke shtuar se bazuar edhe në rekomandimet e Këshillit të Evropës, FOL ka parë të nevojshme përfshirjen e Avokatit të Popullit dhe Agjencisë Kundër Korrupsion në procesin e definimit të statusit të tyre.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion znj. Albulena Haxhiu, tha se ka shumë nevojë që ky ligj të amandamentohet, ngase ligji aktual ka shumë zbrazëtira. “Ligji ka kundërthënie të neneve mes vete. Unë mendoj që është më mirë që ky raport të adresohet në Komisionin për Legjislacion pasi që është shumë i vlefshëm dhe si i tillë mund të procedohet si projektligj, ngase përmes ministrisë mund të marrë më shumë kohë”, tha Haxhiu, e cila shtoi se sipas saj, në shumë institucione të punësuarit as që nuk kanë dëgjuar për këtë Ligj.

Avokati i Popullit z.Hilmi Jashari, deklaroi se Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve bie ndesh dhe ka shumë kohezion edhe me ligje tjera siç është edhe Ligji për Shërbyesit Civil. “Duhet të bëhet një harmonizim i të gjitha ligjeve ose të bëhet kodifikimi i së drejtës”, tha Jashari.

Ndërkaq Drejtori i Departamentit për Parandalimin e Korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion z.Afrim Atashi, tha se Ligji aktual ka shumë pak nene mirëpo edhe ato që janë nuk po zbatohen. “Është e pamundshme që me bazën ligjore që e ka AKK si dhe me kapacitetet e saj ta ketë barrën për të pranuar informata nga informatorët”, tha Atashi.

Murat Mehmeti, inspektor hetues në ATK, tregoi për arsyet se pse ai ka vendos që të sinjalizoj për keqpërdorimet në ATK si dhe sfidat me të cilat ai është përballë në vendin e punës.

Ndër rekomandimet tjera të paraqitura në këtë raport, përfshihet ndryshimi i emrit të ligjit konkretisht të quhet Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, definimi i statusit të sinjalizuesve dhe vlefshmëria e mbrojtjes ligjore për sinjalizimet në të mirë të interesit publik dhe përcaktimi i procesit 3-shkallësh të sinjalizimit ku përfshihet sinjalizimi i brendshëm, sinjalizimi pranë Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Agjencisë Kundër Korrupsion si dhe sinjalizimi i jashtëm.

Drejtori i Lëvizjes FOL vizitë në McCain Institute në Washington

Me ftesë të McCain Institute, dje në Washington, drejtori i FOL, Petrit Zogaj ka mbajtur një prezantim, me fokus të veçantë zhvillimet politike në vend, qeverisjen dhe problemet e saj me politikat kundër korrupsion si dhe për nivelin e të drejtave të njeriut.

Prezent në këtë diskutim ishin, udhëheqës të Institutit McCain, përfaqësues nga Departamenti i Shtetit si dhe një grup studentësh.

Bashkëbisedim me Avokatin e Popullit z. Hilmi Jashari, për Integritetin e Gjyqësorit

Prishtinë, 3 Nëntor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot bashkëbisedimin e radhës ku i ftuar ishte Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari. Temë e këtij bashkëbisedimi ishte Integriteti i Gjyqësorit.

Audiencë në këtë diskutim ishin studentë nga Universitetet Publike dhe Private.

Ky bashkëbisedim mbështetet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë në kuadër të projektit ‘Promovimi i Integritetit në Sektorin Gjyqësor’.

Monitorimi i Prokurimit Publik në Kosovë, Ngritja e llogaridhënies së institucioneve për mënyrat e shpenzimit të parasë publike

Prishtinë, 31 Tetor 2017 – Lëvizja FOL ka publikuar raportin: Monitorimi i Prokurimit Publik ne Kosove, Ngritja e Llogaridhenies se institucioneve per menyrat e shpenzimit te parase publike Ky raport paraqet të gjeturat nga monitorimi tremujor i kontratave me vlerë të mëdha nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. 

Monitorimi i Prokurimit Publik në Kosovë, Ngritja e llogaridhënies së institucioneve për mënyrat e shpenzimit të parasë publike Download

Rinia mbetet e papërfshirë në proceset vendimmarrëse

Prishtinë, 31 Tetor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin e hapur me temën “Dialogu social: Si të përfshijmë rininë në dialog dhe çfarë ka bërë KES-i në këtë drejtim”. Panelist/e në këtë diskutim ishin: Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Fjolla Bajraktari, nga Innovation Lab Kosovo/PEN dhe Rashit Mehmeti nga Bashkimi i Sindikatave të pavarura të Kosovës(BSPK).

Gersi Gashi nga Lëvizja FOL prezantoi të gjeturat e raportit “Dialogu social në Kosovë: Roli i KES-it dhe përfshirja e rinisë në dialog”. Gashi tha se ky dokument politikash është i ndarë në disa pjesë ku janë analizuar: legjislacioni dhe rrjedhimisht mandati i Këshillit Ekonomiko-Social në Kosovë (KES), puna dhe të arriturat e KES-it që nga themelimi, krahasimin e KES-it me vende tjera dhe rekomandimet për të rritur impaktin e KES-it.  “Dialogu social është një proces shumë i rëndësishëm për funksionimin e duhur të shtetit dhe për një sistem demokratik të qeverisjes. Në Kosovë, si term por edhe në politikbërje, dialogu social nuk është shumë i njohur për publikun e gjerë. KES-i në Kosovë mbartë në vete rolin e shtyrjes përpara të dialogut social. Si mekanizëm që bën bashkë përfaqësuesit e punëdhënësve/eve, punëmarrësve/eve, dhe Qeverisë, padyshim se KES ka për detyrë që të sigurojë gjithpërfshirje në dialog, duke ngritur vetëdijen mbi dialogun social dhe nxitjen e të gjithë shoqërisë të jetë pjesë në të, përfshirë këtu edhe rininë”, tha Gashi.

Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare tha se edhe pas 9 viteve pavarësi, Kosova mbetet vend me varfëri dhe papunësi të madhe. “Nga viti 2009 raportet e progresit kanë theksuar nevojën për përmirësimin e legjislacionit në fushën sociale. Termi skllavëri moderne është përshkrimi më i mirë i gjendjes së punëtorëve në sektorin privat, e posaçërisht në bizneset e vogla”, tha Hoxha duke shtuar se vetëm në vitin 2017 kemi 15 raste të vdekjeve në vendin e punës, shumica e tyre në sektorin e ndërtimtarisë. Ajo tha se sfidë mbetet moszbatimi i kontratës kolektive, sidomos tek sektori privat. “Unë mendoj se Kosova duhet të ndërmarr tre masa për të rritur punësimin: Angazhimi i shtuar i rinisë në Sindikata, përkrahja e shtetit me grante për StartUps dhe përpilimi i praktikave që shtojnë angazhimin e të rinjve” tha Hoxha.

Rashit Mehmeti nga Bashkimi i Sindikatave të pavarura të Kosovës(BSPK) tha se deri në vitin 2011 anëtarët e KES-it nuk kanë marrë kompensim dhe kjo ka mundur të ndikojë që KES të mos jetë shumë efektiv. “Paga minimale ka qenë shumë herë në rendin e ditës ku kemi kërkuar që ajo të jetë 220-250 €, mirëpo kjo nuk ju konvenon përfaqësuesve te bizneseve”, tha Mehmeti. Për më tepër ai shtoi që involvimi i rinisë është tani cak i BSPK-së, dhe janë duke u ndërmarrë reforma brenda që do të shtyjnë këtë përpara.

Fjolla Bajraktari, nga Innovation Lab Kosovo/PEN, tha se vetë sistemi edukativ në Kosovë nuk nxit debatin edukativ në shkolla dhe kështu të rinjtë nuk janë të gatshëm që të debatojnë. “Ne kemi mbajt punëtori çdo tre muaj në fshatra të komunave të Kosovës, ku në fillim ka pas hezitim të të rinjve për të marrë pjesë dhe nganjëherë kemi pasur edhe hezitim të vendimmarrësve për të bashkëpunuar”, Bajraktari. Mirëpo shumica e rasteve kanë rezultuar të jenë storie të suksesit, dhe është parë që ka një dëshirë nga të rinjtë dhe të rejat për involvim sa më të madh, sidomos në vendimmarrje, plotësoi Bajraktari.

 

Ky aktivitet u mbështetet nga Enhancing Youth Employment- EYE Project – projekt i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA.