FOL ka mbajtur takim me Kryetarin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj

Ferizaj, 06 Tetor 2017 – Përfaqësues nga Lëvizja FOL sot u takuan me z.Shukri Jashari, Kryetar i Prokurorisë Themelore në Ferizaj. Gjatë këtij takimi u diskutua për punën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në veçanti për lëndët e natyrës korruptive. z. Jashari tha se “lëndët e kësaj natyre janë një sfidë për Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në veçanti në këtë periudhë ku jemi me një numër shumë të vogël të prokurorëve. Shumë prokurorë kanë ike në Prokurori të Shtetit, disa në Speciale. Shkak i mungesës së Prokurorëve, lëndët e natyrës korruptive nuk mund të mbrrin në piken zero” tha ai.

Gjatë periudhës Janar-Qershor 2017, Prokuroria Themelore Ferizaj nga 125 lëndë, i ka zgjidhur 45 nga to.

Ndërkaq sa i përket kushteve të punës, objekti i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka disa muaj që është përuruar dhe i plotëson të gjitha standardet e punës.

Ky takim është  aktivitet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Gjykatat duhet të punojnë me ritëm të shtuar për të zvogëluar pritjen për drejtësi

Prishtinë, 03 Tetor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur konferencë për media me ç’rast ka prezantuar statistikat kundërkorrupsion të Gjykatave Themelore. Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se të dhënat e prezantuara janë statistika për periudhën Janar-Mars si dhe Prill-Qershor per vitin 2017. Sipas tij statistikat janë zyrtare dhe janë marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. “Këto të dhëna janë marrë nga grupi i veprave penale: ‘Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, nenet 422 – 437, Kapitulli XXXIV i Kodit Penal të Kosovës’. Ndërkaq matja e efikasitetit të Gjykatave në fushën kundërkorrupsion është bërë duke u mbështetur kryesisht në metodologjinë e përdorur nga Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë”, tha Zulfaj. Sipas tij, puna e Gjykatave matet me lëndë dhe se matjet nuk tregojnë për cilësinë e lëndëve dhe cilësinë e punës së gjykatësve por vetëm për përformancën në përballjen me fluksin e lëndëve.

“Fushat në të cilat FOL ka mat performancën e Gjykatave janë: Fluksi i lëndëve, norma e zgjidhjes së lëndëve, norma e qarkullimit të lëndëve, trendi i zgjidhjes së lëndëve, kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve dhe indeksi i lëndëve të grumbulluara”, tha Zulfaj.

Në nivel qendror, gjykatat kanë përballuar mirë fluksin dhe kanë treguar normë pozitive të zgjidhjes së lëndëve duke zgjidhur më shumë lëndë se sa kanë pranuar, megjithatë normat 120% për tremujorin e parë (Janar-Mars) dhe 114% për tremujorin e dytë (Prill-Qershor) janë të pamjaftueshme për të zvogëluar numrin e lëndëve të grumbulluara. Gjykata e Prishtinës në veçanti ka një numër të lartë të lëndëve të grumbulluara.

Gjykata Themelore e Ferizaj në periudhën Prill-Qershor ka punuar me normë prej 350% duke pranuar 5 lëndë për të njejtën periudhë dhe duke zgjidhur 15. Kjo normë ka ndikuar që numri i lëndëve të bartura të zvogëlohet për periudhën pasardhëse, cka bënë që koha për drejtësi të zvogëlohet dukshëm.

Gjilani në anën tjetër në periudhën Prill – Qershor ka pranuar vetëm 8 lëndë në fushën e korrupsionit dhe ka zgjidhur vetëm 2, duke rritur kështu numrin e lëndëve të bartura.

Përformanca në përballimin e fluksit të lëndëve të reja në raport me lëndët e zgjidhura ndikon në pritjen për drejtësi. Kjo pasi lëndët që nuk arrihet të zgjidhen i shtohen totalit të lëndëve të bartura. Prishtina me normë të qarkullimit të lëndëve prej 0.15 dhe normë të zgjidhjes së lëndëve prej 161% për periudhën Janar-Mars, merr 600 ditë për zgjidhjen e një lënde, kurse në periudhën Prill-Qershor, Gjilani me një normë të qarkullimit të lëndëve prej 0.03 dhe normë të zgjidhjes së lëndëve prej 25%, bënë që një lëndë të trajtohet për 3000 ditë.

Gjilani ka një përformancë jo të mirë në të dy periudhat raportuese (Janar-Mars dhe Prill-Qershor).

FOL shpreson që këto statistika së pari të informojnë publikun mbi efikasitetin e gjykatave në fushën kundërkorrupsion por edhe të ndihmojnë gjykatat në përmirësimin e efikasitetit të zgjidhjes së lëndëve.

 

*Statistikat janë statistika zyrtare të publikuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

 

Ky grant është  financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Përtej numrave – performanca e Gjykatave Themelore në luftën kundërkorrupsionit për periudhën Janar-Mars 2017

Prishtinë, 3 Tetor 2017 – Lëvizja FOL ka publikuar raportin “Përtej numrave – performanca e Gjykatave Themelore në luftën kundërkorrupsionit për periudhën Janar-Qershor 2017” .  Gjykatat_Janar Mars  Gjykatat – Prill Qershor

Përtej numrave – performanca e Gjykatave Themelore në luftën kundërkorrupsionit për periudhën Janar-Mars 2017 Download

Prezantimi i FOL në tryezën “Nga faktet në vepra”

Prishtinë, 21 Shtator 2017 –  Lëvizja FOL ishte pjesëmarrëse në tryezën “Nga faktet në vepra”, të organizuar nga programi “Kërko Drejtësi”. Gersi Gashi, nga Lëvizja FOL, prezantoi se si projekti
e-Gjykata ka ndihmuar në ngritje të transparencës së gjyqësorit. Nga 54 vendime të publikuara në fillim të këtij projekti, tani janë mbi 2,000.

Platforma e-gjykata.org është vetëm hapi i parë drejt digjitalizimit të gjyqësorit dhe rrjedhimisht ngritjes së transparencës. Platforma ofron mundësinë për të filtruar vendimet përmes 13 filtrave të ndryshëm, ofron qasje në orare të gjykimeve, dhe paraqet vizualisht deklarimet e aseteve të gjyqtarëve/eve.

Ky projekt është në kuadër të programit “Kërko Drejtësi” që financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit/INL dhe implementohet nga National Center for State Courts.

Përtej numrave – performanca e Prokurorisë në luftën kundërkorrupsionit për periudhën Janar-Qershor 2017

Prishtinë, 15 shtator 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur konferencë për media me ç’rast ka prezantuar statistikat kundërkorrupsion të Prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale. Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se të dhënat e prezantuara janë statistika për periudhën Janar-Mars si dhe Prill-Qershor per vitin 2017. Sipas tij statistika janë zyrtare dhe janë marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. “Këto të dhëna janë marrë nga grupi i veprave penale: ‘Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, nenet 422 – 437, Kapitulli XXXIV i Kodit Penal të Kosovës’. Ndërkaq matja e efikasitetit të Prokurorisë në fushën kundërkorrupsion është bërë duke u mbështetur kryesisht në metodologjinë e përdorur nga Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë por edhe në metoda tjera”, tha Zulfaj. Sipas tij, puna e Prokurorisë matet kryesisht me persona dhe se matjet nuk tregojnë për cilësinë e lëndëve dhe cilësinë e punës së prokurorëve.

“Fushat në të cilat FOL ka mat performancën e Prokurorisë janë: Fluksi i lëndëve, norma e zgjidhjes së lëndëve, norma e qarkullimit të lëndëve, trendi i zgjidhjes së lëndëve, kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve dhe indeksi i lëndëve të grumbulluara”, tha Zulfaj.

Fluksi i lëndëve kundërkorrupsion në nivel kombëtar për periudhën Janar-Mars janë: lëndë të pazgjidhura 1151, lëndë të reja 203, lëndë në punë 1354, lëndë të zgjidhura 228, lëndë të pazgjidhura – 1126. Ndërkaq për periudhën Prill – Qershor janë: lëndë të pazgjidhura 1083, lëndë të reja 160, lëndë në punë 1243, lëndë të zgjidhura 271, lëndë të pazgjidhura 972.

Norma e zgjidhjes së lëndëve është tregues i performancës së punës së Prokurorive. Duke u bazuar në performancën për tre mujorin e parë të vitit 2017, del se Prokuroria ka punuar efektivisht mbi nivelin 100% në nivel qendror, norma e zgjidhjes së lëndëve për tre mujorin e parë është 112%, ndërsa për periudhën Prill – Qershor është 169%.

Ndërsa koha e zgjidhjes së lëndëve në nivel kombëtar qëndron në 450 ditë për periudhën Janar-Mars. Ndërkaq, për Prill – Qershor është 333 ditë. Sa i përket indeksit të lëndëve që na tregon lëndët e grumbulluara në nivel kombëtarë indeksi qëndron në 5.0 për tre mujorin e parë, kurse 4.0 në tre mujorin e dytë.

Ndërkaq sa i përket të gjeturave për prokuroritë themelore, Zulfaj tha se “Prokuroria Themelore e Prishtinës ka numrin më të madh të lëndëve të bartura për periudhën Janar-Mars e që janë 595, ka pranuar 102, kurse ka zgjidhur 28. Performancë të ngjashme ka treguar Prokuroria Themelore e Prishtinës edhe për tre mujorin e dytë, ku ka trashëguar 574 lëndë, 71 ka pranuar si të reja, kurse ka zgjidh 114”.

Prokuroria Themelore e Ferizajt me Prokurorin Themelore të Prizrenit kanë normën më të mirë të zgjidhje së lëndëve për periudhën Janar-Mars 2017 me PTHF=200% PTHP=177%, ndërkaq performancë më të dobët gjatë kësaj periudhe kanë treguar Mitrovica dhe Prishtina PTHM = 41% PTHP = 27%. Në tre mujorin e dytë Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka normën më të lartë të zgjidhjes së lëndëve me 470%, kurse më të dobëtën e ka Prokuroria Speciale me 90%.

Në bazë të trendit Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe Prokuroria Themelore e Ferizajt pritet që ti nivelizojnë lëndët në 5 vitet e ardhshme, kurse Prokuroria Themelore e Pejës për 32 vjet. Ndërkaq për periudhën Prill – Qershor, Prokuroria Themelore e Gjakovës pritet që ti nivelizojë lëndët në 4 vitet e ardhshme.

Koha e zgjidhjes së lëndëve tregon se Mitrovica qëndron më së keqi për tre mujorin e parë pasi prokuroria atje merr 4500 ditë për trajtimin e lëndëve (personave) e shoqëruar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës me 2250 ditë. Sa i përket tre mujorit të dytë të këtij viti, Prokurorisë Speciale I merr 1000 ditë për trajtimin e lëndëve për persona, kurse ajo e Prishtinës I merr 428 ditë.

 

 

*Sqarim: Puna e Prokurorisë matet kryesisht me persona dhe se kjo matje nuk tregon për cilësinë e lëndëve dhe cilësinë e punës së prokurorëve, cilësinë e shërbimit të administratës apo integritetin dhe profesionalizmin e prokurorëve.

*Statistikat janë statistika zyrtare të publikuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në disa pjesë numri i lëndëve të prokurorive të veçanta nuk pasqyron numrin total të lëndeve në nivel qendror. Këto pasaktesi në numra duhet të adresohen tek Këshilli Prokurorial i Kosovës.

 

Ky grant është  financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Kategorizimi i pagës minimale diskriminon punëtorët

Prishtinë, 12 Shtator 2017 – Lëvizja FOL ka organizuar diskutimin e hapur për Pagën minimale dhe efektet e saj në punësim, ku panelistë ishin: Haxhi Arifi – BSPK, Alejtin Berisha – Ndërmarrës, Besnik Bislimi – Profesor, Lumnije Hashani­ – Oda Ekonomike e Kosovës.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se paga minimale është një ndër çështjet më senzitive në vendimmarrje dhe nuk është vetëm politikë e shtetit për të ndërhyrë në tregun e punës, por është edhe çështje morale për të siguruar që nuk ka eksploatim të punëtorëve/eve. “Vendimi i marr në vitin 2011 për pagë minimale ka qenë vendim ad-hoc, ku nuk ka pasur diskutim publik që do të përfshinin akademinë, sindikatat dhe bizneset. Formulat për përcaktim të pagës minimale nuk janë shpjeguar dhe arsyetuar, kurse paga minimale e ndarë në bazë të moshës nuk ka ndonjë bazë ligjore dhe logjike dhe si e tillë është diskriminuese. Në nivel akademik nuk mbështetet rritja e pagës minimale mbi nivelin e ekuilibrit pasi do të ketë ndikim negativ në punësim”, tha Zulfaj.

Besniki Bislimi, profesor i lëndës Ekonomiksi i tregut të punës, tha se paga minimale në vendet normale, nuk konsiderohet si instrument për luftimin e varfërisë. “Shembull është Amerika ku vetëm 4% janë të afektuar nga paga minimale, dhe zakonisht janë studentë/e, e që jo doemos janë pjesë e shtresave të varfra. Më mirë kishte me qenë subvencioni i pagave, se sa pagat minimale si instrumente të politikave. Sindikatat nuk duhet të jenë pjesë të diskutimeve për pagë minimale, pasi që kanë konflikt interesi”, tha Bislimi, duke shtuar se anëtarët e sindikatave zakonisht marrin paga më të larta se paga minimale dhe nuk janë të prekur nga ajo.

Ndërkaq Alejtin Berisha, ndërmarrës, tha se nuk ka vend në botë që biznesi kërkon rritje të pagës minimale, për shkak se biznesi nuk duhet të besojë që dikush tjetër t’ia rregullojë pagën. Sindikatat kanë konflikt interesi në përcaktim të pagës minimale. “Një ngritje e pagës minimale do të kishte ndikim negativ për studentët/et për të i ndërprerë studimet. Tani për tani kjo nuk është çështja”, tha Berisha.

Haxhi Arifi, nga BSPK- tha se në Këshillin Ekonomiko-Social(KES) ka pasur diskutime të shumta rreth pagës minimale, dhe në fund është nxjerrë një pagë minimale e kategorizuar, por ka qenë diskriminuese për punëtorët. Ky vendim është marrë me konsensus. Qeveria ka vendosur jashtë asaj se çfarë është arritur si konsensus dhe kanë marrë vendim që është diskriminim ndaj moshës së re. Ne si BSPK kemi kërkuar se bazë të jetë 60 % e pagës mesatare të merret si pagë minimale.

Lumnije Hashani nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se kategorizimi i pagës minimale nuk përkrahet as nga Oda Ekonomike e Kosovës për arsye se është vendim diskriminues. “KES-i ka rol këshillues dhe Qeveria është ajo që i merr vendimet. Nëse i marrim parasysh kriteret e vendosura ligjore për bazë, atëherë paga minimale ishte dashur të pësojë rritje çdo vit, por kjo nuk ndodh”, tha Hashani. Sipas saj në bazë të një hulumtimi të bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës me rreth 500 biznese, 80% prej tyre kanë pohuar që duhet të hiqet kategorizimi i pagës minimale andaj duhet të hiqet, 85% kanë thënë që patjetër duhet të jetë paga minimale. Ndërsa shumica kanë thënë që 220 Euro do të ishte e përballueshme për bizneset si pagë minimale.

 

Ky aktivitet u mbështetet nga Enhancing Youth Employment- EYE Project– projekt i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA.

Diskutim rreth transparencës së gjyqësorit

Prishtinë, 7 shtator 2017 – Lëvizja FOL, përmes programit “Kërko Drejtësi”, ka mbajtur sot një takim me akterë të gjyqësorit për të diskutuar rreth transparencës në sistemin gjyqësor në Kosovë. Paneli i përbërë nga Dastid Pallaska, Avokat, Afërdita Bytyçi, Kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, diskutuan dhe ndanë pikëpamjet e tyre për transparencën në sistemin gjyqësor.

Gersi Gashi, nga Lëvizja FOL, hapi diskutimin me dy çështje thelbësore që janë: publikimin e aktgjykimeve dhe publikimin e arsyeve të mosmbajtjes së seancave gjyqësore. z. Gashi potencoi që publikimi i aktgjykimeve shërben në të mirë të qytetarëve por edhe të gjyqësorit si institucion. Publikimi i aktgjykimeve ndër të tjera, rrit sigurinë juridike, stimulon gjykatësit që të argumentojnë rastet sa më mirë, ndihmon në rritje të besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe ndihmon studentët që të kuptojnë më mirë sistemin duke i studiuar raste konkrete.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Afërdita Bytyçi, potencoi që ndonëse transparenca mbetet prioritet i gjykatës, dhe kjo mund të shihet nga numri i aktgjykimeve të publikuara, është shumë me rëndësi të kuptohet që ka mungesë të madhe të resurseve në gjykata. Ajo shtoi që efikasiteti i gjykatave, sidomos i asaj në Prishtinë, është në rritje dhe si rezultat i kësaj, më shumë lëndë janë zgjidhur, se sa që janë pranuar në gjykatë.

Prokurori Hamiti, theksoi se një efikasitet i tillë në rritje mund të vërehet edhe në prokurori, por shtoi se problem mbetet mos informimi i qytetarëve me punën e prokurorëve.

Një ndër arsyet e mosbesimit të qytetarëve në gjykata dhe prokurori, është mospublikimi i punës së tyre dhe mos informimi i publikut me kohë. Mungesa e transparencës nga vet gjykatat i mundëson  qytetarëve të informohen vetëm nga burime të tjera. Prandaj, është me rëndësi që gjykatat të vazhdojnë me publikimin e vendimeve gjyqësore, të  punohet rreth publikimit të të gjitha vendimeve (përfshirë ato që nuk janë të formës së prerë) dhe  të fillojë publikimi i  arsyeve të mos mbajtjes së seancave. “Rritja e transparencës në punën e gjykatave do të ndikojë në rritjen e besimit të qytetarëve në gjykata”, shtoi Gashi.

Dastid Pallaska, në rolin e avokatit, mbështet fuqishëm publikimin e vendimeve gjyqësore së pari duke i anonimizuar të dhënat personale, për arsye të mos-shkeljes së prezumimit të pafajësisë.  “Ekziston një problem edhe më i thellë, kur flitet për transparencën. Arsyetimi jo profesional i vendimeve dhe mos transparenca në to. Ngase ka raste kur as argumentimi i avokatit, nuk përmendet fare në vendim gjyqësor” theksoi Pallaska.

Pallaska poashtu theksoi se si zgjidhje nuk duhet të jetë ankimi i vazhdueshëm për mungesë gjyqtarësh, ngase sipas tij kjo mund të mbulohet shumë lehtë duke e rritur numrin e bashkëpunëtorëve profesional dhe asistentëve ligjor për gjyqtarë.

Kjo do të ishte një strategji shumë funksionale për zvogëlimin e numrit të lëndëve të vjetra, përgatitjen profesionale të gjyqtarëve të ardhshëm dhe do të ndikonte edhe në rritjen e transparencës.

Në fund, të gjithë panelistët ishin të mendimit që publikimi i aktgjykimeve duhet të bëhet, dhe se gjykatat duhet të informojnë qytetarët me punën e tyre.

 

Mbledhja e rregullt e Kuvendit të Anëtarëve të Lëvizjes FOL

Prishtinë, 31 Gusht 2017– Kuvendi i Anëtarëve të Lëvizjes FOL ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku është bërë zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit si dhe Drejtorit Ekzekutiv të Lëvizjes FOL.

Kryesues i Kuvendit për dy vitet e ardhshme u rizgjodh Armend Pajaziti, ndërkaq me 15 vota për, 1 votë kundër dhe 1 abstenim, Petrit Zogaj është rizgjedhur drejtor i Lëvizjes FOL. Numri i anëtarëve të Kuvendit të Lëvizjes FOL arrin në 27, ndërkaq, në këtë mbledhje prezent ishin 17 prej tyre.

Petrit Zogaj është bashkëthemelues i Lëvizjes FOL dhe nga shtatori i vitit 2011, ka shërbyer në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv. Zogaj, gjithashtu është edhe themelues i S’bunker dhe anëtar i bordit editorial të saj. Ai ka studiuar Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës.

Po ashtu gjatë kësaj mbledhje u miratua Raporti Financiar dhe Raporti i Punës për vitin 2016.

 

 

Sigurimet shëndetësore do të ndikonin në rritjen e punësimit

Prishtinë 20 korrik 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin e hapur me temën “Ndikimi i sigurimit shëndetësor në punësim, me fokus në rini”Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, tha se FOL ka bërë një hulumtim sa i përket ndikimi të sigurimit shëndetësor në punësim dhe se përmes këtij debate, do të kuptojmë më shumë rreth mos fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore.

Gersi Gashi nga FOL prezantoi të gjeturat e raportit “Ndikimi i sigurimeve shëndetësore në ekonominë e Kosovës”. Të gjeturat kryesore tregojnë që në mungesë të hapave konkret dhe të shpejtë ende jemi pa sigurim shëndetësor. Gashi tha se transparenca e këtij procesi është kyçe që ky sistem të funksionoj. “Ndër të tjera duhet të ketë: konsultim dhe konsensus nga akterët kryesore, dhe të përmbushen të gjitha kriteret e parapara para fillimit të mbledhjes së premiumeve”, tha Gashi duke shtuar se ndikimi i sigurimeve shëndetësore në ekonomi në bazë të të gjeturave është pozitiv. Po ashtu teoritë dhe të gjeturat empirike tregojnë që ka gatishmëri nga qytetarët për të paguar sigurimin shëndetësor dhe barra për biznese nuk do të ishte aq e madhe sa të ulte punësimin e të rinjve.

Ndërkaq, Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), tha se mosimplementimi i ligjeve ka ndikim jo të mirë në shtetin e Kosovës sepse sigurimet shëndetësore nuk kanë të bëjnë vetëm me shëndetësinë. “Nuk është befasuese që qeveritë nuk nguten të përmbushin obligimet e tyre për implementimin e ligjeve. Nuk është diçka e mirë mosimplementimi i ligjit as për shtetin as për partnerët. Vetëm ne në Kosovë kemi mbetur pa pasur Ligj të Sigurimeve; në rajon i kanë të gjithë. Ky ligj nuk është që ka të bëjë vetëm me sigurime shëndetësore por edhe të punësimit sidomos të të rinjve për shkak se kemi një kontingjent prej 25 mijë të rinjve që çdo vit janë të aftë për tregun e punës”, tha Arifi.

Kryetari i Federatës së Sindikatës Shëndetësore të Kosovës, Blerim Syla, tha se fajtor për mungesën e sigurimeve shëndetësorë në Kosovë janë të gjitha qeveritë e deritanishme, por edhe faktorin ndërkombëtar. “Fajtor është Qeveria e Kosovës por jo vetëm kjo qeveri, fajin e ka edhe faktori ndërkombëtar. Koncept-dokumenti që është bërë parasheh që bizneset e mesme të goditen dhe bizneset e mëdha të favorizohen. Atëherë si sjell kjo punësimin e të rinjve? Ne si federatë kemi propozuar që të bëjmë një përshkallëzim. Të merret si shembull Sllovenia dhe Kroacia të cilat kanë 26 kategori të pagesave të premiumeve”,tha Syla duke shtuar se ende nuk janë përmbush kriteret ligjore për fillimin e mbledhjes se primumeve.  Sipas tij, ende nuk është përpiluar lista e shërbimeve që do ti mbuloj sigurimi shëndetësor, mungon çmimorja, mungon pajisja me kartela shëndetësore, nuk ka ndonjë datë të saktë se kur do të merret shërbimi etj.

Ndërsa Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), tha se qysh në janar e kanë ditur që nuk do të ketë sigurime shëndetësore, ashtu siç është premtuar. “Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, dhe veçanërisht për të rinjtë që të kemi sigurime shëndetësore. Ne qysh në janar e kemi ditur se nuk do të mund të kemi sigurime shëndetësore në muajin Korrik për shkak se punët nuk kanë qenë të kryera, madje dyshoj që ende nuk kanë filluar”, ka thënë ajo.

Lumnije Hashani, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se në bashkëpunim me bizneset kanë listuar rekomandimet rreth këtij ligji dhe ia kanë dërguar qeverisë.

Fatmir Haxholli, njohës i politikave sociale dhe të punësimit, tha se mungesa e presionit të mjaftueshëm është shkaktar i mos fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurimin shëndetësor. Sipas tij, ka shumë njerëz që punojnë në tregun informal dhe nëse do të kishte sigurim shëndetësor njerëzit do të bënin presion më shumë tek punëdhënësit ti pajisin me kontrata. “Njësoj do të ndikonte edhe tek ata papunë. Sikur të kishte sigurime shëndetësor, njerëzit do të punonin sepse secili kish dashtë me pas sigurim shëndetësor për fëmijët e tyre”, tha Haxholli.

Lundrim Aliu, nga Banka Botërore në Kosovë, tha se Banka Botërore ka përkrahur sistemin shëndetësor në Kosovë gjatë tërë kësaj kohe. “Banka Botërore ka përkrahur qeverinë e Kosovës në reformat që janë duke u bërë në shëndetësi, në këtë rast edhe për sigurimet shëndetësore. Ne kemi kërkuar që qytetarët e varfër të jenë të paprekur nga pagesat e sigurimit shëndetësor dhe se ofrimi i shërbimeve të filloj paralelisht me mbledhjen e premiumeve”, tha Aliu, duke shtuar se ende ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe Ministria e Shëndetësisë do të duhej të na tregonte se ku kanë mbetur punët.

 

EYE is project of Swiss Cooperation Office and implemented by consortium of Helvetas Swiss Cooperation and MDA

S’ka tatim pa informim: Transparenca në prokurimin publik në Kosovë

Prishtinë, 18 korrik 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot tryezën e diskutimit me ç‘rast është publikuar edhe draft raporti “S’ka tatim pa informim: Transparenca në prokurimin publik në Kosovë”. Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha se sot do të prezantohet raporti rreth prokurimit publik. “FOL është marrë rreth 6 vite me prokurimin publik, duke parë që pengesat janë të shumta FOL është përkushtuar që të jap rekomandime dhe të ndikoj në përmirësimin e gjendjes së kësaj fushe”, tha Zogaj.

Ndërkaq, Jeton Zulfaj, nga Lëvizja FOL tha se metodologjia e këtij raporti përfshin një sërë intervistash me institucione, hulumtim përmes rasteve të studimit, duke pasur fokus transparencën në prokurimin publik. Të gjeturat kryesore të këtij raporti kanë të bëjnë me transparencën e kufizuar që e ofron korniza e tanishme ligjore si dhe qasja e kufizuar në dokumente publike bazuar në ligjin për prokurimin publik. Sistemi i centralizuar i prokurimit bën që korrupsioni të jetë edhe me prezent, kurse mungesa e regjistrit të partnereve në prokurimin publik i le edhe me shumë hapësirë zhvillimit të korrupsionit. Mos verifikimi i bizneseve të huaja nga ARBK bën që të kemi mjaft biznese të huaja të fshehta që vijnë dhe operojnë në Kosovë. Zulfaj shtoi se qasja në kontrata shpesh arsyetohet duke u thirrur në interesa komerciale, kurse platforma online e prokurimit publik ofron qasje të kufizuar për qytetarët që dëshirojnë të dinë më shumë rreth kontratave publike.

Vjosa Pllana nga FOL tha se “institucionet që kufizojnë qasjen në dokumente publike mbi bazën e mbrojtjes se interesave ekonomike dhe komerciale bëjnë shkelje kushtetuese”.

Safet Hoxha, kryetar i KRPP-së, tha se të gjeturat e këtij raporti reflektojnë gjithë përfshirjen e institucioneve në shpenzimin e parasë publike.  Sipas tij, të gjitha palët e interesuara duhet të kenë qasje të barabartë në të gjitha fazat në mënyrë që transparenca të jetë në nivelin e duhur. “Meqë prokurimin po e definojmë si proces kompleks, duhet të dimë se edhe legjislacioni jonë ka arrit të jetë në nivel të kënaqshëm, edhe pse ka nevojë ende për përmirësime”. Hoxha tha se çdo blerje mbi 1000 euro, çdo ndryshim në proces të tenderimit, çdo rezultat, vendimet e OSHP-së etj, publikohen në ueb faqen e KRPP-së. “Jemi duke punuar intenzivisht për përmirësimin e prokurimit elektronik që të rrit nivelin e transparencës dhe rritjen e besimit të qytetarëve në procesin e prokurimit publik”. Sipas tij, E-PROKURIMI për momentin është në fazë të kufizuar sa i përket qasjes në të, mirëpo është duke punuar në këtë drejtim dhe në momentin që platforma të stabilizohet do të kenë qasje edhe OJQ-të edhe qytetarët.

Stephen Carpenter nga USAID/TEAM, tha se do të ndalet më shumë tek transparenca e proceseve të prokurimit. “Që të kemi një sistem të mirë të prokurimit duhet të kemi E-Prokurimin edhe më funksional, funksionim të mirë të auditimit, dhe të kemi media dhe shoqëri civile aktive”, tha Carpenter, duke shtuar se Kosova ka shënuar progres në këto 4 fusha por ende mbetet shumë punë për të bërë.
Sipas tij, Qeveria ka paraqitur disa module kryesore, por ka ende edhe module tjera. “Përgatitja e specifikacioneve teknike, rishikimi i ankesave, menaxhimi i kontratave, këto janë fushat ku USAID/TEAM, është duke punuar edhe me akterët tjerë që të ngritin më shumë kapacitetet”

Shaip Havolli, drejtor i AKK-së, tha se me shqyrtimin e kornizës ligjore, agjencionit i janë shtuar edhe disa përgjegjësi sa i përket hetimit të aktiviteteve të prokurimit. “Problemi më shumë qëndron në monitorimin e kontratave. Këtu zakonisht bëhet dyshimi ngase operatorët ekonomik gjatë zbatimit shpërblehen sepse cilësia nuk është e mirë ose shërbehet më pak. Gjithashtu, problemi qëndron edhe tek zyrtarët e prokurimit të cilët duhet të sanksionohen për shkeljet që kanë bërë. Deri tash ka shumë pak dënime për këta zyrtarë ndonjë vërejtje me shkrim asgjë më shumë”, tha Havolli, duke shtuar se bizneset të cilat janë nën hetime apo edhe atyre që iu është ngritur kallëzim penal, nuk po hyjnë në listë të zezë nga autoritetet kontraktuese .

Kreshnik Gashi, nga BIRN tha se po diskutojmë për transparencë e llogaridhënie në prokurim publik, por po harrojmë që qeveria ende po na mban të fshehtë kontratën më të madh në këtë vend atë të autostradës. ”Ka një vit e gjysmë që BIRN ka fituar gjyqin dhe Zyra e Kryeministrit refuzon të na jap qasje në faturat e shpenzimeve”, tha Gashi.

Mehdi Pllashniku nga ARBK-tha se të gjitha të dhënat që ARBK i publikon në ueb faqe janë të përcaktuara me ligj.

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Kosovar Civil Society Foundation – KCSF

Thirrje për aplikim për praktikë

Prishtinë 15 qershor 2017 – Lëvizja FOL shpall konkurs për 2 praktikantë/e. Praktikantë/et do të kenë mundësi që të kontribuojnë në projektet e ndryshme të Lëvizjes FOL në fushën kundërkorrupsion.

Kushtet që duhet të i plotësojnë janë:

1. Studentë/e

2. Mosha – 19-26 vjeç

3. Njohja e gjuhës angleze është përparsi

Të gjithë të interesuarit/et të dërgojnë CV-në e tyre dhe një letër motivuese jo më të gjatë se 300 fjalë – në email adresën: [email protected] me subjekt: Aplikim për praktikë.

Afati i fundit: 26 qershor 2017

Vetëm kandidatët/et të cilët do të përzgjidhen në listën e ngushtë do të thirren në intervistë.

 

Diskutimi i hapur për politikat e punësimit për të rinjtë

Prishtinë, 7 qershor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin e hapur me temën “Qeverisja e mirë: Politikat e punësimit për të rinjtë”. Panelist në këtë diskutim ishin përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL tha se qëllimi i këtij diskutimi është që të kemi një pasqyrë të qartë rreth politikave të punësimit, ku qëndrojmë me përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, dhe a është politikë e mirë eksporti i resurseve njerëzore për tregun e jashtëm në kontekstin e Kosovës.

Ndërkaq, Gersi Gashi nga FOL, paraqiti të dhëna rreth fuqisë punëtore dhe punësimit me fokus në rini duke vënë në theks që gjendjen faktike të numrit të madh të të rinjve të papunë e gjithashtu edhe numrin e madh të të rinjve që nuk ndjekin as trajnim as shkollim dhe nuk janë në punë.

Ndërkaq Dëfrim Rifaj, drejtor i departamentit për punë dhe punësim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se kjo ministri është duke bërë rishikim e strategjisë për punësimin e të rinjve.  “Gjërat e mira që janë bërë në këtë drejtim duhet të vazhdohen pavarësisht ndërrimit të ministrave”, tha Rifaj.

Ndërkaq Fatmir Haxholli, këshilltar i Ministrit në largim të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, theksoi se numri i të rinjve të papunë është i lartë dhe fatkeqësisht edhe pse ka qenë prioritet e partive në koalicion, buxheti për këtë ministri nuk është rrit.

“Theksi duhet vënë tek gjërat e rëndësishme. Buxheti nuk është rrit, dihet sa mjetet kanë shku për veteran, mandej niveli i dobtë i koordinimit me donator në nivel të krejt institucioneve. Strategjia e kaluar asnjëherë nuk është miratu në qeveri, andaj ne kemi fillu me rifresku dhe kem mëndu me dërgu për miratim, mirëpo gjërat kanë ndryshu me rënien e qeverisë”, tha Haxholli, duke shtuar se edhe Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim për rritje të numrit të të punësuarve tek të rinjtë dhe gratë.

Përfaqësuesja e MInistrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Ryva Prokorogja, tha se MASHT e ka prioritet punësimin e të rinjve. “MASHT ka pas plan strategjik rreth kësaj çështje dhe donatorët janë detyru me i zbatu ato politika. Arsimi profesional ka qenë prioritet i dy ministrive MASHT dhe MPMS dhe prandaj disa gjëra edhe kanë shku mirë në këtë drejtim”, tha Prokorogja, duke shtuar se në Kosovë ka mbingarkesë sa i përket fushave të ekonomisë, shëndetësisë dhe juridikut ndërkaq mungojnë kuadro në lamin e përpunimin të drurit apo metalit.

Sipas saj kurrikula e re është e bazuar në 7 kompetenca, ku i është dhënë rëndësi e madhe shkathtësisë së ndërmarrësisë. “Duhet edhe si shoqëri të vetëdijesohemi më shumë, ngase shumë pak e konsiderojnë shkollën e bujqësisë dhe të gjithë vrapojnë pas gjimnazit, kjo gjë duhet të ndryshoj ngase duhet përshtat kërkesave të tregut”, tha ajo.

Dafina Mehaj nga BSPK, tha se fatkeqësisht BSPK nuk ka statistika sa është numri i të rinjve të papune, mirëpo ajo kërkoi që të bëhet më shumë për ata që janë të punësuar e sidomos në sektorin privat. “Shumë punëtorë në sektorin privat trajtohen si skllevër modern dhe inspektorati nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim”, tha Mehaj.

Pyetjet e studentëve kishin të bënin rreth punësimit pas përfundimit të studimeve, mungesa e praktikës së mirëfilltë, njohja e praktikës si stazh i punës, kriteret konkrete nëpër konkurse publike.

 

EYE Project is project of Swiss Cooperation Office and implemented by consortium of Helvetas Swiss Cooperation and MDA

Gjykata Themelore në Prishtinë e mbingarkuar me lëndë kundërkorrupsionit    

Prishtinë, 1 qershor 2017– Lëvizja FOL sot ka mbajtur tryezën e diskutimit për performancën e Gjyqësorit në Luftën Kundërkorrupsion. Pjesëmarrës në këtë diskutim ishin akterët të ndryshëm të gjyqësorit në Kosovë si: Agim Maliqi nga KGJK, kryetar të Gjykatave Themelore të Kosovës, përfaqësues të EULEX-it, organizata të shoqërisë civile dhe mediat.
Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL, tha se matja e efikasitetit të gjyqësorit në fushën kundër korrupsion është bërë duke u mbështetur kryesisht në metodologjinë e përdorur nga  Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë, por edhe në metoda tjera.

Sipas tij, të gjeturat tregojnë se Gjyqësori ka treguar një performancë të mirë në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi. “Në vitin 2016 gjyqësori ka pasur në punë 639 lëndë kundër korrupsion. Nga këto lëndë, 407 lëndë janë bartur nga viti 2015, 232 lëndë kanë hyrë gjatë vitit 2016. Gjykata ka dhënë drejtësi për 284 lëndë. Me këtë performancë, gjyqësori ka zgjidhur më shumë lëndë se sa ka pranuar në vitin 2016”, tha Zulfaj.

Megjithatë, për shkak të numrit të madh të lëndëve të bartura në disa gjykata, siç është rasti me Gjykatën Themelore në Prishtinë, sipas Zulfajt, trendi i nivelizimit të lëndëve do të marrë një kohë të gjatë. “Bazuar në performancën e gjyqësorit për vitin 2016, Gjykatat do të arrijnë të nivelizojnë lëndët e bartura në vitin 2029”, tha ai.

Ndërkaq z. Agim Maliqi nga KGJK-ja tha se raporti i publikuar nga FOL është mjaftë i detajuar dhe këto të gjetura duhet te analizohen ne detaje nga ana e KGJK-së  ne mënyrë që të përmirësojmë performancën. “Tek ne prioritet është rritja e besimit të qytetarëve në gjyqësor. Sipas të dhënave Prishtina është me keq ndërsa Gjakova e Ferizaj janë kampion në zgjidhjen e lëndëve sepse ju kanë dhënë prioritet. Ndërkaq Mitrovica duhet vlerësuar edhe në çfarë kushtesh punon”, tha Maliqi.

Beqir Kalludra nga Gjykata themelore në Prishtinë tha se kjo gjykatë ka problem me numrin e madh të lëndëve të trashëguara.  “Përveç lëndëve të trashëguara kemi problem edhe me sigurimin e palëve në procedurë. Kemi lëndë të EULEX-it, të prokurorisë speciale në lëndë specifike. Ndodh që një lëndë ka 94 folldera. Prokuroria ka ecë përpara sepse i ka profilizuar prokurorët. Ne këtë e kemi shumë problem”, tha Kalludra, i cili propozoj se lëndët mbi 10 vite të gjykohen nga departamenti i krimeve të rënda nga një gjyqtarë.

Ali Kutllovci nga Gjykata Themelore ne Mitrovicë tha se ka sukses në këtë gjykatë mirëpo duhet parë edhe kushtet e punës. “Përveç kushteve të rënda të punës kemi problem edhe me ikjen e gjyqtarëve ku 12 gjyqtarë kanë lënë punën në Gjykatë”, tha Kutllovci.

Jennifer Seel nga EULEX-i tha se ky raport është një përmbledhje e mire dhe numrave dhe shpresoj se do të jetë çdo vit duke e pasuruar edhe me formula tjera ku do te pasurohej me shumë.

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Kosovar Civil Society Foundation – KCSF