Paditë SLAPP në Kosovë
SLAPP = Strategic Lawsuit Against Public Participation Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike
Paditë SLAPP janë padi që prima facie vërehen se nuk janë të bazuara në fakte dhe se do të jenë të pasuksesshme në gjykatë. Përmes tyre, paditësi nuk synon të fitojë rastin, por ka për qëllim që të frikësojë dhe dekurajojë gazetarët apo aktivistët nga raportimi i mëtejmë i çështjeve me interes publik duke i detyruar ata të kalojnë nëpër procese të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore.
Këto padi konsiderohen dhe duhet të trajtohen si abuzim i legjislacionit kundër shpifjes nga njerëzit dhe korporatat e fuqishme për të heshtur gazetarët, mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët.
Vitet e fundit është paraqitur një trend negativ i përdorimit të padive për shpifje ose letrave dhe paralajmërimeve kërcënuese nga avokatët me qëllim të frikësimit dhe pengimit të pjesëmarrjes në diskutime publike të gazetarëve, aktivistëve, organizatave, akademikëve etj. Politikanët dhe biznesmenët e fuqishëm, nëpërmjet padive që nuk kanë bazë dhe shans për sukses, kërkojnë nga gazetarët, mediat dhe aktivistët qindra mijëra e deri në miliona euro dëmshpërblime në emër të “cenimit të reputacionit”. Paditë e tilla njihen si Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (Strategic Lawsuits Against Public Participation – SLAPP) të cilat tashmë kanë filluar të praktikohen edhe në Kosovë.
Duke parë trendin në rritje të përdorimit të padive SLAPP, përpjekjet e institucioneve ndërkombëtare për të luftuar këto padi janë intensifikuar vitet e fundit. Më 8 qershor 2020, 119 organizata ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Qendrën Evropiane për Lirinë e Mediave dhe të Shtypit “Article 19”, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, etj, kanë kërkuar nga Komisioni Evropian që të propozojë ndryshime ligjore për luftimin e padive SLAPP. Për më tepër, është kërkuar që në nivel të Bashkimit Evropian të draftohet një direktivë kundër padive SLAPP.
Këtyre përpjekjeve u janë bashkuar deputetë të Parlamentit të Evropës, përfshirë raportuesen për Kosovë Viola Von Cramon, të cilët kërkojnë veprime konkrete nga ana e Komisionit Evropian për të luftuar paditë e tilla. Akterët relevantë në Kosovë duhet të bëhen pjesë e diskutimeve aktuale në këtë fushë, në mënyrë që të sigurohen që paditë SLAPP të mos përdoren për të kufizuar të drejtën e lirisë së shprehjes së gazetarëve dhe aktivistëve.