“Aksham Pazari” – Ligjvënia e përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës
Prishtinë, 5 dhjetor 2024 – Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka theksuar nevojën urgjente për të adresuar praktikën e partisë në pushtet, e cila, për qëllime elektorale, po miraton ligje të rëndësishme pa respektuar standardet dhe procedurat që një shtet demokratik duhet të ndjekë.
Lëvizja FOL shpreh shqetësimin e saj të thellë për vendimet e marra gjatë kësaj seance të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilat cenojnë parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Shqyrtimi dhe miratimi në parim i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pa siguruar kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për diskutime dhe konsultime të gjera publike me të gjithë akterët e interesuar, reflekton një qasje të nxituar dhe të motivuar politikisht. Votimi i tij brenda një dite më shumë duket si një përpjekje për përfitim elektoral sesa një angazhim serioz për luftimin e korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm. Kjo praktikë rrezikon rëndë procesin e hartimit të ligjeve dhe është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kritikat e përsëritura të Raportit të BE-së për Vendin, ku është theksuar se miratimi i ligjeve me procedura të përshpejtuara cenon vlerat demokratike.
Po ashtu, emërimi i familjarëve të Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe të Zëvendëskryeministrit të Parë, si anëtarë të Bordit të Drejtorëve të ndërmarrjes publike KOSTT, përbën një shembull të qartë të nepotizmit dhe konfliktit të interesit. Ky veprim është një tregues shqetësues për kapjen e institucioneve publike dhe shfrytëzimin e pushtetit për interesa private.
Lëvizja FOL konsideron se zhvillimet e fundit në Kuvend reflektojnë një prirje të rrezikshme për dobësimin e shtetit të së drejtës dhe favorizimin e interesave të ngushta politike. Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë legjislativ dhe mbikëqyrës i ekzekutivit, ka një përgjegjësi të veçantë për të ruajtur integritetin institucional dhe për të forcuar shtetin e së drejtës, duke garantuar transparencë, llogaridhënie dhe respektim të standardeve demokratike.