Takim me kryetarin e Prokurorisë Themelore në Pejë z. Agim Kurmehaj

Pejë, 10 Nëntor 2017 – Përfaqësues të Lëvizjes FOL u takuan me z.Agim Kurmehaj, Kryetar i Prokurorisë Themelore në Pejë. Gjatë këtij takimi u diskutua për punën e Prokurorisë Themelore të Pejës, në veçanti për lëndët kundër korrupsion. Prokuroria e Pejës sipas tij qëndron shumë mirë me këto lëndë, sepse nga marrja e mandatit në Janar të këtij viti këto lëndë kanë qenë prioritet. “Nëse i krahasojmë numrin e këtyre lëndëve me Prokuroritë Themelore tjera ne dalim më mirë se të gjitha”, tha Kurmehaj. Ai tha se nga marrja e mandatit si kryeprokuror i Pejës punën e tij e ka bazuar në 2 shtylla kryesore; Reforma e Administratës si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, në veçanti me KEK-un dhe Policinë. Ai tha se në Prokurorinë Themelore të Pejës janë 25 praktikantë, të cilët po asistojnë në zvogëlimin e lëndëve të cilat kanë mbetur nga viti 2009. Z.Kurmehaj tha se sfidë gjatë mandatit të tij do ta ketë profesionalizmin e Prokurorëve në fusha të caktuara, zvogëlimin e lëndëve anti korrupsion, rritjen e numrit të prokurorëve si dhe gjetjen e ekspertëve në veçanti në ekspertizën e Prokurimit. Përndryshe Prokuroria Themelore e Pejës edhe pse e ka themeluar zyrën për statistika ende nuk ka zyrtarë që merret me mbledhjen e statistikave në Prokurori.

 

 

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).