Rinia mbetet e papërfshirë në proceset vendimmarrëse

Prishtinë, 31 Tetor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin e hapur me temën “Dialogu social: Si të përfshijmë rininë në dialog dhe çfarë ka bërë KES-i në këtë drejtim”. Panelist/e në këtë diskutim ishin: Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Fjolla Bajraktari, nga Innovation Lab Kosovo/PEN dhe Rashit Mehmeti nga Bashkimi i Sindikatave të pavarura të Kosovës(BSPK).

Gersi Gashi nga Lëvizja FOL prezantoi të gjeturat e raportit “Dialogu social në Kosovë: Roli i KES-it dhe përfshirja e rinisë në dialog”. Gashi tha se ky dokument politikash është i ndarë në disa pjesë ku janë analizuar: legjislacioni dhe rrjedhimisht mandati i Këshillit Ekonomiko-Social në Kosovë (KES), puna dhe të arriturat e KES-it që nga themelimi, krahasimin e KES-it me vende tjera dhe rekomandimet për të rritur impaktin e KES-it.  “Dialogu social është një proces shumë i rëndësishëm për funksionimin e duhur të shtetit dhe për një sistem demokratik të qeverisjes. Në Kosovë, si term por edhe në politikbërje, dialogu social nuk është shumë i njohur për publikun e gjerë. KES-i në Kosovë mbartë në vete rolin e shtyrjes përpara të dialogut social. Si mekanizëm që bën bashkë përfaqësuesit e punëdhënësve/eve, punëmarrësve/eve, dhe Qeverisë, padyshim se KES ka për detyrë që të sigurojë gjithpërfshirje në dialog, duke ngritur vetëdijen mbi dialogun social dhe nxitjen e të gjithë shoqërisë të jetë pjesë në të, përfshirë këtu edhe rininë”, tha Gashi.

Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare tha se edhe pas 9 viteve pavarësi, Kosova mbetet vend me varfëri dhe papunësi të madhe. “Nga viti 2009 raportet e progresit kanë theksuar nevojën për përmirësimin e legjislacionit në fushën sociale. Termi skllavëri moderne është përshkrimi më i mirë i gjendjes së punëtorëve në sektorin privat, e posaçërisht në bizneset e vogla”, tha Hoxha duke shtuar se vetëm në vitin 2017 kemi 15 raste të vdekjeve në vendin e punës, shumica e tyre në sektorin e ndërtimtarisë. Ajo tha se sfidë mbetet moszbatimi i kontratës kolektive, sidomos tek sektori privat. “Unë mendoj se Kosova duhet të ndërmarr tre masa për të rritur punësimin: Angazhimi i shtuar i rinisë në Sindikata, përkrahja e shtetit me grante për StartUps dhe përpilimi i praktikave që shtojnë angazhimin e të rinjve” tha Hoxha.

Rashit Mehmeti nga Bashkimi i Sindikatave të pavarura të Kosovës(BSPK) tha se deri në vitin 2011 anëtarët e KES-it nuk kanë marrë kompensim dhe kjo ka mundur të ndikojë që KES të mos jetë shumë efektiv. “Paga minimale ka qenë shumë herë në rendin e ditës ku kemi kërkuar që ajo të jetë 220-250 €, mirëpo kjo nuk ju konvenon përfaqësuesve te bizneseve”, tha Mehmeti. Për më tepër ai shtoi që involvimi i rinisë është tani cak i BSPK-së, dhe janë duke u ndërmarrë reforma brenda që do të shtyjnë këtë përpara.

Fjolla Bajraktari, nga Innovation Lab Kosovo/PEN, tha se vetë sistemi edukativ në Kosovë nuk nxit debatin edukativ në shkolla dhe kështu të rinjtë nuk janë të gatshëm që të debatojnë. “Ne kemi mbajt punëtori çdo tre muaj në fshatra të komunave të Kosovës, ku në fillim ka pas hezitim të të rinjve për të marrë pjesë dhe nganjëherë kemi pasur edhe hezitim të vendimmarrësve për të bashkëpunuar”, Bajraktari. Mirëpo shumica e rasteve kanë rezultuar të jenë storie të suksesit, dhe është parë që ka një dëshirë nga të rinjtë dhe të rejat për involvim sa më të madh, sidomos në vendimmarrje, plotësoi Bajraktari.

 

Ky aktivitet u mbështetet nga Enhancing Youth Employment- EYE Project – projekt i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA.