FOL Hapur me kandidatët/et për kryetar/e të komunës së Gjakovës

Gjakovë, 18 tetor 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot FOL hapur me kandidatët/et për kryetar/e të komunës së Gjakovës, me ç’rast është publikuar edhe analiza “Komunat dhe roli i tyre në punësim”.

Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se FOL po zhvillon debatin me kandidatet për kryetar/e të komunës së Gjakovës lidhur me ndikimin e komunës në zhvillim dhe punësim. Ai tha se nga hulumtimi që ka bërë Lëvizja FOL rezulton se komunat mund të zhvillojnë strategji dhe politika përmes subvencioneve dhe granteve, lehtësirave tatimore, dhe politika të tjera për të ndikuar direkt në punësim dhe zhvillim ekonomik. “Komunat mund dhe duhet të punojnë në planet dhe strategjitë e zhvillimit ekonomik, ngase janë përgjegjëse për licencimin e veprimtarive afariste, për aplikimin e tatimeve dhe pagesave, sigurimin e infrastrukturës dhe arsimin bazik dhe miratimin e rregulloreve që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të punës” – tha z. Zulfaj.

Mimoza Kusari-Lila, kandidate për kryetare të komunës së Gjakovës nga Alternativa tha se komuna e Gjakovës ka zhvilluar projekte që kanë pasur ndikim direkt në punësim siç është skema e granteve, kompletimi i qumështores në Rekën e keqe, ndihmën për OJQ-të “Thirrjet e Nënave” dhe “Shtëpia e sigurt”. Komuna e Gjakovës ka fituar mbështetje nga projekti i USAID-it për transparence dhe llogaridhënie. Projekti nga GIZ-i, ka mundësuar komunën që të fuqizojë rininë përmes panairit për pune, ku ka pasur 800 vende të reja, dhe rreth 300 kanë kontaktuar direkt me kompanitë. Gjithashtu jemi marr me aftësimin profesional dhe dhënia e informatave mes punëdhënësit dhe punëkërkuesit. “Qendra Bone Vet, qendra e inovacionit në Gjakovë janë vetëm disa prej hapave që janë ndërmarrë në shërbim të inovacionit” tha Kusari-Lila  duke shtuar se me programin e tyre planifikojnë vazhdimin e skemës së granteve dhe krijimin e hapësirave të përbashkëta të punës.

Fazli Hoxha nga NISMA për Kosovën tha se Nisma si pjesë të programit të saj ka edhe fuqizimin e të rinjve. “Duke qenë se deri më tani nuk ka pasur hapësirë për zhvillimin e partneritetit publiko-privat, ne do të sigurohemi për rritjen e kësaj mundësie. Tek ndarja e granteve do të bëhet në mënyrë të barabartë, duke bashkëpunuar me bizneset që funksionojnë në Gjakovë, dhe kompanitë që do të përfitojnë do ta kenë fuqinë punëtore nga Gjakova”, tha Hoxha.

Edmond Dushi nga Aleanca Kosova e Re, theksoi se do të punohet në vetëdijesimin e të rinjve për ndjekjen e shkollave profesionale. “Do tu ofrohet praktikë njëvjeçare të gjithë të sapo diplomuarve në mënyrë që të jenë të njëjtë me ata që kanë pasur përvojë punë, pra në konkurs të jenë të barabartë”, tha Dushi, i cili premtoni se nëse fiton këto zgjedhje do të hap Qendrën Rinore.

Bekim Ermeni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se nëse vije në krye të komunës së Gjakovës do të punoj në uljen e nivelit të papunësisë së të rinjve duke nxitur aftësimin profesional të të rinjve, uljen e punësimit joformal apo formalizmin e bizneseve.

Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se duhet të qeveriset me konceptin e investimit të buxhetit e jo të shpenzimit të tij. Do të nxiten të rinjtë për inovacion. “Do të punohet rreth dhënies së bursave për drejtimet deficitare në mënyrë që ata studentë të kthehen të punojnë në Gjakovë”, tha Gjini.

 

Ky aktivitet u mbështetet nga Enhancing Youth Employment- EYE Project – projekt i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA.