Përtej numrave – performanca e Prokurorisë në luftën kundërkorrupsionit për periudhën Janar-Qershor 2017
Prishtinë, 15 shtator 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur konferencë për media me ç’rast ka prezantuar statistikat kundërkorrupsion të Prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale. Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se të dhënat e prezantuara janë statistika për periudhën Janar-Mars si dhe Prill-Qershor per vitin 2017. Sipas tij statistika janë zyrtare dhe janë marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. “Këto të dhëna janë marrë nga grupi i veprave penale: ‘Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, nenet 422 – 437, Kapitulli XXXIV i Kodit Penal të Kosovës’. Ndërkaq matja e efikasitetit të Prokurorisë në fushën kundërkorrupsion është bërë duke u mbështetur kryesisht në metodologjinë e përdorur nga Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë por edhe në metoda tjera”, tha Zulfaj. Sipas tij, puna e Prokurorisë matet kryesisht me persona dhe se matjet nuk tregojnë për cilësinë e lëndëve dhe cilësinë e punës së prokurorëve.
“Fushat në të cilat FOL ka mat performancën e Prokurorisë janë: Fluksi i lëndëve, norma e zgjidhjes së lëndëve, norma e qarkullimit të lëndëve, trendi i zgjidhjes së lëndëve, kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve dhe indeksi i lëndëve të grumbulluara”, tha Zulfaj.
Fluksi i lëndëve kundërkorrupsion në nivel kombëtar për periudhën Janar-Mars janë: lëndë të pazgjidhura 1151, lëndë të reja 203, lëndë në punë 1354, lëndë të zgjidhura 228, lëndë të pazgjidhura – 1126. Ndërkaq për periudhën Prill – Qershor janë: lëndë të pazgjidhura 1083, lëndë të reja 160, lëndë në punë 1243, lëndë të zgjidhura 271, lëndë të pazgjidhura 972.
Norma e zgjidhjes së lëndëve është tregues i performancës së punës së Prokurorive. Duke u bazuar në performancën për tre mujorin e parë të vitit 2017, del se Prokuroria ka punuar efektivisht mbi nivelin 100% në nivel qendror, norma e zgjidhjes së lëndëve për tre mujorin e parë është 112%, ndërsa për periudhën Prill – Qershor është 169%.
Ndërsa koha e zgjidhjes së lëndëve në nivel kombëtar qëndron në 450 ditë për periudhën Janar-Mars. Ndërkaq, për Prill – Qershor është 333 ditë. Sa i përket indeksit të lëndëve që na tregon lëndët e grumbulluara në nivel kombëtarë indeksi qëndron në 5.0 për tre mujorin e parë, kurse 4.0 në tre mujorin e dytë.
Ndërkaq sa i përket të gjeturave për prokuroritë themelore, Zulfaj tha se “Prokuroria Themelore e Prishtinës ka numrin më të madh të lëndëve të bartura për periudhën Janar-Mars e që janë 595, ka pranuar 102, kurse ka zgjidhur 28. Performancë të ngjashme ka treguar Prokuroria Themelore e Prishtinës edhe për tre mujorin e dytë, ku ka trashëguar 574 lëndë, 71 ka pranuar si të reja, kurse ka zgjidh 114”.
Prokuroria Themelore e Ferizajt me Prokurorin Themelore të Prizrenit kanë normën më të mirë të zgjidhje së lëndëve për periudhën Janar-Mars 2017 me PTHF=200% PTHP=177%, ndërkaq performancë më të dobët gjatë kësaj periudhe kanë treguar Mitrovica dhe Prishtina PTHM = 41% PTHP = 27%. Në tre mujorin e dytë Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka normën më të lartë të zgjidhjes së lëndëve me 470%, kurse më të dobëtën e ka Prokuroria Speciale me 90%.
Në bazë të trendit Prokuroria Themelore e Prizrenit dhe Prokuroria Themelore e Ferizajt pritet që ti nivelizojnë lëndët në 5 vitet e ardhshme, kurse Prokuroria Themelore e Pejës për 32 vjet. Ndërkaq për periudhën Prill – Qershor, Prokuroria Themelore e Gjakovës pritet që ti nivelizojë lëndët në 4 vitet e ardhshme.
Koha e zgjidhjes së lëndëve tregon se Mitrovica qëndron më së keqi për tre mujorin e parë pasi prokuroria atje merr 4500 ditë për trajtimin e lëndëve (personave) e shoqëruar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës me 2250 ditë. Sa i përket tre mujorit të dytë të këtij viti, Prokurorisë Speciale I merr 1000 ditë për trajtimin e lëndëve për persona, kurse ajo e Prishtinës I merr 428 ditë.
*Sqarim: Puna e Prokurorisë matet kryesisht me persona dhe se kjo matje nuk tregon për cilësinë e lëndëve dhe cilësinë e punës së prokurorëve, cilësinë e shërbimit të administratës apo integritetin dhe profesionalizmin e prokurorëve.
*Statistikat janë statistika zyrtare të publikuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Në disa pjesë numri i lëndëve të prokurorive të veçanta nuk pasqyron numrin total të lëndeve në nivel qendror. Këto pasaktesi në numra duhet të adresohen tek Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).