38 % e respodentëve besojnë që stafi mjekësor është përgjegjës për nivelin e korrupsionit në shëndetësi ndërsa 30 % fajësojnë Qeverinë për korrupsion

Prishtinë,25 shkurt 2016 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencën për media me ç’rast ka publikuar të gjeturat e hulumtimit “Korrupsioni në Institucionet e Kujdesit Shëndetësor Publik në Kosovë” si dhe ka bërë prezantimin e Platformës së Statistikave Anti-Korrupsion në kuadër të projektit “Forcimi i shqyrtimit publik mbi performancën e institucioneve kundër-korrupsion” të mundësuar nga CFLI.
Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL tha se hulumtimi ka pasur si qëllim identifikimin e problemeve kryesore në vend sipas qytetarëve të Kosovës, perceptimin dhe përvojat e tyre në lidhje me nivelin e korrupsionit në vend, përvojat e tyre në lidhje me shërbimet publike siç është shëndetësia. ” Kur ka probleme të mëdha politike, sektorët e tjera si mjekësia arsimi etj. mbeten në rend të dytë por edhe pse kemi këtë situatë prapë po ka debat edhe për këto sektorë”, tha Zogaj.
Furtuna Sheremeti, këshilltare ligjore në Lëvizjen FOL, prezantoi këtë hulumtim, tha se ndër të gjeturat e shumta që u prezantuan u tha se vetëm 2% e respodentëve kanë deklaruar që kanë raportuar këto raste në institucionet relevante. “Ndërkaq ata që nuk raportojnë kanë arsyetime të ndryshme: 24% – sepse mendojnë që askujt s’i bëhet vonë, 20% – e shohin ryshfetin si dhuratë falënderuese, 25% – e arsyetojnë ryshfetin me përfitimin e marrë”. Sipas hulumtimit del se 73 për qind e qytetarëve të Kosovës janë detyruar që të kërkojnë tretman mjekësor në klinika private meqë të njëjtin shërbim nuk mund ta marrin në institucionet publike të Kosovës. Sipas saj, në kuadër të këtij hulumtimi janë anketuar 1000 qytetarë të Kosovës, të moshës mbi 18 vjeç: shqiptarë (758), serb (156) dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera (86).
Ndërkaq, Ambasadori i Kanadasë në Kroaci, jorezident për Kosovën, Daniel Maksymiuk, ka thënë të jenë i kënaqur që ka ndihmuar në realizimin e projektit, meqë shëndetësia prek interesant ditorë të qytetarëve. “Nuk dëshiroj të flas shume për korrupsionin, por nga këndvështrimi im mund të them se Kosova është në një situatë të cilën e dimë. Qeverisja në Kosovë nuk është në nivelin e perfeksionit dhe këtë ata e dinë”, ka thënë ai. Sipas tij, publikimi i këtij hulumtimi mbi korrupsionin në institucionet shëndetësore, është një projekt i cili do të ndikojë drejtpërdrejt tek qytetarët. ” Përqendrimi në korrupsionin në fushën e mjekësisë është i rëndësishëm sepse veprimet e qeverisë në ketë fushë prekin direkt nevojat e qytetarëve, prandaj është një fushë ku duhet të ekzaminohet gjendja e korrupsionit”, tha Ambasadori Maksymiuk.
Gjithashtu në këtë konferencë u prezantua edhe platforma e Performancës Anti-korrupsion e në të cilën përfshihen statistikat anti korrupsion nga gjykata, prokuroria dhe policia. Po ashtu në këtë platformë janë të përfshira edhe statistikat nga Koordinatori Nacional kundër krimeve ekonomike për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dhe vendimet e Qeverisë për politikat anti korrupsionit po ashtu edhe performaca e Kuvendit në këtë fushë për vitin 2015. Informata më të detajuara i gjeni në Platforma e Performancës Anti-Korrupsion. Të dhënat nga terreni për hulumtimin “Korrupsioni në Institucionet e Kujdesit Shëndetësor Publik në Kosovë” janë realizuar nga UBO Consulting.

Fotografi  nga Konferenca (2)