Asnjë lëndë për konfiskim të pasurisë në Prokurorinë dhe Gjykatën e Pejës

Pejë, 15 Prill 2015. Lëvizja FOL ka organizuar debatin e radhës në komuna me temën Konfiskimi i Pasurisë në Kosovë – puna një vjeçare e institucioneve, kësaj radhe në Komunën e Pejës. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të Gjykatës Themelore, Prokurorisë, përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe media. Naser Lajqi tha se qëllimi i këtyre tryezave të organizuara nga Lëvizja FOL është që të shihet zbatimi i bazë ligjore që rregullon konfiskimin e pasurisë në Kosovë.

Murat Hulaj, prokurorë nga Prokuroria Themelore në Pejë tha se sa i përket konfiskimit në Komunën e Pejës nuk ka ndonjë konfiskim për vitin 2014 nuk kemi ndonjë konfiskim të përmasave të mëdha siç janë prona të paluajtshme, ndërtesa ose objekti banimi. Ka konfiskime që ndërlidhen me të holla të falsifikuara, leje qarkullimi të falsifikuara, vetura. Sa i përket bazës ligjore, në Kosovës nuk mund të ankohemi që nuk kemi ligje të mira, mirëpo ne duhet ti përfillim dhe ti aplikojmë ato, po ashtu duhet të kemi prokurorë të profilizuar.

Sahide Gashi, prokurore në Prokurorinë Themelore në Pejë, e cila merret në vazhdimësi me lëndët kundër korrupsion tha se në departamentin e krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, ende nuk kemi ndonjë rast të konfiskimit pasi këto lëndë ndërlidhen më shumë me Prokurorinë Speciale, normalisht nuk flasim për konfiskime të cilat bëhen nga kryerja e veprës penale aty për aty.

Ajo më tej tha se ka konfiskime të armëve, lëndëve narkotike, por jo ndonjë konfiskim që ndërlidh direkt ndokënd në pasurinë e tij.

Nëse nuk e prekim dikën ne pasuri ne nuk kemi bërë asgjë vetëm me dënimin me burg. Me ligjin e ri i cili ka hyrë në fuqi, barra e të provuarit i bie prokurorit, gjë e cila kish dashtë me qenë që kjo të kryhet nga ana e Hetuesve të Policisë. E këtu tek ne hetuesit shpesh pengohen nga eprorët e tyre që të bashkëpunojnë me prokurorinë. Po ashtu, ne duhet që ti specializojmë hetuesit për lëndët e korrupsionit. Ne si prokurorë po e presim ligjin anti mafia, i cili do të na lehtëson punën neve si prokurorë. Ajo më tej shtoi se Kosova duhet të krijojë marrëveshje bilaterale me shtetet tjera në mënyrë që të ta kemi shumë ma të lehtë hetimin ne si prokurorë. Po ashtu prokurorja më tej kërkoi që të kemi Polici Gjyqësore, e cila do ti ndihmon shumë Prokurorisë në punën e saj.

Kreshnik Radoniqi, gjykatës nga Gjykata Themelore në Pejë tha se Gjykata e Pejës, nuk është se posedon ndonjë statistikë sa i përket lëndëve që ndërlidhen me konfiskimin e pasurisë.

Ai më tej tha se nuk ka ndonjë sistem të mirë koordinimi mes institucioneve sa i përket statistikave, për atë shpesh edhe nuk mund të prezantojmë statistika. Por nuk mund të mohojmë që nuk ka pasur konfiskime të veturave, të hollave falsifikuese, lëndëve narkotike, por nëse flasim për konfiskime të pasurive të paluajtshme së përfituar me vepër penale, në Komunën e Pejës nuk është që është punuar në këtë fushë, ndoshta pak fajin e ka edhe Prokuroria Speciale e cila aspak nuk merret me rajonin e Pejës sa i përket kësaj fushe.