Konferencë Rajonale për statusin ligjor të personave që raportojnë aferat korruptive
Prishtinë, 14 Tetor 2013 – Lëvizja FOL, ka organizuar sot Konferencën Rajonale me temën “Pako Ligjore Anti-Korrupsion – Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve”. Kjo konferencë rajonale ka shërbyer si pikëtakim në mes të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës, shoqërisë civile të Kosovës dhe asaj të Rajonit, në mënyrë që të trasohet rruga e parandalimit dhe luftimit të nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë dhe të promovohet tutje “Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve” i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2011.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësuesit nga institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës, përfaqësues të gjyqësorit dhe prokurorisë, përfaqësues të shoqërisë civile nga rajoni dhe Kosova si dhe mediave.
Hajredin Kuçi- Ministër i Drejtësisë, tha se “Kosova aktualisht ka ligjet më të mira në rajon sa i përket fushës së parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, falë punës së ekspertëve të vendit në fushën përkatëse dhe ndihmesës qe iu është dhënë atyre nga bashkësia ndërkombëtare, përveç kësaj në Kosovë është prezent edhe misioni më i madh i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit”. Kurse, duke u ndalur tek Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve, Kuçi theksoi se “Janë krijuar bazat ligjore për luftimin e dukurive korruptive. Këto baza ligjore përfshijnë edhe dy ligjet e miratuara nga ana e institucioneve të vendit siç janë, Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve dhe Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, të cilat mbrojnë personat dhe të punësuarit në rastet kur ata raportojnë mbi aferat korruptive apo edhe veprat e tjera penale”. Kuçi tutje shtoi se “Duhet të definohet qartë autoriteti kryesor në parandalimin dhe luftimin e dukurive korruptive, duhet të harmonizohen ligjet të cilat bien në domenin e luftës kundër korrupsionit dhe se duhet një bashkëpunim më i madh mes vendeve të rajonit kundër këtyre dukurive”.
Në fjalën e saj Slagjana Tasheva nga Transparency International në Maqedoni, tha se “Korrupsioni shfaqet në forma të ndryshme dhe se luftimi i së njëjtit bëhet përmes mekanizmave të ndryshëm ndër të cilët është edhe ai i rrjedhjes së informatës nga ana e të punësuarve, ku një ndër elementet më të rëndësishme është instanca e cila do duhej të ishte përgjegjëse për pranimin, mbrojtjen dhe përcjelljen e informatës”. Tutje, ajo shtoi se “Maqedonia, për dallim nga Kosova, nuk ka një ligj specifik i cili mbron personat raportues të aferave korruptive dhe se legjislacioni përkatës në këtë fushë nuk është i qartë”.
Vuk Mara� nga MANS-Mali i Zi tha se “Shpesh zbrazëtirat ligjore në brendësi të ligjeve, mëtojnë të mbulojnë mungesën e vullnetit politik për zbatimin e tyre”. Ai tutje shtoi se “Mali i Zi përballet me probleme të mëdha në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, ku deri vonë nuk ka ekzistuar as edhe një ligj i cili do bënte mbrojtjen e personave denoncues të kësaj dukurie”. Në fund ai deklaroi se “Edhe pse tash së voni, Qeveria e Malit të Zi ka aprovuar ligjin për mbrojtjen e raportuesve të korrupsionit, megjithatë, ky ligj është ende i pazbatueshëm dhe si pasojë jo efikas”.
Kurse Besim Kelmendi nga Prokuroria Speciale e Shtetit tha se “Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve duhet të promovohet tutje, dhe se duhet të inkurajohen qytetarët të bëjnë raportimin e dukurive korruptive duke i mbrojtur me ligj të njëjtët persona”.
Enver Peci- Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha “Kosova si shtet i ri është duke hasur në probleme me zbatimin e ligjit, por se një gjë e tillë nuk duhet të na dekurajojë dhe zbatimi i të njëjtave ligje nuk është i pamundshëm”. Ai tutje shtoi se “Themelimi i mekanizmave mbrojtës të cilat rrjedhin nga ligjet duket të jetë i vështirë, andaj edhe ekziston nevoja e përshtatjes dhe të provuarit e funksionimit të ligjeve pas miratimit të tyre”.
Në diskutim e sipër Drita Hajdari- Prokurore Kundër-Korrupsion theksoi se “Duhet tërhequr një paralele dhe duhet bërë një dallim në mes të Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve dhe Ligjit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, duke i qartësuar nocionet ligjore”.
Në fund të takimit në këtë Konferencë Rajonale, u dhanë edhe disa rekomandime, ku veçohen:
– Ndryshimi i emrit të ligjit;
– Të përcaktohet qartë sistemi i raportimit të dukurive korruptive;
– Të qartësohen masat mbrojtëse për personat raportues;
– Të qartësohen sanksionet ndaj personave përgjegjës në rast të mos përcjelljes së informatës dhe në rast të zbulimit të identitetit të personave raportues;
– Krijimi i një policie gjyqësore në trajtimin e rasteve të cilat bien në domenin e dukurive korruptive; dhe
– Të intensifikohet bashkëpunimi rajonal në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.