Mbahet mbledhja e Kuvendit të Anëtarëve të Lëvizjes FOL
Prishtinë, 28 dhjetor 2012 – Në bazë të Ligjit për Lirinë e Asocimit në Republikën e Kosovës dhe Statutin e organizatës, me datë 28 dhjetor 2012, është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Anëtarëve të Lëvizjes FOL, i cili është organi kryesor vendimmarrës në organizatë. Në këtë mbledhje është miratuar në parim raporti vjetor i punës për vitin 2012 dhe raporti i auditimit për periudhën 2011.
Gjatë periudhës janar- dhjetor 2012 janë realizuar gjithsej 52 aktivitete, nga të cilat kemi realizuar 14 publikime të ndryshme (Raporte dhe Analiza), 11 konferenca për shtyp, janë organizuar 5 tryeza të rrumbullakëta në nivel qendror dhe lokal, kemi koordinuar 2 deklarata të përbashkëta të Shoqërisë Civile, kemi pasur 8 reagime publike, kemi nënshkruar 1 marrëveshje mirëkuptimi me Ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, kemi organizuar Turneun Kombëtar të Debatit të formatit “Karl Popper” në Qendrën e Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së në Ferizaj dhe Turneun �Prishtina Open 2012″.
Kemi organizuar Kampin veror 2012 me vullnetarët e rinj të FOL-it, kemi realizuar Platformën e deklarimit dhe e krahasimit të pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë 2010-2012. Po ashtu kemi organizuar fushatën Testi i përgjegjshmërisë në tetë komuna të Kosovës. Që nga prilli i këtij viti jemi zgjeruar edhe në dy komuna të Kosovës në Gjakovë dhe Podujevë. Gjatë muajit nëntor është mbajtur takimi për planifikim strategjik 2013-2015. Grupi punues jo formal në të cilën pjesëmarrës ishin institucionet e prokurimit, autoritete të ndryshme kontraktuese dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kishte mbajtur takimin e radhës në muajin dhjetor.
Po ashtu në këtë mbledhje anëtarët e Kuvendit të Lëvizjes FOL kanë miratuar përmbledhjen ekzekutive të draft Strategjisë së punës së Lëvizjes FOL për vitet 2013-2015.
Galeria e aktivitetit