Papërgjegjshmëria e komunave rreth qasjes në dokumente zyrtare

Prishtinë, 21 dhjetor – Lëvizja FOL publikoj sot raportin “Testi i Përgjegjshmërisë”, raport ky i cili synon të tregojë nivelin e përgjithshëm të zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike në tetë komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës: Mitrovicë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Kamenicë, Podujevë, Gjilan dhe Pejë.
Ky raport është produkt i fushatës dhe sondazhit të cilat Lëvizja FOL e ka realizuar gjatë muajit shtator në komunat e lartshënuara.

Të gjeturat e këtij raporti ekspozojnë problemet kryesore që Komunat në fjalë ballafaqohen gjatë zbatimit të dispozitave ligjore, e të cilat ndërlidhen kryekëput me qasjen e qytetarëve në dokumentet publike.
Ndër problemet më të mëdha të paraqitura në Komunat e lartpërmendura evidentohen:
– Mungesa e njohurisë së qytetarëve rreth ekzistimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Edhe pse sipas të gjeturave të anketës shumica e të anketuarve (53.6 %) janë përgjigjur se kanë dëgjuar për ekzistimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, niveli i njohurisë së tyre për përmbajtjen e ligjit është jashtëzakonisht i mangët.

– Numri i vogël i kërkesave nga ana e qytetarëve për qasje në autoritetet lokale dhe/ose qendrore. Sipas të gjeturave të raportit rezulton se niveli i interesimit të qytetarëve për të bërë kërkesa për qasje në dokumente publike është shumë i ulët. Vetëm 22.2% e tyre kanë deklaruar se kanë bërë kërkesa të tilla drejtuar institucioneve, kundrejt 77.3% e tyre që nuk kanë bërë asnjëherë kërkesa të tilla. Shumica e këtyre kërkesave janë bërë në nivelin komunal: 98.3% e qytetarëve kanë deklaruar se kanë bërë kërkesa në komunat e tyre dhe vetëm 1.6% prej tyre kanë bërë kërkesë në nivelin qendror.

– Mungesa e interesimit të zyrtarëve për t’i informuar qytetarët rreth të drejtave që ata gëzojnë për qasje në dokumente publike. Rreth 60.6% prej kërkesave që janë bërë nga ana e qytetarëve të Kosovës nuk kanë marrë përgjigje nga ana e institucioneve, kundrejt 39.3% të rasteve të cilat kanë marrë një përgjigje të tillë. Në këto përgjigje, 58.3% të rasteve kanë qenë përgjigje pozitive, 8.3% kanë qenë përgjigje negative dhe në 33.3% të rasteve institucionet kanë lejuar qasje të pjesshme.

Përgjigjet e dhëna në mënyrë selektive, të pamjaftueshme dhe me shprehje të përgjithshme.
– Mos pranimi i kërkesave nga zyrtarët për informim, siç e parasheh Ligji për Qasje në Dokumente Publike, por nga zyrat pritëse (duke i trajtuar ato si të gjitha kërkesat tjera).
– Mos-koordinimi i zyrtarëve rreth përgjigjeve në kërkesat për qasje në dokumente publike.
– Mosrespektimi i afatit ligjor për kthimin e përgjigjeve nga zyrtarët për informim.
– Pagesa nga 1 euro për të bërë një kërkesë për Qasje në dokumente publike.
Bazuar në një analizë krahasuese të të dhënave, Komuna e Podujevës rezulton të jetë në nivel më të mirë sa i përket zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, ndërkaq ajo e Pejës është shënuar (dukshëm) si komuna me nivel më të keq të zbatimit të dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me qasjen e qytetarëve në dokumentet publike apo zyrtare.

Raportin e plotë mund të gjeni në këtë link:
http://levizjafol.org/images/uploads/files/Raporti_Testi_i_Pergjegjshmerise-1.pdf

Ndërkaq, rezultatet e sondazhit të Lëvizjes FOL i gjeni në këtë link:
http://levizjafol.org/images/uploads/files/Rezulatetet_e_hulumtimit_%281%29.pdf