FOL: Projektligji për përgjimet të mbrojë qytetarët, e jo pushtetarët
Prishtinë, 05 Dhjetor 2012 – Lëvizja FOL ka përcjellë më shqetësim zhvillimet e javës që shkoi në lidhje më publikimin e disa video përgjimeve të disa politikanëve. Përpos fjalorit krejtësisht jo-politik dhe aspak institucional që kemi dëgjuar nga zyrtarët e përgjuar, duke fyer qytetarë të Republikës së Kosovës, denigruar media dhe kërcënuar institucionet më të larta të vendit, kemi parë një papërgjegjshmëri edhe në lidhje me zhvillimin e proceseve dhe të politikave nga këta zyrtarë. Komunikimi i tillë nga ana e zyrtarëve publikë vazhdon të ndikojë negativisht në besueshmërinë që do të duhej të kenë qytetarët në institucionet publike.
Duke qenë përball një skandali të pa-precedent në Kosovë, Qeveria e Kosovës miraton projekt-ligjin për përgjimet. Miratimi i këtij projekti-ligji në situatën e tanishme tregon qartazi që këto institucione dhe këta zyrtarë publikë nuk e kanë vullnetin që të mbrojnë qytetarët nga përgjimet e mundshme, por vetëm veten e tyre dhe në këtë mënyrë t’i mbulojnë skandalet e tyre.
Si rikujtim të kësaj, Lëvizja FOL ka kërkuar qysh në Prill të vitit 2009 hartimin e një projekt-ligji të tillë, për faktin se në atë kohë ishin aktuale përgjimet që ishin bërë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ishte një atmosferë e frikës dhe e pasigurisë në lidhje me atë që institucionet ofronin në atë kohë. Edhe përkundër takimeve dhe shpjegimeve që i patëm bërë, Qeveria e Kosovës, duke mos e pasur si problem të vetin brenda, pra, duke mos u përgjuar zyrtarët publikë, e pati injoruar kërkesën tonë. E tash kur këta zyrtarë kanë qenë objekt i përgjimeve, shohim ngutin e Qeverisë për këtë projektligj. Kjo tregon që si 3 vjet më parë dhe tash Qeveria e Kosovës shpërfaq mungesë të seriozitetit në raport me qytetarët dhe institucionet.
Prandaj, duke qenë në një situatë të ndjeshme për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, FOL kërkon që projektligji për përgjimet t’i nënshtrohet një debati të gjerë publik para se ai të shkojë në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, Lëvizja FOL kërkon llogari dhe përgjegjësi nga zyrtarët e përfshirë në këto skandale, pasi që përgjimet në fjalë kanë dëmtuar shumë seriozisht besueshmërinë e institucioneve publike dhe integritetin e shtetit të Kosovës.