FOL publikoj analizën “Shpërdorimet në Prokurimin Publik”

Lëvizja FOL ka publikuar analizën “Shpërdorimet në Prokurimin Publik” në të cilën analizohen shpërdorimet me autoritetin publik në fushën e prokurimit publik. Kjo analizë, gjithashtu përfshinë edhe funksionalitetin apo jofunksionalitetin e institucioneve të formuara me qëllim të luftimit të këtyre shpërdorimeve. Në fund jepen rekomandime për përmirësimin e gjendjes.

Sipas kësaj analize shpërdorimet të cilat hasen gjatë procedurave të prokurimit janë nga më të ndryshmet, si p.sh:

– Hartimi i dosjeve të tenderëve në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren për prokurim publik
– caktimi i kundërligjshëm i kritereve të përzgjedhjes me qëllim favorizimi të operatorëve ekonomik të caktuar për përfitime personale të zyrtarëve të prokurimit
– vazhdimi i procedurave të prokurimit edhe pse nuk janë përmbushur kërkesat e Ligjit për Prokurim Publik, shumë herë ndodh që vazhdohet me procedurat edhe pse numri i ofertuesve minimal i kërkuar me ligj nuk plotësohet ose kompanitë fitojnë tenderët pa pasur dokumentacionin e kompletuar
– paraqitja e dokumentacionit të falsifikuar
– anëtarët e komisionit mbikëqyrës propozojnë kryerjen e pagesave të kundërligjshme edhe në rastet kur punët nuk kanë përfunduar sipas planit të paraparë, apo shërbimet dhe furnizimet nuk janë ofruar sipas kontratës
– planet dinamike nuk janë respektuar nga operatorët ekonomik, nuk kërkohet arsyetim nga OE për vonesën në kryerjen e punëve.

Por mbi të gjitha ashtu sic edhe theksohet në hyrje të analizës emërues i përbashkët i të gjitha shpërdorimeve është Korrupsioni.
Shqetësim të madh përbën varësia e zyrtarëve të prokurimit të institucioneve publike nga partitë politike. Ata emërohen, veprojnë dhe realisht edhe mbikëqyren nga partitë politike. Kjo e bënë korrupsionin tërësisht të lidhur me partitë politike, ndaj si konsekuencë e saj luftimi i korrupsionit mbetet plotësisht në vullnetin politik të tyre.
Të gjitha rekomandimet e nxjerra në këtë analizë me qëllim të përmirësimit të gjendjes janë të varura nga vullneti politik. FOL-i, rekomandon reforma organizative në organet administrative qendrore, në fushën e prokurimit publik.

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, duhet të fuqizohet më tutje me kapacitetet e nevojshme profesionale dhe teknike si dhe me përgjegjësi të reja ligjore. Është i nevojshëm rishikimi i Ligjit mbi Agjencinë kundër Korrupsionit (AKK) dhe Kodit të Procedurës Penale, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të kompetencave të Agjencisë kundër Korrupsionit. AKK duhet të jetë në gjendje të kryejë hetime penale nën mbikëqyrjen e prokurorit publik konform Kodit të Procedurës Penale.
Për shkak të një strukture konfuze të funksionimit të institucioneve anti-korrupsion ekziston rreziku i madh i krijimit të disa adresave institucionale për këtë çështje. Kjo shkakton konfuzion edhe tek qytetarët, të cilët mund të mos e kenë të qartë se cila është adresa e duhur për luftimin e këtij fenomeni. Në këtë kontekst, një veprim i tillë shkakton ikjen nga përgjegjësia institucionale.

Raportin e plotë e gjeni në këtë link:

http://levizjafol.org/images/uploads/files/ANALIZ%C3%8B_P%C3%8BR_SHP%C3%8BRDORIMIN_ME_AUTORITETIN_PUBLIK_N%C3%8B_FUSH%C3%8BN_E_PROKURIMIT_PUBLIK.pdf