Grupi Punues jo-formal diskutoi për amandamentimin e Ligjit për Prokurim Publik
Prishtinë, 18 Shtator– Lëvizja FOL në bashkëpunim me Institutin RIINVEST në kuadër të përpjekjeve të tyre për të përpiluar rekomandimet rreth çështjeve që do të duhej të adresoheshin me rastin e amandamentimit të Ligjit për Prokurim Publik, mbajtën sot takimin e grupit punues jo-formal me temën “Amandamentimi i Ligjit për Prokurim Publik- Çështjet për tu adresuar”. Në këtë takim ishin të ftuar përfaqësues të institucioneve të prokurimit, autoriteteve kontraktuese, të odave ekonomike, shoqërisë civile si dhe përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në cilësinë e propozuesit fillestar të procesit të amandamentimit.
Në këtë takim ndër çështjet për të cilat u diskutua ishin: çështja e prokurimit elektronik, çështja e çmimeve jo-normalisht të ulëta dhe jo-normalisht të larta, çështja e vlerësimit të tenderëve duke u bazuar edhe në çmimet për njësi e jo vetëm në çmimin në total, çështja e diskriminimit gjatë përpilimit të specifikave teknike, çështja e funksionimit aktual të OSHP-së. Ndër të tjera në veçanti u diskutua për propozimin e MTI-së që me dispozita ligjore të Ligjit për Prokurim Publik kompanitë dhe produktet vendore në bazë të një kuote të caktuar të kenë përparësi në proceset e prokurimit publik edhe nëse kanë oferta më të shtrenjta, si dhe implementimi i prokurimit elektronik të bëhet obligativ me Ligjin e ri të Prokurimit Publik.
Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan që të përkrahin këto dy propozime, dhe deri javën e ardhshme në emër te grupit punues jo-formal të dilet me një letër e cila do të përmban rekomandime konkrete për secilën nga çështjet e përmendura më lartë. Kjo letër do t’i dërgohet zyrës ligjore të Kryeministrisë në cilësinë e sponsorizuesit të procesit të amandamentimit si dhe Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike në cilësinë e komisionit funksional.
Në këtë takim morën pjesë: Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Komisioni i Konkurrencës, Agjencioni Kundër Korrupsionit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Aleanca Kosovare e Bizneseve si dhe ÇOHU.