Monitoruesi i Korrupsionit: Prokuroria Speciale në “pushim” për gjashtë muajt e parë të vitit

Prishtinë, 4 gusht 2012 – Lëvizja FOL ka publikuar sot, Raportin e saj ‘Monitoruesi i Korrupsionit’, në të cilin përfshihen të gjitha aktivitetet e ndërmarra institucionale në luftë kundër korrupsionit për periudhën gjashtë-mujore: janar-qershor 2012.

Sipas të gjeturave të këtij Raporti rezulton se “shtrirja më e madhe gjeografike e korrupsionit është në Prishtinë – me 50 akte akuzuese të ngritura nga prokuroritë e vendit; pason Peja me 19 akte akuzuese; Gjilani me 10; Prizreni me 7; Ferizaj me 8; si dhe Gjakova me 4 akte akuzuese.

Ndërkaq, prokuroritë që nuk kanë shënuar rezultat në luftë kundër korrupsionit janë: prokuroria e qarkut dhe ajo komunale në Mitrovicë, si dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të cilat në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nuk kanë ngritur as edhe një akt akuzues të vetëm.

Më mirë sipas këtij Raporti nuk qëndrojnë as gjykatat e rregullta komunale të Kosovës, të cilat gjatë kësaj periudhe kohore kanë zgjidhur gjithsej 64 lëndë: 36 në kuadër të Shpërdorimit të Pozitës Zyrtare, 10 në kategorinë Marrje e Ryshfetit dhe 18 në Dhënie të Ryshfetit. Ndërkaq, në fund të periudhës raportuese kanë mbetur gjithsej 187 lëndë të pazgjidhura: 126 në kategorinë Shpërdorim i Pozitës Zyrtare, 40 në kategorinë Marrje e Ryshfetit dhe 21 në Dhënie të Ryshfetit.

Po ashtu, FOL ka publikuar në kuadër të këtij Raporti edhe statistikat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK), ku rezulton se Policia e Kosovës në gjashtë mujorin e parë të 2012 ka hetuar në total 95 raste, ka arrestuar gjithsej 28 zyrtarë të ndryshëm publikë, ka dërguara 69 raste në Prokurori me kryerës të njohur, 1 rast me kryerës të panjohur (N/N), si dhe 9 raste të tjera me raport të veçantë të prokurorit.

Lëvizja FOL vlerëson që Ekzekutivi i vendit nuk ka demonstruar vullnet për luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e tij në institucionet publike. Nga 180 vendime sa ka miratuar gjithsej sipas këtij Raporti, vetëm 4 sosh kanë qenë në “luftë” kundër korrupsionit: a) miratimi i Strategjisë Kundër Korrupsion dhe Planit të Veprimit 2012-2016; b) themelimi i Komitetit Ekzekutiv “Qeverisja” (i cili do të përqendrohet në hartimin e politikave anti-korrupsion); c) miratimi i kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsion për shkarkimin e z. Elez Hajdaraj, anëtar i Bordit të Drejtorëve të “Hidrodrinit”, SH.A. Pejë dhe d) aprovimi i kërkesës tjetër të AKK-së për shkarkimin e z. Ismajl Jonuzi, anëtar i Bordit të Drejtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Sipas Raportit as Kuvendi i Kosovës nuk është treguar produktiv në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Nga 29 seanca plenare sa janë mbajtur gjithsej, vetëm në dy prej tyre është diskutuar për luftën “kundër” korrupsion: a) Strategjinë Kundër Korrupsion dhe Planin e Veprimit 2012-2016 dhe b) Raporti Vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsion (2011). Pa marrë parasysh diskutimet e bëra në këto dy seanca, ato nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi në uljen e nivelit të lartë të korrupsionit në vend.

Raportin e plotë mund ta gjeni në këtë link: http://levizjafol.org/images/uploads/files/Monitoruesi_i_Korrupsionit_-_Raporti_Gjashtemujor_2012.pdf