Katër vjet angazhim në luftë kundër korrupsionit
Prishtinë, 25 qershor – Sot bëhen katër vjet nga themelimi i Lëvizjes FOL. Që nga themelimi i saj e deri më sot, Lëvizja FOL është angazhuar për ngritjen e nivelit të transparencës dhe llogaridhënies, nxitjen e pjesëmarrjes qytetare në jetën politike dhe publike, si dhe në mbështetje të proceseve të shtet-ndërtimit dhe të demokratizimit të vendit.
Megjithëse FOL filloi punën me një kompjuter të vetëm dhe një staf prej tre personave, sot në të janë të angazhuar pesëmbëdhjetë persona, rreth 300 aktivistë, si dhe mbi pesëdhjetë anëtarë të cilët në kuadër të Kuvendit të Anëtarëve në mënyrë të drejtpërdrejt qeverisin organizatën.
Për këto vite FOL ka organizuar tryeza të shumta, peticione të ndryshme, protesta dhe përformanca publike, publikime të ndryshme, shkolla të shumta për qytetari aktive, si dhe qindra aktivitete të ndryshme të cilat kanë pasur për synim përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e shtet-ndërtimit nëpër të cilin po kalon vendi ynë.
Arritjet tona për këto katër vite janë të shumta: qindra nxënës të shkollave të mesme kanë përfituar nga programi i debatit, i cili ofron mundësinë më të mirë për të rinjtë që të zhvillojnë potencialin e tyre të mendimit kritik, të pjesëmarrjes aktive dhe të reagimit. FOL ka qenë Organizata e parë që ka bërë hapjen e zyrave të prokurimit për mbikëqyrje dhe kontroll nga shoqëria civile, diçka që ka kontribuar drejtpërdrejt në reduktimin e mundësive për keqpërdorim. Po ashtu, kemi ofruar qytetarin me afër institucioneve publike, kemi marrë pjesë në shumë grupe punues të draftimit të ligjeve anti-korrupsion, kemi publikuar raporte të rregullta për nivelin e korrupsionit, të transparencës dhe të keqpërdorimeve në fushën e prokurimit publik. Një fushate një-mujore gjatë vitit 2011, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, ka hapur këtë institucion, duke ulur paragjykimet tradicionale për institucionin e akuzës. Puna jonë ka inkurajuar organizata të tjera të shoqërisë civile që të vazhdojnë më tej këtë iniciativë.
Po ashtu, FOL gjatë këtij viti është përfshirë aktivisht në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Open Government Partnership – OGP, ku anëtarësimi i Kosovës në këtë Organizatë do të nënkuptonte hapjen e institucioneve sa i përket mënyrës së shpenzimit të parasë publike që ato bëjnë.
FOL është e përkushtuar që të vazhdojë edhe më fuqishëm përpjekjet dhe kontributet e saja për ta sjellë institucionin më afër qytetarit, të ndikojë në uljen e korrupsionit në vend, si dhe të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike në shpenzimin e buxhetit të shtetit.
FOL falënderon të gjithë anëtarët e Bordit Këshillëdhënës, anëtarët e Kuvendit të FOL-it, aktivistët dhe mbështetësit, mediat dhe donatorët për ndihmën dhe përkrahjen e madhe që i kanë dhënë FOL gjatë këtyre viteve.