Përditësimi i Platformës për Deklarimin dhe Krahasimin e Pasurisë për 236 zyrtarë publikë

Prishtinë, 20 Qershor – Lëvizja FOL, në kuadër të Platformës së Deklarimit dhe e Krahasimit të Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë (http://levizjafol.org/al/deklarimet), ka përditësuar të dhënat e pasurisë së deklaruar për vitin 2012, e që janë bërë publike nga Agjencia Kundër Korrupsion në fund të muajit Maj 2013.

Në këtë Platformë janë gjithsej 236 zyrtarë të lartë, të cilët janë në pozita të larta që nga viti 2010 e deri më sot, përfshirë këtu 34 kryetarë komunash, 107 deputetë, 77 zyrtarë të lartë qeveritarë. Këtë vit janë përfshirë edhe 12 zyrtarë të lartë, si nga niveli lokal ashtu edhe nga ai qendror, që vijnë pas ndryshimeve në disa ministri.

Sipas deklarimeve të bëra në AKK, diferenca e pasurisë së zyrtarëve publikë që është rritur gjatë vitit 2012 krahasuar me vitin paraprak është si në vijim:
– Zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli – 102,532,814.00 EURO;
– Deputeti Emin Gerbeshi – 1,747,100.00 EURO;
– Kryetari i Komunës së Suharekës, Blerim Kuqi – 684,859.00 EURO;
– Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku – 360,420.00 EURO;
– Deputeti Hamza Balje – 195,300.00 Euro;
– Zëvendës ministri i diasporës, Nuredin Lushtaku, 101,000.00 EURO;
– Deputeti Lutfi Haziri – 94,829.00 EURO;
– Deputeti Muhamet Mustafa – 87,799.00 EURO;
– Presidentja Atifete Jahjaga – 52,673.00 EURO;
– Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi – 36,712.00 EURO, etj.

Ndërkaq, zyrtarët publikë të cilët kanë pësuar rënie të pasurisë gjatë vitit 2012 krahasuar me vitin e mëparshëm janë:
– Deputeti Ramiz Kelmendi – 21,905,167.00 Euro;
– Deputeti Florin Kelmendi – 4,482,655.00 EURO;
– Deputeti Hashim Deshishku – 568,269.00 Euro;
– Zëvendësministri të Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Hasani – 185,235.00 EURO;
– Ministri të Financave, Besim Beqaj – 185,235.00 EURO;
– Zëvendësministri të Administratës Publike, Nexhmedin Kastrati – 95,360.00 EURO;
– Kryeparlamentari Jakup Krasniqi – 20,000.00 EURO;
– Kryeministri Hashim Thaçi – 15,135.00 EURO etj.

Qytetarët e Kosovës mund t’i krahasojnë deklarimet e pasurisë dhe njëkohësisht t’i komentojnë ato për secilën kategori të deklaruar. Komentet që do të jepen në këtë platformë pas një periudhe të caktuar do të dërgohen në Agjencinë Kundër Korrupsion dhe në Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë që të fillohen edhe hetimet për deklarimet që eventualisht nuk janë të sakta ose për nivelin e lartë të dallimeve nga viti në vit pa ndonjë shpjegim të arsyeshëm.

Për më tepër rreth pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, ju lutem vizitoni Platformën e Deklarimit dhe Krahasimit të Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë.