Agjencioni t’i bëjë publike emrat e zyrtarëve milionerë

Prishtinë, 8 prill 2013 – Deklarimi i pasurisë nga ana e zyrtarëve publikë ka qenë dhe mbetet njëra ndër problematikat më të ndjeshme në luftën kundër korrupsionit. Kjo për faktin që, prej vitit 2010, prej që është miratuar Ligji për Deklarimin, Kontrollin dhe Prejardhjen e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, shifrat që këta zyrtarë kanë publikuar ndër vite tregojnë hapur përfshirjen e tyre në afera korruptive dhe mungesën e transparencës ndaj qytetarëve të Kosovës.
Lëvizja FOL, vitin e shkuar ka krijuar një platformë, në të cilën ka përfshirë 224 zyrtarë publikë dhe ku janë kalkuluar dhe krahasuar pasuritë e tyre ndër vite. Meqë në shumicën prej tyre është vërejtur një mospërputhje e madhe, ne patëm kërkuar nga organet kompetente, si prokuroria e shtetit, që të iniciojë hetime në lidhje më deklarimet e zyrtarëve, por që nuk kemi parë ndonjë hetim serioz deri më tash.

Siç dihet tashmë, afati i deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve publikë ka përfunduar në fund të muajit që lamë pas. Sipas ligjit të sipërpërmendur, publikimi i formularëve të deklarimit ka një afat prej dy muajsh që të bëhen publike në ueb-faqen e Agjencionit Kundër Korrupsion. Mirëpo ditë me parë Agjencioni publikoi raportin vjetor, ku në mes tjerash përmendi edhe numrin prej 9 zyrtarësh publikë që kanë një diferencë milionëshe në deklarimin e pasurisë përgjatë një periudhe 4-vjeçare.

Ne e dimë që ligji lejon një kohë prej dy muajve derisa të bëhen publike formularët e deklarimit, por për hir të transparencës në opinionin publik, Agjencioni do të duhej të bëjë publike emrat e këtyre zyrtarëve të shndërruar në milionerë. Një kërkesë e tillë do të mundësonte gjithashtu që organet e ndjekjes dhe ato të hetuesisë (Policia dhe Prokuroria) të kishin një bazë themelore për fillimin e hetimeve ndaj këtyre zyrtarëve të cilët kanë zhvatur buxhetin publik për t’u pasuruar. Kjo përveç që është në funksion dhe mandat të vetë Agjencionit, do ta lehtësonte njëherazi edhe punën medieve, organizatave jo-qeveritare dhe shoqërisë në përgjithësi.

Ndërkaq, në momentin që formularët e deklarimit do të bëhen publike nga ana e Agjencionit, Lëvizja FOL do t’i inkorporojë në platformën e saj (www.levizjafol.org/al/deklarimet) dhe pastaj secili i interesuar mund të vërejë vetë dallimet vjetore të deklarimit të zyrtarëve të lartë publikë.