Strategjia Kundër Korrupsion: As strategji, as kundër korrupsionit
Prishtinë, 4 dhjetor 2011 – Lëvizja FOL ka publikuar sot analizën e saj mbi “Dobësitë e Strategjisë Kundër Korrupsion 2009-2011”.
Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes FOL, Petrit Zogaj, tha se “niveli i lartë I korrupsionit në vend është duke i dëmtuar interesat e qytetarëve të Kosovës”. Më tutje, ai pohoi se edhe Raporti i Transparency International e konfirmon që institucionet nuk e kanë luftuar korrupsionin, duke qenë se Kosova renditet në dy vende më poshtë.
Ndërkaq, hulumtuesi i politikave në këtë Lëvizje, Armend Mazreku, tha se “strategjia kundër korrupsion 2009-2011″ ka qenë shumë pak strategji, por më keq se kaq, ka qenë shumë më pak në luftë kundër korrupsionit”. Më tutje, ai tha se “edhe kjo strategji është hartuar brenda modelit keqqeverisës, i cili konsiston vetëm në pasjen e këtyre strategjive, por jo edhe në zbatimin e tyre”.
Më pastaj, z. Mazreku tha se “strategjinë e tillë e kanë karakterizuar dobësi të shumta, gjë që një strategji e tillë nuk ka ndikuar në uljen e korrupsionit në institucionet publike”.
Sipas të gjeturave të kësaj Analize, rezulton se dobësitë kryesore që e kanë shoqëruar strategjinë kundër korrupsion 2009-2011 janë: Mungesa e studimeve, hulumtimeve dhe raporteve paraprake për karakteristikat, natyrën dhe shkaqet e korrupsionit; Mungesa e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin hartues të SKK dhe PVV 2009-2010; Qasja gjithëpërfshirëse: shpërputhja ndërmjet SKK-së dhe PV-së 2009-2011; Mungesa e seriozitetit në përcaktimin kohor të masave anti-korrupsion dhe kostos financiare të tyre; Mungesa e mbikëqyrjes së zbatimit të SKK dhe PV 2009-2011 nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion dhe; Mos-përmbushja e mjaftueshme e objektivave dhe masave vepruese kundër korrupsion.
Ndërkaq, kjo Analizë adreson edhe këto rekomandime: Të realizohen hulumtime paraprake për karakteristikat, natyrën dhe shkaqet e korrupsionit në Kosovë; Të bëhet një analizë e integruar e paketës ligjore anti-korrupsion; Të identifikohen sektorët të cilët janë më të afektuar nga korrupsioni ” me theks të veçantë prokurimin publik; Të përcaktohen objektivisht afatet kohore të realizimit të veprimeve konkrete që dalin nga Plani i Veprimit; Të përcaktohet përafërsisht kostoja financiare për realizimin e masave të parapara me SKK dhe PV 2012-2016; Të forcohet mbikëqyrja e zbatimit të SKK dhe PV 2012-2016 nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion dhe Shoqërisë Civile si dhe; Të promovohet Strategjia si dokument strategjik ” në mënyrë që të gjitha politikat institucionale, e veçmas ato qeveritare, të burojnë nga dokumenti i tillë strategjik.