Lëvizja FOL, zgjeron aktivitetet e saj në Komunën e Podujevës dhe të Gjakovës

Podujevë-Gjakovë, 26-27 Prill 2012.– Lëvizja FOL ka filluar zgjerimin e aktiviteteve të saj direkt edhe në komuna të Kosovës. Në dy ditët e fundit FOL përmes ceremonive të rastit ka shpalosur qëllimet e zgjerimit në Komunën e Podujevës dhe atë të Gjakovës. Pjesëmarrës në këto ceremoni kanë qenë përfaqësues të institucioneve lokale, nga shoqëria civile, përfaqësues të partive politike, të medieve, të sektorit të biznesit dhe qytetarë të këtyre komunave.

Më këtë rast Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes FOL Petrit Zogaj duke i falënderuar të pranishmit tha se “pas më shumë se dy viteve që nga themelimi i Lëvizjes FOL, e cila, si mision kryesorë ka promovimin e qeverisjes demokratike, të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve qendrore, tash kjo lëvizje do të realizojë këtë mision më direkt, nëpërmjet shtrirjes së saj edhe në nivelin komunal”. Lëvizja FOL vendimin e saj për zgjerimin në këto komuna e ka bazuar në parimin se “duke e zgjeruar lëvizjen tonë, ne, besojmë që do të sjellim mbikëqyrje publike tek niveli i qeverisjes lokale dhe të përmirësojë mjetet ekzistuese të shoqërisë civile që të kenë hulumtime efektive si dhe avokim në shërbim të ngritjes së transparencës, llogaridhënies dhe avancimin e reformës së qeverisë lokale”, tha Petrit Zogaj. Sipas tij “kjo është mënyra më e mirë për t`i inkurajuar qytetarët që të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të brishta publike si dhe ndaj vendimeve që burojnë nga keqqeverisja”.

Format e keqqeverisjes, keqmenaxhimit dhe keqfunksionimit të institucioneve publike të nivelit qendror dhe atij lokal kanë bërë që të ulet besueshmëria e qytetarëve në institucione dhe njëkohësisht ka shkaktuar indiferencë qytetare ndaj zhvillimeve politike, sociale e ekonomike. Për këtë qëllim “Lëvizja FOL, do të fokusohet në rritjen e mbikëqyrjes publike mbi institucionet e qeverisë lokale në këto dy komuna, duke nxitur qytetarinë aktive përmes përfshirjes së akterëve relevant dhe qytetarëve në vendimmarrje”, tha Petrit Zogaj.
Këto takime kanë vazhduar duke u diskutuar rreth formave më të përshtatshme të avancimit të nivelit të bashkëpunimit ndërmjet sektorit të shoqërisë civile, sektorit qeverisës lokal, medieve dhe sektorëve tjerë relevant në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes në këto komuna.

Galeria e aktivitetit

g47

g46

g45

g44

g43

g42

g41

foto (83)