Strategjia kundër korrupsion 2012-2016 ka përsëritur mangësitë e strategjive të kaluara
Prishtinë, 27 Janar 2012 ” Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin me temën “Strategjia Kundër Korrupsion 2012-2016: Pritjet e institucioneve dhe shoqërisë civile në luftë kundër korrupsionit”. Në këtë debat është diskutuar për dobësitë dhe përparësitë e kësaj strategjie në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
Hulumtuesi në Lëvizjen FOL, Armend Mazreku, ka thënë se “gjatë procesit hartues strategjia e re 2012-2016 ka përsëritur fatkeqësisht disa nga mangësitë e strategjisë së kaluar”. Më tutje, ai pohoi se “lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë e suksesshme nëse paraprakisht nuk ekziston vullneti politik nga institucionet publike. Mungesa e hulumtimeve paraprake që do të tregonin nivelin e lartë të korrupsionit, shkaqet dhe karakteristiket e tij, mungesa e një hulumtimi objektiv mbi zbatueshmërinë e strategjisë paraprake 2009-2011, si dhe qasja gjithëpërfshirës e shumë sektoriale e strategjisë 2012-2016 janë vetëm disa nga shqetësimet e Lëvizjes FOL, – tha më tej hulumtuesi Mazreku.
Ndërkaq, shefi i divizionit për legjislacion dhe edukim në Agjencinë Kundër Korrupsion, Burim Sadiku, tha në anën tjetër se Agjencia ka bërë një raport të strategjisë së mëparshme. Sipas tij, edhe “strategjia e re është bazuar në vlerësimet e institucioneve të brendshme dhe ndërkombëtare sa i përket nivelit të korrupsionit në vendin tonë”. Sipas tij, “qëllimi i strategjisë së re është reduktimi progresiv i nivelit të korrupsionit në vendin tonë”. Më tutje, ai pohoi se Agjencia, së bashku me institucionet tjera e shoqërinë civile, do të bëjë gjithçka që është e mundshme që kjo strategji të zbatohet dhe në këtë mënyrë të arrihen rezultatet e pritura.
Ndërkaq, pjesëmarrësit tjerë në këtë debat shprehën disa nga shqetësimet e tyre për ngutshmërinë e hartimit të kësaj strategjie, duke mos marrë parasysh thirrjet e shoqërisë civile për realizimin e hulumtimeve empirike, për një qasje më të drejtpërdrejt në përcaktimin e sektorëve që janë më të prekur nga korrupsioni, siç është prokurimi publik, privatizimi i ndërmarrjeve publike, partitë politike, si dhe një afatizim më i qëndrueshëm kohor i masave anti-korrupsion.