Tryezë diskutimi mbi aktivitetet dhe problemet e prokurimit publik në Ferizaj
Ferizaj, 18 korrik 2014- Lëvizja FOL ka organizuar sot në Ferizaj tryezën e diskutimit me temën “Aktivitetet e prokurimit publik në periudhën e parë 6 mujore të vitit”. Në këtë tryezë është prezentuar një raport me përmbledhje të statistikave mbi aktivitetet e prokurimit të inciuara nga Komuna e Ferizajt. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin kryetari i komunës së Ferizajt Muharem Svarqa, drejtoresha e prokurimit Hanife Obrazhda-Selimi, asambleist të partive të ndryshme politike si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Kenan Tora nga Lëvizja FOL tha se qëllimi i kësaj tryeze është që të diskutohet mbi problemet dhe parregullsitë e mundshme që i shoqërojnë zhvillimin e procedurave të prokurimit publik në komunën e Ferizajt. Ai më tutje vazhdoi me të gjeturat e raportit për këtë komunë duke theksuar se gjatë periudhës së parë 6 mujore të këtij viti Komuna e Ferizajt i ka shpallur 47 njoftime kontrate, 31 njoftime për dhënie të kontratës, 0 njoftime anulimi dhe 2 anulim të dhënies së kontratës, kurse OSHP ka marrë dy vendime kundër komunës së Ferizajt duke i kthyer dy aktivitete të prokurimit në Ri-vlerësim. Për sa i përket problemeve që në përgjithësi janë prezente në prokurimin publik ai theksoi problemin e mos-standardizimit të procesit të hartimit të dosjes së tenderit, çmimeve jo-normalisht të ulëta, mos-koordinimit në mes të institucioneve të ndryshme dhe jo-profesionalizmit të komisioneve të vlerësimit.
Më pas fjalën e mori kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili tha se parregullsitë apo problemet e ngritura nga Lëvizja FOL pjesërisht janë të pranishme edhe në komunën e Ferizajt. Ai vazhdoi duke thënë se shumë shpesh haset në problemin e çmimeve jo-normalishtë të ulëta dhe se ky problem ka qenë i pranishëm edhe në njërën prej lëndëve që ka shkuar në OSHP dhe se tani e tutje po mendojnë seriozisht së bashku me zyrën e prokurimit që rastet specifike kur dyshohet se operatorët ekonomik po tentojnë të manipulojnë me çmime jo-normalishtë të ulëta ti dërgojnë në prokurori. Më tutje kryetari Svarqa tha se që nga ardhja në pushtet ka vënë në zbatim standardin e mos tenderimit të lëndëve pa i pas pasur mjetet në disponim sic ka ndodhur më herët dhe që ka rezultuar me borxhe të shumta të komunës që janë trashëguar nga pushteti paraprak, është duke punuar që të vë në zbatim standardin e mos-pranimit të garancioneve nga kompani të sigurimit përvec atyre bankare dhe se është munduar që të ketë qasje sistematike në mënyrë që të adresohen problemet evidente dhe zyra e prokurimit të bëjë punën në mënyrë sa më profesionale.
Ndërsa, menaxherja e prokurimit Obrazhda-Selimi në vazhdim tha se çmimet jo-normalishtë të ulëta janë problem që vazhdimisht janë prezent në ofertat e operatorëve ekonomik dhe se kjo po krijon probleme serioze në zgjedhjen e ofertës më kualitative dhe pastaj po reflektohet në kryerjen e punës. Për sa i përket profesionalizmit ajo tha se tentojnë që komisionet të jenë sa më profesionale mirëpo gjithmonë ka hapësirë për tu bërë më shumë, sidmos në kontekstin e mbikëqyrjes së punëve të kryera.
Juristi Admir Salihu, tha se pavarësisht se Ligji aktual i Prokurimit Publik ka disa mangësi, kjo nuk e parandalon autoritetin kontraktues të zhvillojë procedurat në mënyrë profesionale dhe se autoritetet komunale duhet të kenë kujdes në mos-diskriminimin e operatorëve ekonomik.
Kurse, Afrim Demiri- gazetar tha se duhet të investohet në kapacitetet e zyrës së prokurimit dhe profesionalizmit të saj dhe se shpeshherë kjo zyrë ka rënë pre e presioneve nga jashtë duke u cilësuar mandej si vrimë e zezë. Ai vazhdoi duke thënë se zyra e prokurimit duhet të raportojë drejtpërdrejtë kuvendit komunal dhe për sa i përket implementimit të projekteve të ketë vëmendje të shtuar në mbikëqyrjen e kryerjes së punëve në bazë të kontratës së nënshkruar.
Gazmend Rexhepi nga INPO duke vazhduar diskutimin në kontekstin e mbikëqyrjes së implementimit të projekteve tha se është e evidentuar se Komuna e Ferizajt ka më shummë të punësuar se sa që duhet, prandaj ajo do të duhej të angazhonte edhe punonjësit e vet që mbikëqyrja e punëve të bëhet në mënyrën e duhur.