Të japin dorëheqje ose të shkarkohen kryetarët Zharku dhe Xhemaili

Prishtinë, 22 prill 2011- Ne, organizatat e shoqërisë civile përmes kësaj deklarate shprehim mbështetjen tonë të plotë për punën e Gjyqësorit në trajtimin e rasteve të ndjeshme që përfshinë zyrtar të lartë shtetëror. Të tilla i konsiderojmë edhe rastin e z. Xhabir Zharkut, Kryetar i Komunës së Kaçanikut dhe të z. Bajrush Xhemailit, Kryetar i Komunës së Ferizajt, që të dy të shpallur fajtor për vepra penale nga Gjykatat e Republikës së Kosovës.

Sipas Nenit 56 pika (h) e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, mandati Kryetarit të Komunës përfundon në rast të dënimit për vepër penale me një urdhër për burgim për gjashtë (6) muaj ose më tepër. Në bazë të këtij neni nuk duhet pritur deri në një vendim të plotfuqishëm të Gjyqësorit siç është pretenduar, por ka bazë të mjaftueshme ligjore për shkarkimin e kryetarëve Zharku e Xhemaili nëse këta të fundit nuk ofrojnë dorëheqje.

Përderisa Gjyqësori ka bërë punën e vetë në këto dy raste, z. Zharku dhe z. Xhemaili nuk kanë dhënë shenja se do të respektojnë vendimin e Gjykatës. Organizatat tona i konsiderojnë të papranueshme përpjekjet për të injoruar apo shpërfillur vendimin e Gjykatës nga ana e zyrtarëve të lartë të Republikës së Kosovës.

Sjelljet e tilla i konsiderojmë si shantazh ndaj organeve te drejtësisë dhe minim të përpjekjeve për vendosje të rendit dhe ligjit në Kosovë. Vendosja e interesit individual mbi ligjet dhe vendimet e Gjyqësorit duhet të jetë fenomen i papranueshëm për një shoqëri demokratike.

Ne, i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 64.1 dhe 64.3 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, që menjëherë të suspendojë dhe më pas shkarkojë Kryetarin e Komunës së Kaçanikut z. Xhabir Zharku si dhe atë të Ferizajt z. Bajrush Xhemaili nëse këta të fundit refuzojnë të japin dorëheqje.

___________________________________________________________________________________________________

Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), Klubi për Politikë të Jashtme, Iniciativa për Progres (INPO), Syri i Vizionit (SiV), Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Lëvizja FOL, Qendra e Kosovës për Bashkëpunim Ndërkombëtar (KCIC)