Trekëndëshi Bermudës – Vështrim mbi marrëdhëniet e institucioneve anti-korrupsion

Prishtinë, 27 Gusht 2010: Sot, Lëvizja FOL publikoi një vështrim mbi marrëdhëniet e institucioneve anti-korrupsion, përkatësisht për marrëdhëniet ndërmjet Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Prokurorisë Publike si dhe EULEX-it. Mungesa e mekanizmave ose kanaleve të koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve kanë krijuar situata shumë të vështira në raportet ndërmjet institucioneve gjë që ka ndikuar shumë keq në punën e institucioneve në luftën kundër korrupsionit. Megjithëse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e sidomos toleranca zero ndaj këtyre fenomeneve, ishte prioritet i deklaruar nga ana e institucioneve të Kosovës që nga themelimi i tyre, vetëm në vitin 2010 kemi krijimin e një task force kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, rreth vështrimit të publikuar u shprehë se “Megjithëse viti 2010 shënon progres të theksuar në përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve anti-korrupsion, sidomos pas ndërrimeve në kreun e Prokurorisë së Shtetit, vullneti i krerëve të institucioneve përkatëse për bashkëpunim nuk është përkthyer dhe shpërndarë në tërë institucionin përkatës, sidomos tek Prokuroria Publike, ku kemi vërejtur probleme të mëdha nga ana e Kryeprokurorit Kabashi për të komunikuar me prokurorët e tjerë”

Më tutje ai shtoi se shumë raste të dyshimeve për korrupsion që Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit (AKK) ka dërguar në Prokurori, janë hedhur poshtë pa asnjë njoftim zyrtar nga ana e Prokurorisë për AKK për arsyet e një vendimi të tillë. Për shkak të mungesës së marrëdhënieve të mira ndërinstitucionale, sot, Prokuroria e Shtetit ka humbur dosjet që AKK ka dërguar në prokurori.

Megjithëse AKK-ja nuk është organ i akuzës por punon në mbledhjen e informacioneve, përpunimin dhe dërgimin në Prokurori, kjo e fundit nuk e ka pasur shumë parasysh këtë fakt. Pra, rastet e dërguara nga AKK-ja nuk janë zhvilluar më tej nga Prokuroria por thjesht janë hedhur poshtë. Në këtë rast konsiderojmë se kemi edhe shkelje të mandatit kushtetues të Prokurorisë e cila do të duhej që të urdhërojë hetime të mëtejme ndaj rasteve dhe jo ti hedhë poshtë ato.

Lëvizja FOL kërkon që sa më parë Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiut në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në Prokurorinë Publike të Qarkut të Prishtinës të plotësoj numrin e prokurorëve të nevojshëm. Ky numër duhet të jetë 20 prokuror dhe jo 6 sa janë aktualisht pasi që rastet më të rënda janë nën përgjegjësinë territoriale dhe lëndore të kësaj prokurorie. Po ashtu FOL propozon që në secilën prokurori të emërohen prokurorë të specializuar vetëm për luftimin e krimeve ekonomike të cilët nuk do të merreshin me vepra tjera penale. Si dhe propozojmë që në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës të emërohen pesë prokurorë vetëm për luftimin e korrupsionit ndërsa në atë të Gjilanit, Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit nga dy prokurorë.

Publikimi u mundësua nga mbështetja financiare e Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë në Republikën e Kosovës.

Kontakt për më shumë: Ramadan Ilazi, 044 324 377 dhe [email protected]

FUND