Matës i të vërtetës

“Natyrisht se çdo ditë është duke ndodhur afirmimi i energjive të reja në kuadër të Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Hashim Thaci, Kryeministër, 25 mars 2010

E PAVËRTETË

Një pjesë e emrave që bëri publik kryeministri Thaçi, si pjesë e riformatizimit të qeverisë bien në kundërshtim me këtë deklaratë, dhe ato të fillim vitit 2008, sipas të cilave qeveria e tij, nuk do të kishte ministra politikanë të konsumuar dhe të së kaluarës.
Lutfi Haziri ka qenë pjesë e qeverisë së LDK-së me AAK-në, dhe ka qenë vetë Thaçi dhe partia e tij që e kishin quajtur atë koalicion të njerëzve të korruptuar dhe të parapolitikës.
Bujar Bukoshi është në skenën politike që prej viteve “90, dhe ka qenë kryeministër ne ekzil i qeverise në vitet 90-ta. Një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Thaçit, dhe kritikues së fundi i qeverisjes së tij.

Edita Tahiri ka kohë që është e pranishme në politikë, dhe ka ndërruar disa parti në këto vjet. Ka qenë po ashtu në qeverinë e ekzilit gjatë viteve 90-ta.
Ndërsa Bajram Rexhepi, i cili vjen nga radhët e partisë së z. Thaçi ka qenë për disa vite kryeministër i Kosovës dhe në dy vitet e fundit ishte kryetar i Komunës së Mitrovicës.
Haziri, Bukoshi, Tahiri dhe Rexhepi nuk janë “energji të reja”, dhe nuk pritet t”i kontribuojë asaj që kryeministri e quan “rritje të efikasitetit dhe efektivitetit” të punës së qeverisë.
“Të gjithë bashkëbiseduesit, (Sejdiu, Ivanov, Topi, Vujanovic) u dakorduan që të bëhet harmonizimi i përbashkët për takimin, që mund të mbahet në muajt e parë të vitit të ardhshëm në Kosovë dhe për datën e saktë të të cilit opinioni do të njoftohet me kohë”.
Presidenca e Kosovës, 22 dhjetor 2009

E PAVËRTETË

Muajt e parë të vitit 2010 tashmë kanë kaluar dhe nuk ka as edhe një shenjë të përpjekjeve për të organizuar një samit rajonal në Kosovë. Në fakt, edhe ideja e Samitit të Prizrenit që duhej të mbahej në fillim të janarit, ishte hedhur nga ish-presidenti kroat, Stipe Mesiq, që në atë kohë vizitonte Kosovën. Vendi nuk ka traditë të organizimit të samiteve të tillë, por një arsye më shumë për shtyrjet e vazhdueshme duket të jetë edhe hezitimi i presidentëve të rajonit që të marrin pjesë në të.
Presidenti maqedon, Ivanov, parimisht ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje, por edhe kishte paralajmëruar shumë herë, nuk e ka vizituar asnjëherë Kosovën. Presidenti malazez, Vujanoviq, sa herë ka mundur, ia ka bërë të qartë Prishtinës se duhet të pranojë pakicën malazeze dhe të definojë kufirin, për të pasur çështjet e mbyllura me Podgoricën. I vetmi që nuk do të hezitonte të merrte pjesë është presidenti shqiptar, Topi, që organizoi samit rajonal në Vlorë, në qershor 2009, pasi që Sejdiu u injorua në disa të tilla në rajon. Sidoqoftë, për momentin është Kosova ajo që nuk merr asnjë iniciativë.

“Projekti im i parë do të jetë implementimi i autostradës që lidh Prishtinën me Zubin ” Potokun. Ne nuk do të ndalemi te Ura e Ibrit”
Hashim Thaçi, Kryetar i PDK-së, 02 nëntor 2007

E PAVËRTETË

Në këto dy vjet të qeverisjes Thaçi ka përmendur shumë herë veriun si sukses të tij, dhe investimet që ka bërë në atë pjesë, e që sipas tij janë të parat. Një nga premtimet kryesore të fushatës së tij, për t”u bërë kryeministër ka qenë ndërtimi i autostradës deri në Zubin-Potok, në kufi me Serbinë, si shenjë kjo që qeveria do të kontrollonte edhe pjesën veriore të Kosovës. Një rrugë me katër korsi për Mitrovicë tashmë ka filluar, por ajo natyrisht ka arritur vetëm pak kilometra larg Prishtinës, pasi që kjo qeveri sikurse edhe të tjera nuk kanë arritur të ofrojnë as edhe një shërbim për komunat e Leposaviqiti, Zubin Potokut dhe veriut të Mitrovicës. Më shumë sesa një mundësi reale dhe e studiuar, premtimi zgjedhor i Thaçit, ka qenë një iluzion dhe përpjekje për t”i mbushur me shpresë qytetarët e Mitrovicës se qyteti do te bashkohej dhe veriu do të vihej nën kontroll, diçka që vazhdon të mos ndodhë edhe 11 vjet pas luftës.

“Prioriteti yni kryesor është zhvillimi i ekonomisë, zvogëlimi i papunësisë dhe varfërisë. Për ta realizuar këtë prioritet unë kam angazhuar ekspertë si dr. David Klein dhe Xhek Kemp dhe eksperte vendor për hartimin e planit ekonomik kombëtar”.
Hashim Thaçi, Kryetar i PDK-së, 29 tetor 2007, Konventa e PDK-së

E PAVËRTETË

Për vitin 2009 është raportuar ngritje ekonomike, por ajo natyrisht nuk ka ndikuar në gjendjen e vështirë sociale ekonomike. Dy vjet të qeverisjes Thaçi kanë parë ndryshime të pakta të përmirësimit të kësaj gjendjeje. Pagat e punëtorëve të shumë sektorëve janë rritur vetëm pas presioneve, vonesave, grevave e bllokimit të punës. Por, kjo vetëm për ata që punojnë. Shifrat e të papunëve vazhdojnë të mbesin të njëjta, sikurse edhe niveli i varfërisë. UNDP vazhdon të jap shifrat e njëjta të nivelit të lartë të papunësisë dhe të varfërisë. 37 % e popullatës jetojnë në varfëri ” me 1.42 cent në ditë, kurse mbi 17 % në varfëri ekstreme me 0.93 cent në ditë. Papunësia arrin shifrat në 45 %, më e larta në Ballkanin Perëndimor. Procesi i privatizimit ka bërë që të humben vende të punës, kurse edhe privatizimi ose dhënia me koncension e ndërmarrjeve të mëdha shoqërore (KEK, PTK, Aeroport), rrezikon vendet e punës për qindra punëtorë kosovarë.