Lëvizja FOL dhe Komuna e Prishtinës nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për monitorimin e prokurimit
Prishtinë, 25 shkurt 2014 – Sot, përfaqësues nga Lëvizja FOL janë takuar me kryetarin e Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti. Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i një Memorandumi të Mirëkuptimit, i cili Memorandum i mundëson Lëvizjes FOL monitorimin e procedurave të prokurimit në këtë komunë me qëllim të rritjes së transparencës në këtë sektor.
Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Shpend Ahmeti tha se “duke pas parasysh gjendjen në sektorin e prokurimit, ne me kënaqësi kemi pranuar kërkesën e Lëvizjes FOL për monitorimin e procedurave të prokurimit në Komunën e Prishtinës”. Ai tha se “për ne është prioritet transparenca e përgjithshme e sidomos transparenca e prokurimit publik duke pas parasysh se ky është njëri nga sektorët më të ndjeshëm sa i përket konfliktit të interesit, keqpërdorimeve dhe aferave të ndryshme korruptive”.
Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes FOL Petrit Zogaj tha se “Lëvizja FOL që tri vite është duke u marrë intensivisht me monitorimin e prokurimit publik, ku pothuajse rreth shtatëdhjetë përqind e buxhetit të Kosovës shpenzohet përmes këtyre proceduarve”. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje “ne marrim zotime të dy anshme për zbatimin e tij me qëllim rritjen e transparencës dhe mirëmenaxhimit të parasë publike” tha Petrit Zogaj.