Lëvizja FOL takoi Kryetarin e Gjilanit z. Lutfi Haziri rreth transparencës në Prokurimin Publik
Gjilan, 16 Janar 2014 – Me iniciativën për të diskutuar transparencën e qeverisjeve lokales, Lëvizja FOL sot takoi Kryetarin e Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth mundësisë së bashkëpunimit në mes këtij institucioni dhe Lëvizjes FOL e në veçanti rreth mundësisë së monitorimit të proceseve të prokurimit publik në Komunën e Gjilanit.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL tha se kërkesa për monitorimin e proceseve të prokurimit publik bëhet me qëllim të rritjes së nivelit të transparencës dhe llogaridhënies në këtë sektor, përmes të cilit mekanizëm shpenzohet një pjesë e madhe e parasë publike. Gjithashtu Petrit Zogaj tha se “monitorimi do të ndikojë në parandalimin e keq-përdorimeve, keq-menaxhimeve dhe korrupsionit në këtë sektor dhe do të ndikojë në respektimin e ligjit dhe procedurave gjatë realizmit të proceseve të prokurimit”.
Kurse kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri shprehu gatishmërinë e tij si kryetar komune për mundësitë e bashkëpunimit. Ai më tutje potencoi se “përpos që është interes i komunës të bashkëpunojë me shoqërinë civile gjithashtu unë si kryetar kam kërkuar nga zyra e prokurimit që të krijohen komisionet e qytetarëve të cilët do të merrnin pjesë në monitorimin e proceduarve të prokurimit në Komunën e Gjilanit”.
Gjithashtu në takim u diskutua edhe rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në organizatën ndërkombëtare Partneriteti i Qeverive të Hapura, ku kryetari Haziri tha se është shumë e rëndësishme anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë e cila do ti ndihmonte Kosovës në krijimin e një sistemi të hapur qeverisës. Ky proces sipas të pranishmëve në takim do të ndikonte edhe në realizimin e prokurimit elektronik i cili do të ndikonte në efikasitetin e sektorit të prokurimit dhe parandalimin e keq-përdorimeve dhe keq-menaxhimit në këtë sektor përmes ngritjes së transparencës.
Në fund të takimit të dy palët u pajtuan që në një afat të shkurtër kohor të nënshkruajnë një Memorandum të Bashkëpunimit në bazë të te cilët do të realizohet monitorimi i procedurave të prokurimit publik në Komunën e Gjilanit.