Premtimet e parealizuara në dy vjetorin e Qeverisë Thaçi

Si rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme të 2007-s Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe parti minoritare, kanë krijuar Qeverinë e re të vendit. Qeveria Thaçi është mandatuar nga Kuvendi i Kosovës më 9 janar 2008. Në vazhdim është raporti vlerësues për punën 2-vjeçare të kësaj qeverie për disa çështje kyçe të qeverisjes.

Veriu

Një nga premtimet kryesore të proklamuara nga qeveria Thaçi që në fillim të mandatit ka qenë sundimi i ligjit dhe shtrirja e pushtetit në tërë territorin e Kosovës. Kjo asnjëherë nuk ndodhi. Autoriteti i i Prishtinës nuk arriti të vendosej në veriun e vendit. Qeveria thotë se ka investuar dhe vazhdon të investoj në veri por kjo ndodh vetëm në një numër të kufizuar fshatrash dhe lagjesh në veri të Mitrovicës të banuar me shumicë shqiptare. Më tej nuk ofrohet asnjë shërbim i shtetit të Kosovës dhe veriu bashkë me tri komunat qeveriset nga struktura paralele të financuara nga Beogradi. Qeveria e Kosovës i ka lënë në dorë EULEX-it për të qenë prezent në veri. Shteti i Kosovës vazhdon të pengohet në dërgimin e gjykatësve shqiptarë në Gjykatën e Qarkut. Qeveria dhe ICO-ja po hartojnë strategji për t”i bindur serbët e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit.

Korrupsioni

Një nga problemet e vazhdueshme të Kosovës është bartur fuqishëm edhe në qeverinë Thaçi dhe ky është korrupsioni. Raportet e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2008 dhe 2009 e identifikojnë shtrirjen e madhe të korrupsionit dhe mos-luftimin e duhur të tij si një problem të madh dhe pengues për funksionimin normal te ligjit në Kosovë. Në këta dy vjet të qeverisjes Thaçi është raportuar për keq-menaxhim të madh me paranë publike të cilat kryesisht kanë të bëjnë me favorizime në tenderë të ndryshme e të rëndësishme. Një rast evident është dhënia e tenderit për renovimin e Rilindjes, Mabetexit – Behxhet Pacollit (kryetar i Aleancës Kosova e Re, e cila është prezente në Kuvendin e Kosovës me dhjetë deputet) edhe për kundër faktit që Kuvendi i Kosovës kishte votuar kundër një projekti të tillë.

Ulja e shpenzimeve

Premtim i menjëhershëm i qeverisë Thaçi ka qenë edhe ulja e shpenzimeve të panevojshme. Megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ekzekutivi ka vendosur të jetë dorëlirë në shpenzimet për telefona. Në një vendim të fillimit të vitit 2008 kryeministrit i lejohet roaming pa limit kurse ministrave e zëvendësministrave mbushje telefonike deri në 250 Euro për muaj. Vendi ka 15 ministra dhe së paku 15 zv/ministra meqë disa ministri i kanë nga dy. Kjo do të thotë se mbi 100.000 euro në vit shpenzohen vetëm nga ministrat e zëvendësministrat për mbushje telefonike. Edhe pse ka 30 vetura rezervë, qeveria ka urdhëruar blerjen e një makine 70.000 euro për nevojat e Këshillit të Sigurisë së Kosovës që udhëhiqet nga kryeministri Thaçi. Gjithashtu u vonua implementimi i një prej vendimeve të para të qeverisë, që ishte vendosja e të gjitha institucioneve në objekte publike që duhej të ndodhte deri në fund të vitit 2008. Ministria e Arsimit nuk është vendosur në objekt publik deri në janar 2010 duke e shkelur vendimin për një vit dhe duke paguar në këtë mënyrë rreth 250.000 euro për qera përtej orarit. Edhe Ministria e Energjisë dhe e Minierave ka paguar qera në një shtëpi private deri në pjesën e dytë të 2010-s. Disa ministri si ajo e Drejtësisë dhe e Punës e Mirëqenies Sociale kanë zyra me qera kurse agjenci të pavarura si Agjencia Kundër-Korrupsion dhe ajo për Mbrojtjen e Ambientit veprojnë në objekte me qera të cilën e paguan Ministria e Administratës Publike.

Liria e shprehjes/medias

Liria e shprehjes në Kosovë është përkeqësuar dukshëm në kohën e qeverisjes Thaçi. Televizioni Publik i Kosovës gjendet përballë ndërhyrjeve të vazhdueshme të qeverisë dhe njerëzve të saj në politikat redaktuese. Unioni Evropian i Transmetuesve (ang.EBU) i ka shkruar një letër shqetësuese kryeministrit Thaçi për ndërhyrjet. Edhe pse qeveria thotë se dëshiron të krijojë partneritet me mediat, ajo shpesh kanë rënë pre e shantazhit nga ana e qeverisë nëpërmjet shpërndarjes jo-të barabartë të reklamave. Pavarësisht tirazhit gazetat më të vogla marrin shumicën e reklamave të qeverisë për shkak të politikave redaktorialë në favor të qeverisë. Edhe në këto dy vjet mediat e gazetarët kanë qenë cak i sulmeve, fyerjeve e kërcënimeve nga zyrtarët e lartë institucionalë për shkak të punës që bëjnë.

Lëvizja FOL që nga janari i këtij viti përmes raportimit dhe monitorimit, do të krahasoj dhe do të mas deklaratat e udhëheqësve politikë me realizimin e tyre ne terren. Ky raport do të jetë javor në formën elektronike dhe mujore në forme të shkruar.