FOL Hapur – Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
Prishtinë, 28 janar 2026 – Lëvizja FOL organizoi forumin “FOL Hapur” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me temën “Edukimi i të rinjve dhe informimi publik: Sfidat dhe mundësitë në mbrojtjen e të dhënave personale”.
Krenare Sogojeva-Dermaku, Komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, theksoi se ndryshimi i mendësisë qytetare për privatësinë kërkon kohë dhe angazhim të vazhdueshëm, pasi niveli i njohurive për mbrojtjen e të dhënave personale mbetet ende fillestar. Ajo vuri në dukje se qytetarët shpesh publikojnë të dhëna personale pa qenë të vetëdijshëm për rreziqet e keqpërdorimit, veçanërisht në kohën e zhvillimeve të shpejta të inteligjencës artificiale.
Sipas saj, mbrojtja e të dhënave personale është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile. Ajo nënvizoi se Agjencia ka ndërmarrë masa konkrete, përfshirë vendosjen e sanksioneve, të cilat kanë ndikuar në rritjen e përgjegjësisë së kontrolluesve të të dhënave. Megjithëse ligji është modern, sfidë mbetet zbatimi praktik dhe edukimi i vazhdueshëm i qytetarëve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes së fëmijëve në internet, duke theksuar se publikimi i fotografive të fëmijëve pa pëlqimin e prindërve përbën shkelje ligjore. Sogojeva-Dermaku bëri thirrje për rol më aktiv të prindërve dhe përfshirjen e edukimit digjital dhe mbrojtjes së të dhënave personale në kurrikulat shkollore.
Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), theksoi se kufiri ndërmjet interesit publik dhe mbrojtjes së privatësisë është veçanërisht i ndjeshëm në raportimin medial. Ai sqaroi se edhe kur interesi publik është i lartë, si në rastet penale, privatësia e individëve duhet të respektohet deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Rexha theksoi përgjegjësinë e mediave për respektimin e etikës profesionale, sidomos në rastet që përfshijnë fëmijë, ku publikimi i të dhënave personale apo fotografive pa pëlqimin e prindërve përbën shkelje serioze. Ai vuri në pah edhe rëndësinë e sigurisë digjitale të gazetarëve dhe mbrojtjes së burimeve të informacionit, duke theksuar nevojën për trajnime të strukturuara në këtë fushë.
Në këtë diskutim u theksua se, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, edukimit dhe respektimit të standardeve etike, mund të rritet përgjegjësia dhe të minimizohen shkeljet e privatësisë në hapësirën publike dhe mediale.