Sistemi gjyqësor në vitin 2023 ka pësuar regres në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit dhe të dhunës në familje në krahasim me vitin 2022

Prishtinë, 09.07.2024 – Lëvizja FOL sot ka publikuar raportet statistikore në lidhje mePerformancën e Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor në Zgjidhjen e Lëndëve të Korrupsionit dhe të Dhunës në Familje gjatë vitit 2023“. Ky raport adreson çështjen e performancës dhe efikasitet të shkallës së parë të sistemit gjyqësor dhe të atij prokurorial në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit gjatë periudhës janar – dhjetor 2023, si dhe shtjellon nivelin e ngarkesës së punës së këtyre institucioneve në zgjidhjen e këtyre lëndëve.

Raporti është bazuar në të dhënat statistikore zyrtare të pranuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për vitin 2023. Për matjen e performancës së këtyre institucioneve mbi bazën e këtyre statistikave zyrtare, FOL ka përdorur metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ). Raporti nuk përfshinë cilësinë e lëndëve, apo cilësinë e punës së prokurorive dhe gjykatave, por vetëm matjen statistikore të tyre.

Albana Hasani dhe Viona Bunjaku, Hulumtuese në Lëvizjen FOL, prezantuan gjetjet kryesore të këtij raporti. Gjetjet në lidhje me zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit janë listuar më poshtë.

  • Nga 1,106 lëndët e korrupsionit sa kanë qenë në punë në shtatë prokuroritë themelore dhe në atë speciale gjatë vitit 2023, kanë arritur të zgjidhen gjithsej 500 lëndë, përkatësisht 45 % e të gjitha lëndëve në punë. Ndërkaq pjesa prej 606 lëndëve (55%) kanë mbetur të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2024.
  • Me këto shifra, rezulton se shkalla e zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në sistemin prokurorial në raport me vitin 2022 nuk ka pësuar ndryshim, ngaqë edhe në vitin 2022 ishin zgjidhur po ashtu 45% e lëndëve në punë.
  • Me këto shifra, ky sektor ka arritur normën e zgjidhjes se lendeve në 79% (pra ka arritë të zgjidh dukshëm më pak lëndë se sa ka pranuar), si dhe Normën e qarkullimit të lëndëve në 0.82 (pra ka zgjidhur 500 lëndë, ndërsa 606 lëndë kanë mbetë të pazgjidhura dhe janë bartur për vitin 2024).
  • Ndërkaq, Kohëzgjatja e përfundimit të të gjitha lëndëve të korrupsionit që kanë mbetur të pazgjidhura gjatë këtij viti (sipas trendit aktual të zgjidhjes se tyre) do të jetë 445 ditë. Ndërsa Indeksi i lëndëve të grumbulluara është arritur në 0.95 (për shkak se numri i lëndëve të trashëguara nga vitet paraprake është me i ulët në raport me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë vitit).
  • Ndërsa gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023 gjithsej në punë i kanë pasur 128 lëndë të korrupsionit, ndërsa kanë arritur të zgjidhin 56 lëndë, apo 44 % të të gjitha lëndëve që i kanë pasur në punë.
  • Pra shkalla e parë e sistemit gjyqësor këtë vit kishte pësuar regres në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit në raport me vitin 2022, ku ishin zgjidhur 59 % e lëndëve të korrupsionit që sistemi i ka pasur në punë.
  • Norma e qarkullimit të lëndëve në gjykatat themelore të Republikes së Kosovës gjatë vitit 2023 është arritur 0.77 (për shkak se ky sektor ka zgjidhur 56 lëndë, ndërsa 77 lëndë kanë mbetë të pazgjidhura), Ndërsa kohezgjatja e zgjidhjes sw lëndëve të korrupsionit ne gjykatat themelore të Republikes së Kosovës, që në këtë vit kishin mbetur të pazgjidhura, sipas trendit të zgjidhjes së tyre, është 474 ditë.

Ndërsa indeksi i lëndëve të trashëguara nga gjykatat themelore të Kosovës është arritur në 1.85 (që nënkupton se numri i lëndëve të trasheguara nga viti paraprak ishte dukshëm më i madh, se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë këtij viti).

Ndërsa sa i përket gjetjeve në lidhje me raportin për rastet e dhunës në familje, u deklarua se:

Shtatë gjykatat themelore të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023 gjithsej në punë kanë pasur 2,684 lëndë të dhunës në familje. Prej 2,684 lëndë sa ishin gjithsej në punë për vitin 2023, kanë arritur të zgjidhen 1,393 lëndë, apo 52% e lëndëve. Nëse krahasohet me vitin e kaluar, gjykatat themelore të Kosovës për vitin 2022 kishin pasur në punë gjithsej 1,608 lëndë ndërsa kishin arritur të zgjidhin 961 lëndë të dhunës në familje.

  • Bartja e numrit të madh të lëndëve nga viti në vit vazhdon ende të mbetet sfiduese për sistemin e drejtësisë. Në të gjitha gjykatat themelore të Kosovës, për vitin 2023 ishin bartur 1,887 lëndë, përkatësisht 70% e lëndëve që kanë qenë në punë në vitin 2023.
  •  Norma mesatare e zgjidhjes së lëndëve të  dhunës në familje në të gjitha gjykatat gjatë vitit 2023 ishte 175%, që nënkupton se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe (1,393) ishte dukshëm më i lartë se numri i lëndëve të reja që ishin krijuar gjatë vitit (797 lëndë).
  • Norma e qarkullimit të lëndëve në sistemin gjyqësor është 1.07, që nënkupton se sistemi gjyqësor ka arritur të zgjidh 52% të të gjitha lëndëve në punë prandaj e ka arritur këtë normë. Ndërsa, 48% e lëndëve është bartur për vitin 2024.
  • Indeksi mesatar i lëndëve të grumbulluara në shtatë gjykatat themelore të Kosovës është 1.35, për shkak se numri i lëndëve të trashëguara nga viti paraprak ishte më i lartë pra (1,887 lëndë) ne raport me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë vitit 2023. Krahasuar me vitin e kaluar kjo përqindje është rritur dukshëm.
  • Gjatë periudhës janar – dhjetor 2023, gjithsej raste në punë në shtatë prokuroritë themelore në lidhje me veprat penale të dhunës në familje kanë qenë 4,337 lëndë.
  • Në këtë numër, pra, kanë kontribuar lëndët e bartura nga viti paraprak (1,381 lëndë), si dhe lëndët e reja të krijuara gjatë vitit (2,966 lëndë). Pra, shprehur në përqindje, mesatarisht 32 % e lëndëve të dhunës në familje në punë të shtatë prokurorive ishin të bartura nga vitet paraprake, ndërsa 68 % e lëndëve ishin lëndë të reja, të krijuar gjatë vitit 2023.
  •  Prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës për vitin 2023 kanë arritur të zgjidhin 3,199 lëndë apo 74% e lëndëve,  përfshirë edhe numrin e lëndëve të trashëguara ndërsa pjesa tjetër pra 1,138 lëndë kanë mbetur pa u zgjidhur dhe janë bartur për vitin 2024.

Ndërsa, norma mesatare e qarkullimit të lëndëve në shtatë prokuroritë themelore gjatë kësaj periudhe ishte 2.81, që është krijuar mbi faktin se numri i lëndëve të zgjidhura gjatë kësaj periudhe (3,199 lëndë) ishte dukshëm më i madh në raport me lëndët që kanë mbetur të pazgjidhura (1,138 lëndë), e që janë bartur për vitin 2024.

Për vitin 2023 norma e qarkullimit të lëndëve është 2.81, qe rezulton me numër të madh të qarkullimit të lëndëve, dhe se janë bartur për vitin e ardhshëm si lëndë të pazgjidhura.

Indeksi mesatar i lëndëve të grumbulluara në shtatë prokuroritë themelore gjatë vitit 2023 është arritur në 0.43 dhe ka rrjedhur si pasojë e faktit se numri i lëndëve të dhunës në familje të trashëguara nga viti paraprak (1,381 lëndë) është më i ulët në raport me numrin e lëndëve të zgjidhura gjatë këtij viti (3,199 lëndë).

Bazuar në këto gjetje, Lëvizja FOL ka dhënë këto rekomandime:

  • Të rritet numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve në departamentet përkatëse për krime të rënda, që merren me rastet e korrupsionit;
  • Të rritet bashkëpunimi ndër-institucional, si një premisë bazë për suksesin e veprimtarisë së sistemit të drejtësisë në luftimin e suksesshëm të korrupsionit;
  • Lëndët e korrupsionit, e veçanërisht ato të profilit të lartë, të trajtohen me prioritet absolut nga institucionet e sistemit të drejtësisë.
  • Të krijohet një njësi e veçantë në prokuroritë tjera themelore që merren me rastet e dhunës në familje, njësoj sikurse Njësiti për Dhunë në Familje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës;
  • Të trajtohen me prioritet absolut rastet e dhunës në familje nga ana e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, si dhe të ashpërsohen dënimet ndaj kryerësve të këtyre veprave penale;
  • Të intensifikohet bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë/Zyrës së Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje me institucionet tjera përkatëse (me qëllim të forcimit të përpjekjeve për zbatimin e Ligjit për Mbrojte nga Dhuna në Familje);

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2023

Performanca e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në luftën kundër dhunës në familje gjatë vitit 2023

Performance of the Prosecution and Judicial System in the Fight against Corruption during 2023

Performance of the Prosecutorial and Judicial System in the fight against domestic violence during 2023