Sektori privat, “parajsë” dhe “ferr” për sinjalizuesit

Ka rreth 250 mijë kosovarë që punojnë në sektorin privat, në të cilin ekonomia informale është e përhapur, ka shkallë të lartë korrupsioni dhe në përgjithësi sundim të dobët ligji. Kjo gamë problemesh përbën “parajsë” për sinjalizim. Por, raportimi nga brenda mungon, sepse ambienti është “ferr” dhe frika për humbjen e vendit të punës është e madhe. Pse heshtja për t’u mbrojtur nga pasojat, nuk është zgjidhje?

Nga: Besnik Krasniqi

Ky OP-ED është shkruar nga gazetari për Lëvizjen FOL për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Sinjalizuesve

Ka më shumë se një dekadë prej që një gazetar danez, mua dhe një grupi kolegësh pjesëmarrës në një konferencë që u organizua në Prishtinë, na u drejtua me fjalët: “Jeni me fat që punoni gazetarë në Kosovë. Është parajsë për ta bërë punën”.

Mesazhi lehtë u kuptua, sepse konstatimin e nxori pasi dëgjoi shumë histori të zbardhura nga gazetarët në Kosovë, si për abuzim me pushtetin, për keqqeverisje, për krime të llojllojshme e për tema që atij i dukej se lehtë mund të ktheheshin në skenarë filmi. Po, edhe për ngjarjet historike, si puna e shpalljes së pavarësisë.

Gazetarët danezë s’e kishin këtë “fat”. Kuptueshëm, nuk është “parajsë” për gazetarët një shtet që prej gati dy shekujsh e ka konsoliduar sistemin me të cilin edhe tash qeveris, që ka standard shumë të avancuar edhe qeverisjeje e edhe jetese, dhe që i përket një rajoni me nivelin më të lartë të demokracisë. Përtej këtyre, Danimarka është një nga bastionet ku punëtorët e sektorit privat i kanë më të avancuara kushtet e punës dhe të drejtat në punë.

Si Kosova për gazetarët, sektori privat përbën “parajsë” për sinjalizuesit potencialë. Pra, për rreth 250 mijë qytetarët e punësuar në të.

Në raportin e fundit që ka publikuar Komisioni Evropian, theksohet se “sektori privat vazhdon të pengohet nga sfidat strukturore të kahershme, siç janë ekonomia informale e përhapur, shkalla e lartë e korrupsionit dhe në përgjithësi sundimi i dobët i ligjit”.

Nisur nga kjo, pareshtur do të mund të sinjalizohej për një gamë të gjerë parregullsish, si për mohimin e të drejtave themelore që lidhen me vendin e punës, për shkeljet e ligjit, për mashtrimin, korrupsionin, dhe për praktika të tjera abuzive nga të cilat viktimë janë vet punëtorët, klientët e edhe shteti.

Por, raportimi nga brenda për abuzime të këtilla mungon, sepse ambienti brenda sektorit privat është “ferr”.

Rezultat të frikshëm ka nxjerrë anketa mbi të kuptuarit dhe perceptimin e sinjalizimit nga punonjësit e këtij sektori, që e publikoi në prill Lëvizja FOL. Një nga pyetjet ishte shumë konkrete: A keni pasur ndonjëherë ndonjë rast ku kompania juaj ka paraqitur ndonjë parregullsi ose veprim të jashtëligjshëm para organeve kompetente, si shmangie tatimi, kallëzim të ndonjë vepre penale e të tjera? Rezultati është alarmant – që të gjithë të anketuarit u përgjigjën me “Jo”. Pra, që nuk kanë paraqitur ndonjëherë parregullsi a veprime të jashtëligjshme.

Në dukje paradoksale, por është gjë që ecën paralelisht: Sa më i egër ambienti i punës, aq më e vogël gatishmëria për të sinjalizuar shkelje.

Shkalla e lartë e frikës nga hakmarrja që mbretëron në sektorin privat, tregon edhe për mungesë efektesh në terren, të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Ligji përmban dispozita që ofrojnë mbrojtje për punonjësit që sinjalizojnë, e edhe detyrime për punëdhënësit, jo veç për të mos ndërmarrë masa hakmarrjeje ndaj sinjalizuesve, por edhe për të krijuar akte të brendshme që rregullojnë procedurën e pranimit dhe trajtimit të rasteve të sinjalizimit. Ligji ka një dispozitë të përafërt me atë të Danimarkës, e me të cilën detyrohen punëdhënësit privatë që kanë më shumë se 50 të punësuar, që të krijojnë kanale të brendshme për raportim të parregullsive, e të cilat duhet të jenë të pavarura e të sigurta dhe të garantojnë edhe anonimitet e edhe konfidencialitet. Se detyrimet nuk janë përmbushur, e fakton edhe anketa e FOL-it, sipas së cilës “vetëm një pjesë e vogël (20%) e bizneseve të anketuara i janë nënshtruar inspektimit nga Inspektorati i Punës në lidhje me emërimin e zyrtarëve përgjegjës për sinjalizimin”.

Institucionet e shtetit, e para së gjithash Inspektorati i Punës, duhet të ndërmarrin veprime me urgjencë në funksion të zbatimit të ligjit në sektorin privat, sepse mungesa e veprimeve të këtilla rrit frikën për sinjalizim tek të punësuarit. Mosveprimi çon mesazh se mekanizmat shtetërorë janë të paaftë të garantojnë edhe mbrojtjen nga ndëshkimi. Për pasojë, dikush që sinjalizon, jo veç që ka frikë se mund ta humbet vendin e punës, por edhe se humb mundësinë për ta gjetur një vend të ri pune, nga brenga që asnjë punëdhënës nuk do që ta fus brenda biznesit dikë me prirje për të sinjalizuar për shkelje a abuzime.

Shkeljet mund të mbeten të padukshme, nëse heshten nga ata që janë në dijeni për to. Por, pasojat mund të jenë zinxhirore dhe me kosto të mëdha. Po e zëmë, nëse një produkti që i ka skaduar afati për konsumim, i ndryshohen datat dhe ata që janë në dijeni nuk e raportojnë, atëherë rrezikohet shëndeti i klientëve. Një hetim pas një helmimi nga konsumimi i produkteve pa afat, potencialisht do ta zbardhte skandalin dhe një proces gjyqësor do të prodhonte pasoja të rënda për biznesin: pas dëmtimit të reputacionit, klientët humbin besimin; largimi i klientëve e çon biznesin në bankrot; bankroti nënkupton për të punësuarit humbjen e vendit të punës.

Heshtja për tu mbrojtur nga pasojat, nuk është zgjidhje. Me heshtje, praktikat e jashtëligjshme bëhen normë dhe kësisoj mirëmbahet “ferri” për sinjalizuesit në sektorin privat.

Së këndejmi, sektori privat duhet të kthehet në parajsë – pa thonjëza – për sinjalizuesin.

Kjo mund të bëhet përmes guximit për t’i raportuar çështjet që lidhen me kushtet dhe të drejtat e punës, shkeljet e ligjit, mashtrimin, korrupsionin, si dhe me praktikat e tjera abuzive, sepse një guxim i tillë pastaj rrit edhe moralin e punëtorëve e edhe zhvillimin e organizatës ku punojnë. Kjo mund të bëhet edhe me gatishmërinë e menaxhmentit të bizneseve për të përmbushur detyrimet ligjore që lidhen me sinjalizuesit, sepse kështu ata rrisin edhe besimin e punëtorëve në menaxhment, edhe demonstrojnë përkushtimin ndaj standardeve më të avancuara etike dhe të integritetit, e në afatgjatë evitojnë edhe pasojat për vet biznesin që e drejtojnë.

Ky aktivitet mbështetet nga Aktiviteti i USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës.
Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.