56% të bizneseve të anketuara mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm

Prishtinë, 09 dhjetor 2021 – Lëvizja FOL sot ka publikuar gjetjet nga hulumtimi “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik”.

Yllka Buzhala nga FOL, tha se “për të marrë vlerësimin dhe perceptimin e përvojave të bizneseve rreth prokurimit publik në Kosovë, janë realizuar 150 anketa. Nga këta biznese, 95 ishin pjesëmarrës në prokurim publik dhe 55 nga to nuk ishin”. Sipas saj, bizneset e anketuara aktualisht konsiderojnë se situata pandemike (67%) është njëra ndër sfidat kryesore me të cilat ata po ballafaqohen. E dyta me radhë përmendet mungesa e investimeve të huaja (14%), pastaj vjen korrupsioni (9%), mungesa e fuqisë punëtore (8%) dhe burokracia e institucioneve (6%). Megjithëse nuk e konsiderojnë korrupsionin si sfidën kyçe aktualisht, afërsisht një në katër prej tyre mendojnë se trajtimi i favorshëm në procedura të hapura (28%), përshpejtimi i një procedure burokratike (26%), shmangia e dënimeve (23%) janë arsye që i shtyjnë bizneset të përfshihen në korrupsion.

Ardi Shatri nga FOL, tha se “mbi gjysma e bizneseve (56%) po ashtu mendojnë se korrupsioni në prokurim publik është i pranishëm”. Nga këto biznese, rreth një në tre mendojnë se faktorët që lehtësojnë ndikimin e korrupsionit në prokurim publik janë pandëshkueshmëria (35%), zvarritja e proceseve gjyqësore (32%) dhe mosraportimi i korrupsionit (32%). Më pak mendojnë se zbrazëtitë ligjore (20%), apo mungesa e vullnetit politik (19%) lehtësojnë korrupsionin. Sipas tij, disa praktika negative që ndikojnë në procesin e prokurimit publik janë përshtatja e specifikave tenderuese për kompani të caktuara, paqartësia e informatave në tenderë, abuzimi me dispozita ligjore për përfitime apo edhe konflikti i interesit. Nga këto praktika, bizneset e anketuara besojnë se më e përhapur është përshtatja e specifikave tenderuese (45%).

Lidhur me perceptimet se prokurimi publik është i lidhur me apo zhvillohet në përputhje me partitë politike në pushtet, 25% e bizneseve pohojnë se bizneset që fitojnë tenderë, ndryshojnë ndonjëherë pas ardhjes së një ministri/eje apo kryetari/je të ri në pushtet, e 27% mendojnë se ndryshojnë shpesh ose pothuajse gjithmonë. Ngjashëm, rreth 31% mendojnë se akterët politikë që tregojnë mirënjohje për biznese që i kanë dhuruar para partisë apo kandidatit për fushatë shpërblehen me kontrata prokurimi pas fitimit të zgjedhjeve dhe 24% mendojnë se kjo ndodh ndonjëherë. Shumica e bizneseve pjesëmarrëse në prokurim publik kishin fituar tenderë dhe atë disa herë dhe në vlera të ndryshme. Mbi gjysma e tyre (53%) u shprehën se kanë hasur në raste kur specifikat e tenderit janë përshtatur për biznese të caktuara. Kurse, 31% e tyre kanë deklaruar se kanë pasur raste kur oferta e tyre për tenderim iu është refuzuar disa herë, tha Shatri. Nga bizneset që deklarojnë se iu janë refuzuar ofertat, vetëm 18% e tyre kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm sikurse të ankohen në OSHP (26 prej tyre), të bëjnë kërkesë për rishqyrtim të tenderit (13 prej tyre), apo të bëjnë ankesë tek autoriteti kontraktues (11 prej tyre).

Ndërkaq, sa i përket asaj se sa nga bizneset e njohin Organin Shqyrtues të Prokurimit, Ardi Shatri tha se “rreth 61% e bizneseve që e njohin Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP-në) mendojnë se ky organ funksionon si duhet”. Nga ato biznese që e përdorin E-prokurimin, 58% e bizneseve janë shumë të kënaqura me sistemin elektronik të prokurimit; 61% e bizneseve janë shumë të kënaqura me ndërveprimin me E-prokurimin; 59% e bizneseve janë shumë të kënaqura me funksionalitetin e dorëzimit të ofertës për tender; dhe po aq biznese janë shumë të kënaqura me lehtësinë e gjetjes së tenderëve për të cilët janë të interesuar, theksoi Ardi Shatri. Sipas gjetjeve të kësaj ankete, duket se bizneset janë të ndara në dysh rreth përshtypjeve të tyre mbi prokurimin publik në të shumtën e rasteve që anketa ka shtjelluar. Shatri tha se, “gjetjet tregojnë se ka ende shumë hapësirë për të përmirësuar proceset në prokurimin publik dhe për të rritur vetëdijen e bizneseve mbi mekanizmat ligjore që ekzistojnë për rregullimin e prokurimit publik”.