5 deklarata të pavërteta të politikanëve

Prishtinë, 7 Maj 2011 – Lëvizja FOL sot ka publikuar pesë deklarata të radhës të vlerësuara nga matësi i së vërtetës. Pretendimi i z. Hashim Thaci se mediet në Kosovë janë më të lirat në rajon është vlerësuar si e pavërtetë duke ju referuar raporteve të Freedom House për 2009 dhe 2010 qe e nxjerrin Kosovën më së keqi në rajon. Gjithashtu, Thaçi në të njëjtin emision kishte premtuar heqjen e TVSH-së për mediet nga Janari i 2011, por FOL vlerëson edhe këtë premtim si të pambajtur meqë mediet ende vazhdojnë të paguajnë TVSH-në.

Lideri tjetër i vlerësuar nga Matësi i së vërtetës është edhe Isa Mustafa për deklaratën e tij “Zotit Thaçi kurrë nuk do t”ia shtrijë dorën”. Edhe kjo deklaratë është vlerësuar si e pavërtetë bazuar në marrëveshjen që ka arritur ai me Kryeministrin Thaçi (siç u tha) për tejkalimin e krizës institucionale, për Presidenten e vendit, për ndryshimet Kushtetuese, si dhe për ndryshimet në sistemin zgjedhor.

Ndër vlerësimet e radhës së Matësit të së Vërtetës janë edhe dy deklarata të Behgjet Pacollit, njëra si Kryetar i AKR-së dhe tjetra si President i Kosovës. Premtimi i z.Pacolli gjatë fushatës se do të zvogëloj numrin e ministrive, fillimisht në 11 e më vonë në 6, është cilësuar si premtim i thyer apo i kundërt me veprimet e tij të fundit. Ku për shkak të koalicionit Qeveria u bë me 18 Ministra, dhe pastaj për të rritur pjesëmarrjen e AKR-së në Qeveri ai kërkoi edhe shtimin e një ministrie të re për tu bërë 19.