Mbulimi i politikave të punësimit sfidë për mediat

Prishtinë, 23 Janar 2018 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin e hapur me temën “Qasja e medias në mbulimin e politikave të punësimit”, ku të ftuar ishin përfaqësues të mediave në Kosovë.

Jeton Zulfaj, nga Lëvizja FOL tha se qëllimi i kësaj tryeze është diskutimi  rreth qasjes së mediave në mbulimin e politikave të punësimit. Si raportojnë mediat për temën e punësimit dhe sa është atraktive kjo temë – a gjeneron të ardhura kjo temë për mediat?

Ndërkaq, Gresa Smolica nga FOL prezantoi të gjeturat e raportit të Lëvizjes FOL rreth kësaj teme. “Raporti ka analizuar mbulueshmërinë e mediave lidhur me diskutimet për politikat e punësimit duke u fokusuar në punësimin e të rinjëve. Nga monitorimi i mediave kemi vënë re se nga mijëra artikuj që prodhohen vetëm disa dhjetëra prej tyre lidhen me çështjen e punësimit”, tha Smolica.

Dren Selimi nga EYE projekt – tha se nga matjet e bëra del se prodhimi mediatik kryesisht fokusohet në lajme dhe showbiz, e jo në temat e punësimit.  “Gazetat e shkruara i mbulojnë shumë më shumë temat e punësimit sesa portalet”, tha Selimi.

Visar Prebreza redaktor në Kallxo.com, tha se nuk beson që temat e punësimit do të hyjnë në top 100 lajmet me të klikuara ndonjëherë. “Nuk duhet të luftojmë si t’i fusim në top 100, por duhet të luftojmë si t’i bëjmë shkrimet më kualitative”, tha ai duke shtuar se çështja e punësimit lidhet me tema më të gjëra. Prebreza tha se më shumë duhet të monitorohen mediat që prodhojnë.

Bekim Kupina, redaktor në gazetën Koha Ditore, tha se nuk mund të jetë lajm atraktiv lajmi që flet për punësimin apo mospunësimin. “Mediat nuk bëjnë garë se kush prezenton më shumë lajme për punësimin. Nuk ka hapësirë të bëhet çdo ditë lajm për punësim. Nëse publikohet një lajm se një kompani ka punësuar disa persona kjo mund të konsiderohet si marketing për atë kompani. Cila është linja ndarëse mes interesit publik dhe marketingut?”, tha Kupina, duke shtuar se nepotizmi, korrupsioni, konflikti i interesit, konkurset të gjitha këto lidhen me punësimin. “Punësimi ka probleme të mëdha, veçanërisht për shkak të nepotizimit.  Statistikat e punësimit janë të mëdha edhe në raport me raportimet që bëhen në media”, tha ai.

Enis Veliu, redaktor në gazetën Zëri tha se interesi i opinionit nuk është punësimi. “Rektrutimi i të rinjëve bëhet në mënyrë shumë të fshehtë. Interesi i punësimit është  psh si Xhafer Tahiri apo Fatmir Limaj kanë punësuar persona të afërt, është bërë praktikë që po ndodh që përmes kontratave mbi vepër personat po zënë pozita”, tha Veliu, duke shtuar se për punësim shkruhet vazhdimisht, por dominojnë lajmet për punësim politik.

Blerim Xhemajli, redaktor në Klan Kosova tha se raportet që dalin në TV mbesin më shumë në mend, sesa ato të shkruara.“E kemi pasur një lloj përqendrimi në probleme sociale, me problemet e thjeshta të njerëzve. Problemet më të mëdha janë problemet e punësimeve politike. “Mediat nuk kanë buxhet për të pasur gazetarë të profilizuar vetëm për një lëmi. Ne e kemi biznes informimin e qytetarëve”, tha Xhemajli.

Adrian Çollaku,  kryeredaktor në Gazeta Blic , tha se në portale qytetarët i lexojnë ato që kanë qejf, e jo ato që janë të shkruara aty. “Në opinionin publik, imponimin e temave më së shumti e ka Qeveria, p.sh. në asnjë mbledhje të qeverisë nuk ëshë diskutuar për temat e punësimit, e as në Kuvend. Pa u bërë temë e tyre, kto tema do të mbesin në hije dhe ne do të merremi me statistika”, tha Çollaku, duke shtuar se nëse flitet për gjykatën speciale, askujt nuk i bie në mend për temat e punësimit.

Arben Ahmeti nga TV Dukagjini tha se asnjë portal nuk mund të mbahet përgjegjës pse ai poston lajme showbiz, sepse kjo është mënyrë e interesimit të njerëzve. “Njerëzit lexojnë atë që ju intereson. Mund t’i gjejë mijëra artikuj që kanë folur për mirëqenien në punë, por nuk mundemi me e matë se çfarë diference kanë bërë”, tha Ahmeti.