Krijimi i klubeve të debatit në qytetin e Prizrenit

Prizren, 17 mars 2012 ” Lëvizja FOL ka zgjeruar programin e debatit edhe në qytetin e Prizrenit. FOL, të shtunën edhe zyrtarisht ka themeluar klubin e debatit në këtë qytet ku ka trajnuar tri ekipe të nxënësve të shkollave të mesme në formatin e debatit “Karl Popper”, të cilët do të jenë pjesëmarrës në turneun Kombëtar të Debatit “Kosova Open 2012”, që do të organizohet në muajin prill të këtij viti.

Lëvizja FOL ka ri-kthyer programin e debatit në Kosovë, në shkurt të vitit 2010 ku fillimisht kanë qenë të përfshira tri komuna (Komuna e Prishtinës, Pejës dhe Ferizajt) ndërkaq gjatë vitit 2011-të, është zgjeruar edhe në tri komuna të tjera (Komuna e Suharekës, Malishevës dhe e Mitrovicës). Përveç zgjerimit në komunën e Prizrenit, Lëvizja FOL synon zgjerimin edhe në komuna tjera të Kosovës, me qëllim të përfshirjes sa më të madhe të të rinjve në programin e debatit.

Debati është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e të rinjve dhe edukimin e tyre. Për të arritur sukses në jetën akademike dhe shkollore, të rinjve u nevojitet të dinë se si t”i prezantojnë idetë e tyre dhe se si të përgjigjen ndaj argumentimeve të të tjerëve që nuk janë dakord me idetë e tyre. Në një shoqëri demokratike debati zgjeron dijet e nxënësve, mjetet për të kuptuar zhvillimet politike e sociale dhe për të argumentuar për çështje në të cilat ata besojnë.