Zyrtarët s’e fishkëllejnë korrupsionin
Prishtinë, 17 qershor – Lëvizja FOL ka mbajtur sot konferencën për media me ç’rast ka publikuar raportin: “Zyrtarët s’e fishkëllejnë korrupsionin: Niveli i njohurive dhe përvojës së zyrtarëve publikë rreth Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve”.
Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen FOL, tha se “sikundër të gjitha ligjet në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, edhe Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve vuan nga mangësi dhe zbrazëtira të shumta juridike”. Më tej, ai ka shtuar se “përveç aspekteve që ndërlidhen kryesisht me aspektet normative të këtij ligji, të gjeturat e këtij hulumtimi argumentojnë nivelin e varfër dhe të pamjaftueshëm të zyrtarëve publikë sa i përket denoncimit të veprave penale kundër detyrës zyrtare.”
Sipas hulumtimit të FOL rezulton se Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve përmban shumë mangësi dhe zbrazëtira ligjore. Ndër to bëjnë pjesë: Emërtimi i gabuar dhe me konotacion negativ i Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve; Fushëveprimi i përgjithësuar i Ligjit dhe mos-specifikimi i tij në fushën e veprave penale kundër detyrës zyrtare që parasheh Kodi Penal i Kosovës; Paqartësia se cila instancë është përgjegjëse për pranimin e informatave; si dhe Mos-ndëshkimi i personave apo autoriteteve përgjegjëse në rastet kur ata/ato u zbulojnë identitetin raportuesve të korrupsionit.
Për më tepër, sipas të gjeturave të këtij hulumtimi vetëm 73.6% e zyrtarëve që mbajnë funksione të ndryshme publike janë të informuar për ekzistimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve, ndërkaq 26.4% prej tyre nuk janë fare të informuar për ekzistimin apo mos-ekzistimin e tij. Më keq puna qëndron sa i përket përmbajtjes së Ligjit. Vetëm 15% e zyrtarëve publikë të nivelit qendror dhe lokal rezulton të kenë shumë njohuri për përmbajtjen e këtij Ligji; 60% deri diku, 21% pak dhe 4% kanë deklaruar të mos kenë fare njohuri – aspak. Po ashtu, sipas të dhënave të këtij hulumtimi, rezulton se vetëm 36% e zyrtarëve publikë kanë raportuar rastet e korrupsionit, ndërkaq 73% prej tyre kanë ‘mbyllur sytë’ para asaj që kanë parë.
Më tej, hulumtimi ka nxjerrë në pah edhe mungesën e personave zyrtarë për mbikëqyrje të parregullsive që do të duhej të caktoheshin nga institucionet publike; frikën e zyrtarëve nga masat ndëshkimore që mund të ndërmerren nga ana e eprorëve të tyre; si dhe mungesën e diskutimeve publike për nivelin e zbatimit të Ligjit, nga parlamentarët dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.
Përveç këtyre aspekteve të rëndësishme, hulumtimi po ashtu ka evidentuar përparësitë dhe dobësitë e legjislacionit të Kosovës krahasuar me atë të vendeve në rajon. Përderisa përparësi e legjislacionit të Kosovës sipas këtij hulumtimi mbetet ligji specifik në fushën e fishkëllimit dhe masave mbrojtëse që garanton ai në rastet kur zyrtarëve u zbulohet identiteti, në çështjet e tjera, që ndërlidhen kryesisht me fushëveprimin e ligjit, me instancat përgjegjëse për pranimin e informacioneve, me ndëshkimin e personave apo autoriteteve përgjegjëse që u zbulojnë identitetin të gjithë atyre që raportojnë apo denoncojnë praktikat abuzive, vendet në rajon qëndrojnë dukshëm më mirë në këtë aspekt.