Vizitë studimore në Mal të Zi për Planet e Integritetit

Podgorice, 7 qershor – Lëvizja FOL, me mbështetjen e UNDP Kosova dhe në bashkëpunim me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë, ka organizuar vizitën studimore në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Mal të Zi.

Përfaqësuesit nga Agjencia për parandalimin e Korrupsionit në Kosovë të udhëhequr nga drejtori Yll Buleshkaj, drejtorja e Lëvizjes FOL Mexhide Demolli-Nimani dhe Rrezarta Reka përfaqësuese nga Projekti SAEK III UNDP Kosova u pritën në takim nga drejtorja e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Mal të Zi, Jelena Perovic dhe kryetarin e Këshillit të Agjencisë, Momcilo Radulovic.

Qëllimi i kësaj vizite ishte analizimi dhe njohja nga afër me mekanizmat raportues dhe monitorues të planeve të integritetit, të cilat në ligjin e ri janë paraparë si dokumente që kanë qëllim të identifikojnë proceset e ndjeshme ndaj sjelljeve dhe veprimeve që mund të jenë korruptive, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave institucionale në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.