Turneu i debatit “Karl Popper”

Pejë, 29-30 Janar 2011: Lëvizja Fol së bashku me BIRN-in dhe në bashkëpunim me organizatat: Syri i Vizionit në Pejë, Iniciativa për Progres(INPO) në Ferizaj dhe Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut(YIHR) në Prishtinë, kanë mbajtur me 29 dhe 30 Janar 2010, turneun e debatit në formatin “Karl Popper – “Peja Open 2011” në temën “Kosova duhet të zbatoj votimin elektronik”. Formati i debatit “Karl Popper” synon të prekë dhe trajtojë elementët thelbësorë të një çështjeje kontradiktore. Ai thekson mbi të gjitha zhvillimin e të menduarit kritik, tolerancës dhe vlerësimit të pikëpamjeve të ndryshme. Ky format është i zhvilluar në shkolla të mesme.

Lëvizja FOL dhe BRIN me mbështetjen e Fondacionit SOROS/KFOS që nga fillimi i Janarit 2010 kanë punuar me organizatat partnere INPO, SiV dhe YIHR për të krijuar klubet e debatit të qytetit si dhe për të trajnuar anëtarët e klubit në formatin e debatit Karl Popper. Aktualisht në Kosovë kemi 3 klube të debatit në 3 komunat përkatëse (Ferizaj, Prishtinë dhe Pejë) ku numri i debaterëve që vijnë nga shkollat e mesme të qytetit po rritet vazhdimisht.

“Peja Open 2011” është turneu i tretë i organizuar në Kosovë, që nga viti 2010, kur edhe ka filluar programi i debatit. Risi e këtij turneu ka qenë pjesëmarrja e 2 ekipeve nga qyteti i Gjakovës, 1 ekip nga Shkolla Amerikane e Kosovës dhe 1 ekip nga komuniteti RAE.

Një kontribut të madh në organizimin e Turneut “Peja Open 2011” e ka dhënë edhe komuna e Pejës, gjegjësisht drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. Aver Husaj, zyrtar nga kjo drejtori tha se Komuna e Pejës ka përkrah organizmin e këtij turneu, dhe një gjë të tillë do ta bëj edhe në të ardhmën.

Gjatë ditës së shtunë(29 Janar) për gjatë tri rundeve të debatit janë ballafaquar 21 skuadra nga katër komuna të Kosovës: Prishtinë, Pejë dhe Ferizaj dhe Gjakovë. Ndërkaq, cerekfinalja, gjysmëfinalja dhe finalja e debatit janë mbajt të dielën. Në gjysmëfinale kanë arritur katër ekipet të cilat kanë grumbulluar më shumë pikë në bazë të numrit fitoreve dhe pikëve që kanë grumbulluar folësit e ekipeve.

Gjysmëfinalistë të këtij debati ishin: ManekenEt nga Klubi i debatit të Prishtinës, Feniks dhe Supernova nga Klubi i debatit të Ferizajt, dhe The Young Europeans nga Klubi i debatit të Pejës. Ndërkaq, në finale arritën Feniks dhe The Young Europeans.
Gjyqtarë të këtij turneu ishin ish- debaterë të cilët më parë kanë marrë pjesë në debate të formatit “Karl Popper”. Ekipi i gjyqtarëve të cilët e gjykuan finalen e këtij turneu, shpallën fitues të këtij turneu skuadrën The Young Europeans nga Peja, me gjashtë vota pro dhe një kundër.

Turneu është mbajtur në Shkollen fillore “Lidhja e Prizrenit”, ndërkaq finalja në Teatrin e qytetit në Pejë.

Në muajin shtator të vitit të kaluar është organizuar edhe Turneu Kombëtar i debatit në formatin “Karl Popper”, “Ferizaj Open 2010”. Ndërkaq, turneu Kombëtar i debatit “Prishtina Open 2011” do të mbahet në Prill të këtij viti në Prishtinë.

Lëvizja FOL në bashkëpunim me BIRN nga ky muaj do të zgjerojnë rrjetin e klubeve të debatit edhe në qytetin e Mitrovicës, Suharekës dhe Malishevës.