Tryeza “Dalja në zgjedhje dhe Legjitimiteti”

Prishtinë, 15 Tetor 2009 – Lëvizja FOL ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Dalja në Zgjedhje dhe Legjitimiteti”, me ç”rast ka prezantuar edhe publikimin me të njëjtin titull. Në këtë diskutim pjesëmarrës ishin përfaqësues nga shoqëria civile dhe mediat. Lëvizja FOL në Qershor të këtij viti, i ka dërguar letër të gjithë shefave të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, ku ka kërkuar fillimin e një iniciative legjislative për amandamentimin e Ligjit për Zgjedhje në mënyrë që të vendoset kushti për pjesëmarrje 40% në zgjedhje të nivelit lokal dhe 50% pjesëmarrje për zgjedhjet kombëtare në mënyrë që zgjedhjet të jenë legjitime, mirëpo asnjëri grup parlamentar nuk i është përgjigjur kësaj letre.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL deklaroj: “Zgjedhjet pa dyshim që përbëjnë ngjarjen më të rëndësishme të një shoqërie demokratike. Në këtë kuptim, zgjedhjet lokale që do të mbahen me 15 nëntor 2009 në Kosovë janë testi më i rëndësishëm politikë dhe qytetar për shtetin e Kosovës. Qëllimi i tryezës së sotme është nxitja e një debati sa i përket daljes në Zgjedhje dhe Legjitimitetit të tyre. Në zgjedhjet e kaluara u identifikuan disa mangësi dhe probleme me procesin zgjedhor, përsëritja e tyre në këto zgjedhje do të cenonte të gjitha proceset e në veçanti integrimin e vendit në BE”.