Transparenca: realitet i panjohur për politikanët e Kosovës
Prishtinë, 28 Shtator 2011. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur, Lëvizja FOL shprehë shqetësimin e saj për mungesën e transparencës së institucioneve në republikën tonë. Institucionet e Kosovës, marrë në tërësinë e tyre, ende fatkeqësisht vazhdojnë ta ushqejnë “logjikën” e vjetër të mbylljes për qytetar të Kosovës.
Lëvizja FOL, ka kërkuar në vazhdimësi që institucionet publike të jenë transparente për vendimet, aktivitetet dhe veprimet e tyre. Megjithatë, kërkesat tona në shumicën e rasteve janë injoruar, duke përfshirë edhe kërkesat tjera nga shoqëria civile dhe mediat. Shembujt të tillë kanë qenë kërkesat e vazhdueshme të shoqërisë civile për transparencë të bisedimeve Kosovë-Serbi, pastaj kërkesa për t”i bërë publike të gjitha shpenzimet e parasë publike, pastaj kërkesa drejtuar disa ministrive për t”i hapur zyret e prokurimit, etj. FOL konsideron se kjo mungesë e transparencës përbën ndër kërcënimet më serioze për proceset demokratizuese nëpër të cilat po kalon vendi ynë.
Madje, qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk është treguar transparente në raport me qytetarët e Kosovës, por as me organin e vetëm demokratik në vend, Kuvendin e Kosovës. Në këtë kuptim, deputetët shpeshherë janë ankuar se për disa çështje nuk e kanë pasur as idenë më të vogël se çfarë është duke u bërë, siç është shembulli i kontratës së ndërtimit të autostradës dhe bisedimet Kosovë-Serbi, por jo vetëm.
Pikërisht për shkak të kësaj mungese të transparencës nga ana e institucioneve publike, FOL vitin e kaluar ka bërë dy padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës për refuzimin e dy kërkesave tona nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës, përkatësisht bërjen e kontratës së ndërtimit të autostradës publike dhe qasjen në pasuritë e paluajtshme të disa liderëve shtetërorë. Edhe pas një viti, FOL nuk ka marrë asnjë informatë për statusin e këtyre lëndëve, gjë që tregon njëherazi influencën politike në gjyqësor.
Prandaj, FOL kërkon nga institucionet e republikës që të jenë transparente dhe llogaridhënëse ndaj qytetarëve të Kosovës, duke qenë se ky është kushti minimal i demokracisë.