Të ndalen kërcënimet

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), Klubi për Politikë të Jashtme, Instituti për Studime të Avancuara (GAP), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti Ballkanik i Politikave, Syri i Vizionit, Lëvizja FOL, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Iniciativa për Progres (INPO), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA)

DEKLARATË E PËRBASHKËT E ORGANIZATAVE JO-QEVERITARE NË MBROJTJE TË LIRISË SË SHPREHJES:

Të ndalen kërcënimet

Prishtinë, 8 janar 2011: Organizatat e lartshënuara të shoqërisë civile janë të shqetësuara lidhur me deklaratat urrejtje-nxitëse të përfaqësuesit të Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër personaliteteve publike. Në vargun e sulmeve të saj, kjo shoqatë ka vënë në shënjestër ditë më parë një lider politik dhe së fundmi gazetarin Halil Matoshi.

Duke akuzuar pa asnjë fakt dhe duke njollosur zërat kritikë në shoqërinë e Kosovës, qofshin ata gazetarë apo politikanë, personat që flasin në emër të veteranëve të UÇK-së dëmtojnë çdo debat publik, dhe njëkohësisht, dëmtojnë vetë projektin për çlirimin e Kosovës si dhe imazhin e vendit tonë. Gjuha e kërcënimeve ndotë idenë fisnike të çlirimit të Kosovës. Duhet të kemi kujdes që vlerat tona të përbashkët të mos shndërrohen në instrument të politikës ditore dhe të interesave të ngushta dhe personale, të cilat hedhin hije të keqe mbi angazhimin e pashembullt të shumë luftëtarëve të UÇK-së.

Shoqëria civile kërkon nga institucionet e Kosovës që të dënojnë sjelljet e papërgjegjshme të kreut të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së. Po ashtu, kërkojmë si prej institucioneve të Kosovës ashtu edhe nga misioni i Bashkimit Evropian (EULEX) dhe nga diplomatët e akredituar në Prishtinë që të angazhohen me këmbëngulje në mbrojtjen e fjalës së lirë, e cila është parakusht për demokratizimin e mëtutjeshëm të shoqërisë sonë.

Shoqëria civile po ashtu dënon çdo përpjekje për përvetësimin dashakeqës të meritave për çlirimin e Kosovës. Pavarësia dhe liria e Kosovës janë rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare të disa gjeneratave të këtij vendi. Synimet për privatizimin dhe monopolizimin e luftës për liri janë tejet të dëmshme për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Ne e përkrahim të drejtën e të gjithëve për t’u shprehur në mënyrë të lirë dhe kritike, por jemi kundër keqpërdorimit të fjalës së lirë për sulme personale dhe për të mbytur kritikën.