Sqarim rreth lansimit të Platformës së Statistikave Anti-Korrupsion
Prishtinë, 16 dhjetor 2013 – Lëvizja FOL, të shtunën, me 14 Dhjetor 2013 ka lansuar Platformën e Statistikave Anti-Korrupsion. Në këtë platformë janë të prezantuara statistikat e lëndëve anti-korrupsion që Prokuroria, Gjykata dhe Policia kanë iniciuar ose i kanë në proces në nëntë muajt e këtij viti. Po ashtu në këtë platformë, në mënyrë online mund të krahasohen të dhënat e këtyre institucioneve në baza tre mujore dhe vjetore.
Mirëpo, ajo çfarë ditën e shtunë dhe të diel është raportuar(paqëllimshëm) nga disa media të shkruara dhe elektronike është se shifrat që ne i kemi prezantuar në platformë janë cilësuar sikur këto të dhëna janë raste të korrupsionit që kanë ndodhur përbrenda Prokurorisë, Gjykatave dhe Policisë. Pra, në këtë rast është bërë një interpretim i gabuar i të dhënave të platformës në disa raportime mediale. Duam të ia sqarojmë opinionit publik se shifrat e publikuara në këtë platformë kanë të bëjnë më të gjitha rastet që këto tre institucione i kanë trajtuar brenda kësaj periudhe, pra Janar-Shtator 2013.
Me këtë rast, kërkojmë mirëkuptim nga Prokuroria e Shtetit, Gjykatat dhe Policia për raportimet e këtyre dy ditëve, e të cilat raportime në një mënyrë kanë shënjuar paqëllimshëm këto institucione si institucione shkelëse të ligjit dhe të korruptuara.
Për më shumë, ju lutemi, gjeni të bashkangjitur më poshtë linkun e deklaratës së dërguar nga Lëvizja FOL më rastin e lansimit të Platformës së Statistikave Anti-korrupsion.
Deklarata: Lëvizja FOL lanson platformën e Statistikave Anti-Korrupsion
http://levizjafol.org/al/aktivitetet/artikulli/levizja_fol_lanson_platformen_e_statistikave_anti_korrupsion