Skanimi i Integritetit në Sektorin e Drejtësisë
Prishtinë, 14 Dhjetor 2017 – Lëvizja FOL, CILC dhe KDI kanë mbajtur sot konferencë me ç’rast kanë prezantuar të dhënat e hulumtimit “Skenimi i Integritetit në Sektorin e Drejtësisë”. Penalistë në këtë konferencë ishin: Gerrie Willems – Ambasadore e Holandës në Kosovë, Eva Erren – Menaxhere e Projektit nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar Ligjor(CILC), Nehat Idrizi – Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Blerim Isufaj – Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Altin Ademi – Këshilltar i ministrit të Drejtësisë.
Jeton Zulfaj nga Lëvizja FOL tha se shumë raporte deri me tani kanë matur perceptimin e qytetarëve mbi integritetin në sistemin e drejtësisë, mirëpo kanë munguar raportet që tregojnë për perceptimin e vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve për sistemin pjesë e cilit janë. “CILC, FOL dhe KDI kanë realizuar një skenim të integritetit në sektorin e drejtësisë ku janë përfshirë 229 gjyqtarë dhe 112 prokurorë, në një hulumtim që për herë të parë vë në dukje pjesë të ndjeshme të sektorit të drejtësisë”, tha Zulfaj.
Gerrie Willems – Ambasadore e Holandës në Kosovë tha se kemi vendosur të mbështesim këtë projekt sepse Holanda i kushton rëndësi të veçantë forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë së bashku me integritetin si ndër kushtet kryesore për sundimin e ligjit. “Duhet të cekim se është bërë progres, megjithatë ende ka gjëra që duhet të behën, ndonëse është evidente që ka shumë sfida që duhet të tejkalohen. Kjo është ajo që BE duke përfshirë edhe Holandën pret nga Kosova, ti bindet sundimit të ligjit dhe të niset nga parimi që askush nuk është mbi ligjin. Integriteti në sistemin e drejtësisë është shumë i rëndësishëm sepse së bashku me pavarësinë dhe paanshmërinë janë parakushte për krijimin e një gjyqësori efektiv dhe funksional. Unë shpresoj që ky raport, i cili ofron analizë të detajuar ligjore dhe të situatës faktike, të ndihmoj aktorët e sistemit gjyqësor që të ndërmarrin hapa për të i adresuar çështjet e integritetit”, tha ambasadorja Willems.
Nehat Idrizi kryesues i KGJK-së tha se institucioni që ai drejton ka shprehur qasje miqësore ndaj iniciativave për promovim të integritetit. “Ky raport do të na ndihmojë për të përmirësuar edhe integritetin në sistemin e drejtësisë. KGJK ka pasur shumë kritika, mirëpo këto zakonisht janë nga persona të cilët nuk janë të informuar sa duhet për punën e KGJK. Ne do ti marrim rekomandimet e këtij raporti dhe do të mundohemi të i zbatojmë, për përmirësimin e punës sonë”, tha Idrizi.
Eva Erren nga CILC tha se në të gjitha shtetet ku funksionon sundimi i ligjit, ekzistojnë mekanizma për mbrojtjen e vlerave thelbësore të sistemit të drejtësisë: Paanshmëria. pavarësia dhe integriteti. “Me këtë raport ne po mundohemi që të adresojmë me një qasje të strukturuar dhe sistematike, sfidat që sistemi Gjyqësor dhe Prokurorial hasin në Kosovë në lidhje me integritetin”, tha Erren, duke shtuar se përfundimet e nxjerra nga ky raport shpresojmë që do ti bëjnë bashkë të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë, që të ndërmarrin hapa gjithëpërfshirës për të gjetur mjetet më të mira juridike për të adresuar çështjen e integritetit. Even tha se se presim që njëri nga aktivitetet tona vijuese do të jetë ndryshimi i kodeve të etikës për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial në përputhje me të gjeturat e këtij raporti.
Blerim Isufaj, kryesues i KPK tha se ne kontribuojmë në mënyrë aktive për zhvillimin e trajnimeve për prokurorë prandaj edhe mediat dhe shoqëria civile duhet të jenë partneri ynë në mënyrën që të përmirësohet performanca e prokurorisë. “Ky hulumtim do të jetë një bazë e mirë për KPK për të ngritur integritetin në sistemin e drejtësisë. Ne jemi të angazhuar në luftimin e korrupsionit, duke themeluar një institut të veçante për këtë çështje. Korniza ligjore është shumë e nevojshme për punë të mirë, por edhe kushtet profesionale, si dhe kuadri profesional është shumë i nevojshëm”, tha Isufaj duke shtuar se 25 prokurorë të rinj do të përfundojnë trajnimin tani dhe nga janari i vitit 2018 do të fillojnë të merren me raste. Isufaj tha se do të rekrutojë edhe 90 bashkëpunëtor profesional dhe zyrtarë ligjor si dhe do të funksionalizojnë sistemin elektronik për menaxhimin e rasteve.
Altin Ademi, këshilltar i ministrit të drejtësisë tha se sundimi i ligjit është prioriteti numër një 1 i ministrit të drejtësisë. “Do të hartohen 4 ligje në pako, ku bën pse edhe ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat ligje do të shërbejnë për të siguruar një pavarësi të plotë të gjyqësorit dhe sigurimin e integritetit dhe llogaridhënies së këtij sistemi”.
Arben Kelmendi nga KDI, tha se hulumtimet e mëhershme të KDI-së dhe FOL-it kanë theksuar nevojën për qasje më të strukturuar dhe sistematike për të adresuar sfidat në sektorin gjyqësor dhe prokurorial. “Të gjeturat në këtë raport janë një kontribut i madh për agjendën në reformën ligjore në Kosovë”, tha Kelmendi.
Ndërkaq, Agon Maliqi prezantoi të gjeturat e këtij hulumtimi dhe tha se ky studim i veçantë i integritetit u përpoq të kuptonte se sa respektohen standardet etike brenda sistemit gjyqësor duke përfshirë edhe një perspektivë të tretë. Gjegjësisht, ai synon që të vlerësojë respektimin e standardeve etike dhe profesionale duke shqyrtuar perceptimet e aktorëve kryesorë të përfshirë në sistemin gjyqësor – përkatësisht gjykatësit dhe prokurorët.
Rekomandimet nga hulumtimi “Skanimi i Integritetit në Sektorin e Drejtësisë”
- Besimi i publikut në gjyqësor mund të rifitohet vetëm përmes reformave gjithëpërfshirëse, por mund të përmirësohet pjesërisht edhe përmes komunikimit më efektiv dhe rritjes së transparencës. KGJK dhe KPK duhet të punojnë në mënyrë më efektive dhe sistematike me mediat dhe shoqërinë civile për të rritur vetëdijesimin e publikut për mekanizmat e integritetit të brendshëm dhe për tu paraqitur rastet pozitive. KGJK dhe KPK duhet po ashtu të rrisin nivelin e transparencës së procedurave disiplinore në mënyrë që qytetarët të marrin informacione të mjaftueshme për masat e ndërmarra kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Gjithashtu, gjykatat duhet të konsiderojnë rritjen e komunikimit me publikun që të shpjegojë më mirë procedurat gjyqësore, tarifat e aplikueshme, arsyet për vonesat procedurale dhe çështje të tjera që mund të keqinterpretohen si korrupsion ose rritje e rrezikut për korrupsion. KGjK-ja gjithashtu duhet të marrë parasysh publikimin e një statuti të shërbimit që i informon qartë qytetarët për angazhimin etik dhe standardet që aplikohen për gjyqtarët dhe stafin. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, fushatat kreative të informimit publik ose tregimet për media që ilustrojnë mekanizmat e llogaridhënies së brendshme mund të ndihmojnë disi në kapërcimin e hendekut midis perceptimit nga jashtë dhe perceptimit nga brendësia e sistemit të drejtësisë.
- Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të fuqizohen më tej për të shprehur shqetësimet e tyre rreth çështjeve të integritetit dhe për t’u përfshirë në dizajnimin e zgjidhjeve. KGJK dhe KPK duhet të vazhdojnë të krijojnë hapësira për dialog dhe shprehje të lirë në mënyrë që të dëgjohet zëri i atyre që janë brenda sistemit, të cilët kanë vërejtje. Verifikimet anonime të integritetit të kësaj natyre duhet të bëhen periodike dhe me një metodologji të qëndrueshme në mënyrë që ata që janë kritikë të mund të shprehin vërejtjet e tyre dhe ndryshimet (përmirësimet ose regresi) të mund të maten nga viti në vit. Përveç kësaj, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të jenë më të përfshirë në hartimin e zgjidhjeve për sfidat e integritetit. KGJK dhe KPK, si dhe Kryetarët e Gjykatave dhe Kryeprokurorët, duhet të thërrasin takime diskutimi me gjyqtarë/ prokurorë dhe profesionistë për të diskutuar gjetjet lidhur me rreziqet dhe cenueshmëritë ndaj korrupsionit dhe për të hartuar zgjidhjet e tyre për të eliminuar këto perceptime ose për të zbutur këto rreziqe dhe dobësi.
- Duhet të merren masa specifike për të adresuar ndikimet e jashtme në punën e gjyqësorit nga interesat politike, tregtare ose të tjera. Ministria e Drejtësisë dhe udhëheqësit politikë në përgjithësi duhet të ndërmarrin hapa të domosdoshëm për të eliminuar të gjitha dyshimet lidhur me ndërhyrjen politike në proceset gjyqësore, përfshirë këtu edhe heqjen dorë nga deklaratat publike për rastet. Kryetarët e Gjykatave dhe KGJK-ja duhet të takohen kohë pas kohe me ata që janë përgjegjës për sigurinë e gjykatave dhe të bëjnë një rishikim të masave të sigurisë. Kryeprokurorët dhe KPK-ja duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Bazuar në këto rishikime, duhet të hartohen plane të detajuara dhe të përditësohen në mënyrë periodike për tu përballuar me kërcënimet ekzistuese dhe të ardhshme për sigurinë fizike të akterëve gjyqësorë. Kryetarët e gjykatave duhet të mbajnë takime periodike ndërmjet gjyqtarëve dhe/ose stafit të gjykatave për të shqyrtuar masat që mund të zvogëlojnë ndikimin e pahijshëm, siç janë kufizimi i qasjes së publikut në zyrat private të gjyqtarëve dhe verifikimi i të gjitha thirrjeve telefonike për gjyqtarët.
- Ka hapësirë për të përmirësuar procesin e rekrutimeve dhe caktimeve të rasteve, pasi ato janë kritike, ndër të tjera, për të siguruar besimin e publikut në rezultatet e gjyqësorit. KGJK dhe KPK duhet të përdorin kritere objektive, gjithmonë të bazuara në meritë dhe integritet, në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe stafit të zyrës. KGjK-ja po ashtu duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të bërë caktimet e lëndëve në mënyrë të rastësishme (randomize). Caktimet fillestare të lëndëve për një gjyqtar duhet të bëhet përmes një sistemi elektronik dhe zgjedhja fillestare pastaj mund të rregullohet nga gjykata ose për të shmangur konfliktet e mundshme ose për të lejuar që rastet e ndërlidhura të trajtohen nga i njëjti gjyqtar. KPK gjithashtu duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të informuar publikun lidhur me caktimin e lëndëve. Përderisa caktimi fillestar i lëndëve për një prokuror është në diskrecionin e Kryeprokurorit, zgjedhja fillestare pastaj mund të rregullohet nga prokuroria për të shmangur konfliktet e mundshme ose për të lejuar që rastet e ndërlidhura të trajtohen nga i njëjti prokuror. Duhet të bëhen përpjekje nga KPK dhe KGJK për t’ia komunikuar publikut arsyet për ri-caktim në mënyrë që ato të kuptohen si masa për të zbutur konfliktet e interesit ose për përmirësimin e efikasitetit dhe jo si mjete për të manipuluar procesimin e lëndës.
- Kodet e etikës duhet të përditësohen në mënyrë që të zgjerohet gama e çështjeve të mbuluara dhe të jepen përkufizime më të qarta, ndërsa trajnimet mbi etikën duhet të bëhen të detyrueshme dhe periodike. Duhet të iniciohet një proces konsultimi për të përditësuar Kodet e Etikës, pasi është normale që dokumentet e kësaj natyre të përmirësohen bazuar në të dhëna nga përvojat. Konsultimet duhet të marrin parasysh rekomandimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për zgjerimin e gamës së çështjeve me të cilat ballafaqohen duhet të qartësojnë dhe të përcaktojnë në mënyrë të qartë situata specifike. Disa nga çështjet që mund të qartësohen janë ato të identifikuara në sondazhin e këtij raporti. Kodet e etikës duhet gjithashtu të shoqërohen me memorandume shpjeguese. KPK-ja duhet të konsiderojë që ta bëj të obligueshëm edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm ligjor mbi etikën gjyqësore në një bazë të caktuar periodike (p.sh., çdo vit, çdo tre vjet, etj.) për prokurorët dhe stafin e prokurorisë. Fokus i veçantë duhet t’u jepet gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj. KGjK-ja duhet të marrë konsiderojë të bëj diçka të ngjashme për gjyqtarët dhe stafin e gjykatave, përmes diçkaje si Programi i Obligueshëm i Edukimit të Vazhdueshëm Ligjor (KBA). Si KPK ashtu edhe KGJK duhet të kërkojnë trajnime të vazhdueshme ligjor mbi etikën gjyqësore nga Akademia e Drejtësisë, që bazohet në nevojat e identifikuara nga prokurorët dhe gjyqtarët.
- Duhet të forcohet kapacitetet teknike të mekanizmave disiplinorë, sikurse edhe trajnimet lidhur me etikën. Gjyqësori dhe prokuroria kanë besim të ulët në aftësitë e ZPD-së për të kryer hetime, gjë që ngrit nevojën për të reformuar ZPD-në. Duhet të bëhen përpjekje për të forcuar kapacitetet teknike të Zyrës së Prokurorit Disiplinor (ZPD). Identifikimi i nevojave për ngritjen e kapaciteteve do të ishte një fillim që do të pasohej nga të paktën një program trajnimi që do të ofrohet dhe nga masa të tjera të mundshme që do të ndërmerren nga mekanizmat disiplinorë. KGJK dhe KPK duhet të marrin masa për të informuar dhe udhëzuar gjyqtarët dhe prokurorët e rinj që hyjnë në sistem mbi mekanizmat që janë në dispozicion për konsultim mbi standardet etike, pasi shumë prej tyre duket se nuk janë të informuar. Akademia e Drejtësisë gjithashtu duhet të rishikojë programin e saj të trajnimit mbi etikën për të pasqyruar shqetësimet e shprehura nga gjyqtarët dhe prokurorët.
- Reformat e përgjithshme në sektorin e drejtësisë duhet të synojnë të zvogëlojnë ngarkesën e madhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila rrit stresin për të arritur objektivat e performancës dhe krijon stimuj për të mos i marrë aq shumë parasysh çështjet e integritetit. KGJK dhe KPK duhet të përdorin kompetencat e tyre kushtetuese si degë të pavarura të qeverisë për të siguruar burime adekuate (buxhet, infrastrukturë fizike dhe burime njerëzore) si mjet jo vetëm për të përmirësuar efektivitetin e përgjithshëm, por edhe për zvogëlimin e ngarkesës së lartë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ata po ashtu duhet të vlerësojnë mënyrat si të modifikohen stimulimet në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të mos i japin prioritet shpejtësisë në zgjidhjen e rasteve para standardeve profesionale dhe integritetit. Nevojitet një dialog i brendshëm se si të balancohet matja e performancës për të mos qenë tepër e përqendruar në numrin e rasteve të zgjidhura por që të përfshijë komponentë të cilësisë që lidhen me standardet etike.