Sigurimet shëndetësore do të ndikonin në rritjen e punësimit
Prishtinë 20 korrik 2017 – Lëvizja FOL ka mbajtur sot diskutimin e hapur me temën “Ndikimi i sigurimit shëndetësor në punësim, me fokus në rini”. Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, tha se FOL ka bërë një hulumtim sa i përket ndikimi të sigurimit shëndetësor në punësim dhe se përmes këtij debate, do të kuptojmë më shumë rreth mos fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore.
Gersi Gashi nga FOL prezantoi të gjeturat e raportit “Ndikimi i sigurimeve shëndetësore në ekonominë e Kosovës”. Të gjeturat kryesore tregojnë që në mungesë të hapave konkret dhe të shpejtë ende jemi pa sigurim shëndetësor. Gashi tha se transparenca e këtij procesi është kyçe që ky sistem të funksionoj. “Ndër të tjera duhet të ketë: konsultim dhe konsensus nga akterët kryesore, dhe të përmbushen të gjitha kriteret e parapara para fillimit të mbledhjes së premiumeve”, tha Gashi duke shtuar se ndikimi i sigurimeve shëndetësore në ekonomi në bazë të të gjeturave është pozitiv. Po ashtu teoritë dhe të gjeturat empirike tregojnë që ka gatishmëri nga qytetarët për të paguar sigurimin shëndetësor dhe barra për biznese nuk do të ishte aq e madhe sa të ulte punësimin e të rinjve.
Ndërkaq, Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), tha se mosimplementimi i ligjeve ka ndikim jo të mirë në shtetin e Kosovës sepse sigurimet shëndetësore nuk kanë të bëjnë vetëm me shëndetësinë. “Nuk është befasuese që qeveritë nuk nguten të përmbushin obligimet e tyre për implementimin e ligjeve. Nuk është diçka e mirë mosimplementimi i ligjit as për shtetin as për partnerët. Vetëm ne në Kosovë kemi mbetur pa pasur Ligj të Sigurimeve; në rajon i kanë të gjithë. Ky ligj nuk është që ka të bëjë vetëm me sigurime shëndetësore por edhe të punësimit sidomos të të rinjve për shkak se kemi një kontingjent prej 25 mijë të rinjve që çdo vit janë të aftë për tregun e punës”, tha Arifi.
Kryetari i Federatës së Sindikatës Shëndetësore të Kosovës, Blerim Syla, tha se fajtor për mungesën e sigurimeve shëndetësorë në Kosovë janë të gjitha qeveritë e deritanishme, por edhe faktorin ndërkombëtar. “Fajtor është Qeveria e Kosovës por jo vetëm kjo qeveri, fajin e ka edhe faktori ndërkombëtar. Koncept-dokumenti që është bërë parasheh që bizneset e mesme të goditen dhe bizneset e mëdha të favorizohen. Atëherë si sjell kjo punësimin e të rinjve? Ne si federatë kemi propozuar që të bëjmë një përshkallëzim. Të merret si shembull Sllovenia dhe Kroacia të cilat kanë 26 kategori të pagesave të premiumeve”,tha Syla duke shtuar se ende nuk janë përmbush kriteret ligjore për fillimin e mbledhjes se primumeve. Sipas tij, ende nuk është përpiluar lista e shërbimeve që do ti mbuloj sigurimi shëndetësor, mungon çmimorja, mungon pajisja me kartela shëndetësore, nuk ka ndonjë datë të saktë se kur do të merret shërbimi etj.
Ndërsa Lumnije Ajdini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), tha se qysh në janar e kanë ditur që nuk do të ketë sigurime shëndetësore, ashtu siç është premtuar. “Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, dhe veçanërisht për të rinjtë që të kemi sigurime shëndetësore. Ne qysh në janar e kemi ditur se nuk do të mund të kemi sigurime shëndetësore në muajin Korrik për shkak se punët nuk kanë qenë të kryera, madje dyshoj që ende nuk kanë filluar”, ka thënë ajo.
Lumnije Hashani, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se në bashkëpunim me bizneset kanë listuar rekomandimet rreth këtij ligji dhe ia kanë dërguar qeverisë.
Fatmir Haxholli, njohës i politikave sociale dhe të punësimit, tha se mungesa e presionit të mjaftueshëm është shkaktar i mos fillimit të mbledhjes së premiumeve për sigurimin shëndetësor. Sipas tij, ka shumë njerëz që punojnë në tregun informal dhe nëse do të kishte sigurim shëndetësor njerëzit do të bënin presion më shumë tek punëdhënësit ti pajisin me kontrata. “Njësoj do të ndikonte edhe tek ata papunë. Sikur të kishte sigurime shëndetësor, njerëzit do të punonin sepse secili kish dashtë me pas sigurim shëndetësor për fëmijët e tyre”, tha Haxholli.
Lundrim Aliu, nga Banka Botërore në Kosovë, tha se Banka Botërore ka përkrahur sistemin shëndetësor në Kosovë gjatë tërë kësaj kohe. “Banka Botërore ka përkrahur qeverinë e Kosovës në reformat që janë duke u bërë në shëndetësi, në këtë rast edhe për sigurimet shëndetësore. Ne kemi kërkuar që qytetarët e varfër të jenë të paprekur nga pagesat e sigurimit shëndetësor dhe se ofrimi i shërbimeve të filloj paralelisht me mbledhjen e premiumeve”, tha Aliu, duke shtuar se ende ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe Ministria e Shëndetësisë do të duhej të na tregonte se ku kanë mbetur punët.
EYE is project of Swiss Cooperation Office and implemented by consortium of Helvetas Swiss Cooperation and MDA