Shoqëria Civile – Protestë para Kuvendit

Prishtinë, 3 korrik 2025 – Edhe sot, si organizata të shoqërisë civile, ishim para Kuvendit për t’ua kujtuar deputetëve se bllokada institucionale ka një kosto reale për vendin dhe qytetarët. Me vërshëllima dhe nën moton #ShtetiNëPauzë, ua kujtuam se komoditeti në këtë krizë nuk janë zgjidhje.

Në këtë tentativë të 41-të për konstituim, është e pamohueshme që pasojat e kësaj gjendje po thellohen, me humbje të kredibilitetit politik, kosto ekonomike – përfshirë qindra miliona euro nga fondet e Bashkimit Evropian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe me ndikim tek jetët e qytetarëve. E gjithë kjo, sepse mungon vullneti politik për të marrë përgjegjësi dhe për të gjetur një kompromis. Ne u bëjmë thirrje partive dhe deputetëve që të ulen dhe të gjejnë marrëveshjen e nevojshme për të rikthyer funksionimin e Kuvendit dhe për të mbrojtur interesin publik. Qytetarët kanë votuar për institucione që punojnë, jo për një teatër të pafund bllokadash.