Rifillon Matësi i të vërtetës
Matësi i të vërtetës
“Unë po i jap 5 minuta pauzë. Por ta dini se kjo është shkelje e Kushtetutës dhe shkelje e rregullores. Çdo ndryshim i rezultatit është i papranueshëm dhe presion mbi deputetët”
Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, 22 Shkurt 2011
Vlerësimi: E vërtetë
Derisa Kryetari Krasniqi ende vazhdon të ripërsërisë qëndrimin e tij se pauza ka qenë shkelje e Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit ende nuk ka bërë diçka tjetër në anë zyrtare për të përmirësuar këtë defekt.
Ai nuk e ka çuar përpara pretendimin për shkeljen e kushtetutës, dhe reagimi në seancë ka reflektuar më shumë si një inati personal me Thaçin, për mënyrën e marrjes së vendimit në PDK për kandidimin e Pacollit për president, përkundër marrëveshjes që kishte partia për të qenë ai kandidati.
“Duke respektuar Kushtetutën tonë, ne po krijomë institucionet tona të reja të fuqishme të cilat burojnë nga vullneti i qytetarëve tanë dhe të cilat do të mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve tanë.”
Hashim Thaçi, Kryeministër i porsazgjedhur, 22 shkurt 2011
Vlerësimi: E pavërtetë
Pauza e bërë nga deputetët e pranishëm në mes të votimit për Presidentin e Vendit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Presioni dëshmohet me kërkesën e Thaçit për pauzë dhe dëshmitë që kanë sjellë mediat të komunikimeve me sms për çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Kushtetuta e Kosovës garanton mandatin jo detyrues të deputetëve në Nenin 70, Pika 1. Ku thotë “Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati” detyrues. Shkelje tjetër e Kushtetutës është edhe votimi i Presidentit të Kosovës për Qeverinë pasi kishte dhënë betimin e tij për President.
“Gjithçka është në suaza të Kushtetutës, ligjeve të Kosovës, mjetet janë të siguruara, kostoja do të jetë mbi 100 milion euro në vit.
Hashim Thaçi, Kryeministër i shkarkuar, 06 Janar 2011
Vlerësimi: E pavërtetë
Dy vendime me numër 01/151 dhe 02/151 të qeverisë së shkarkuar të nënshkruara nga Kryeministri i shkarkuar për rritjen e pagave të mësimdhënësve dhe kategori të tjera që do të hynin në fuqi nga 1 Janari i 2011, ende nuk po zbatohen. Këto vendime nuk ishin në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Një deklaratë tjetër e Thaçit tregon se pagat me rritje do të merren retroaktivisht pasi të miratohet buxheti i Kosovës.
Sigurisht pasi kjo i ka nxjerrë telashe Hashim Thaçit me FMN-në dhe ICO-në. Madje, në një deklaratë për media zëdhënësi i qeverisë së shkarkuar Memli Krasniqi kishte deklaruar se pagat me rritje po ekzekutohen dhe kjo përsëri nuk ndodhi. “Vendimi u ekzekutua (sot) dhe nesër (e martë) pagat do të dalin me rritje ashtu siç parasheh vendimi i kryeministrit”, ka thënë Krasniqi. (1 Shkurt 2011 Koha Ditore).
Deklaratë kundërthënëse
“Selia në Qafë, LDK e Hashim Thaçit”
Ukë Rugova, LDK Ibrahim Rugova, 28 Tetor 2010
Doli të jetë e kundërta, përderisa Ukë Rugova akuzonte LDK-në e Isa Mustafës për qeverisjen me Hashim Thaçin, doli që Ukë Rugova të jetë i interesuar vetëm të futet në qeveri me dikë, edhe po të jetë ai Hashim Thaçi. Vota e tij ka qenë vendimtare për Pacollin president, por lidhja me Hashim Thaçin nuk është mirëpritur nga elektorari i babait të tij, që kishte respekt për të për shkak të trashëgimisë.
Uka gjithashtu tradhëtoi edhe elektoratin e AAK-së që ia dha votat, sepse as ky elektorat nuk donte koalicion me PDK-në e Thaçit. Djali i ish-presidentit, megjithatë, e ka bërë pazarin më të lartë politik, duke shkëmbyer votën e tij me një mori postesh të lartë në qeveri.