Reagim: Shtrenjtimi i rrymës varfëron edhe më shumë jetën e qytetarëve

Prishtinë, 20 Qershor – Për më shumë se një dekadë Korporata Energjetike e Kosovës ka pasur vëmendjen më të madhe të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Investimet në këtë ndërmarrje kanë qenë më të mëdha se në të gjitha ndërmarrjet tjera. Për vite të tëra Qeveria e Kosovës ka ndarë qindra miliona euro nga buxheti i Kosovës për KEK.

E, në anën tjetër, KEK-u ka rritur pothuajse për çdo vit çmimin e rrymës. Në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës kanë paguar për të njëjtin produkt edhe përmes taksave, por edhe përmes pagesave direkte të tyre.

Ndërsa, për vite të tëra kjo ndërmarrje ka keqpërdorur, ka keq-menaxhuar dhe ka zhvatur buxhetin publik përmes disa udhëheqësve e menaxherëve të pangopur që kanë drejtuar këtë ndërmarrje, duke mos dhënë asnjëherë llogari për mënyrën e shpenzimit të qindra milionave që qytetarët e varfër kanë kontribuar.
Në këtë valle të keq menaxhimit e të keq udhëheqjes ka qenë edhe Zyra e Rregullatorit për Energji. Ky institucion ka manipuluar opinionin publik në vazhdimësi me nivelet e rritjes së çmimit të rrymës. Pra, përgjegjësinë për rritjet e vazhdueshme e të papërgjegjshme përpos KEK-ut e mbanë edhe vetë ZRrE-ja.
Të dhënat për nivelin e papunësisë dhe të varfërisë janë alarmante me vite të tëra. Shporta mujore e një familje sillet rreth 250 euro, ndërsa pjesa vitale e qytetarëve të vendit të aftë për punë nuk arrijnë dot që të kenë një pagë të këtij niveli.

Prandaj, shtrenjtimi i rrymës për qytetarët e Kosovës do të thotë shtrenjtim i jetës së tyre të përditshme, varfërim të mëtutjeshëm dhe pamundësi për të bëre një jetë të dinjitetshme. Në linjë të kësaj, FOL kërkon nga Zyra e Rregullatorit për Energji, nga KEK-u dhe nga institucionet tjera relevante që ta anulojnë këtë vendim dhe të marrin parasysh gjendjen e rëndë socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës.

Galeria e aktivitetit

Foto Galeria: Reagim: Shtrenjtimi i rrymës varfëron edhe më shumë jetën e qytetarëve
Foto Galeria: Reagim: Shtrenjtimi i rrymës varfëron edhe më shumë jetën e qytetarëve
Foto Galeria: Reagim: Shtrenjtimi i rrymës varfëron edhe më shumë jetën e qytetarëve
Foto Galeria: Reagim: Shtrenjtimi i rrymës varfëron edhe më shumë jetën e qytetarëve